Premte, 29 Gusht 2008 23:46:15

Lexoni versionin Print

Vendoset guri i parë i kufirit Shqipëri - Kosovë

Guri i Mëngjesit - Shishtavec- Kufiri Shqipëri-Kosovë do të emërtohet edhe nga ana formale, pas rinovimit të piramidave në kufirin shtetëror. Tashmë piramidat përgjatë kufirit midis Shqipërisë e Kosovës, por edhe në mes Kosovës e Maqedonisë nuk do të kenë mbishkrimin “RFSJ” (Republika Federative Socialiste e Jugosllavisë).

Bashkim Shala
Merkure, 02 Korrik 2008 08:19:00

 

Rinovohen piramidat. Hiqet piramida me mbishkrimin RSH-RFSJ dhe zëvendësohet me piramidën me mbishkrimin Kosovë-Shqipëri-Maqedoni

Shqipëri-Kosovë, hiqet piramida serbe

Guri i Mëngjesit - Shishtavec- Kufiri Shqipëri-Kosovë do të emërtohet edhe nga ana formale, pas rinovimit të piramidave në kufirin shtetëror. Tashmë piramidat përgjatë kufirit midis Shqipërisë e Kosovës, por edhe në mes Kosovës e Maqedonisë nuk do të kenë mbishkrimin “RFSJ” (Republika Federative Socialiste e Jugosllavisë). Ndërkohë që në një ceremoni shtetërore të organizuar nga përfaqësuesit e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, të hënën ka filluar demarkacioni i kufirit të Kosovës me Maqedoninë, me vendosjen e këtij guri në pikën që bashkohen tri shtetet. Guri me mbishkrimin “Shqipëri-Kosovë-Maqedoni” rreth një metër i lartë, i rrethuar me tre flamuj, të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, edhe zyrtarisht, që nga e hëna, do të jetë pika kufitare që do t'i bashkojë këto tri shtete, në vendin e quajtur “Kësula e Priftit” në Malet e Sharrit, apo Guri i Mëngjesit në pjesën e Shqipërisë në afërsi të fshatit Shishtavec. Piramida e rinovuar D24 dikur ka qenë simbol i dhimbjes. Pikërisht në këtë vend, ku harta e Ballkanit po rishkruhet në terren, pas viteve ‘90-të janë vrarë nga forcat e sigurimit serb të kufirit 5 të rinj nga fshatrat e zonës së Gorës në Shqipëri, të cilët tentonin të kalonin kufirin për të punuar në Maqedoni. Kalimi ilegal i kufirit bëhej pikërisht në afërsi të piramidës D24, ku banorë të zonës së Shishtavecit dhe të fshatrave përreth mblidheshin në një livadh që tashmë është emërtuar “Livadhi i Emigrantit”, ku më pas kur fillonte errësira merrnin “rrugën e vdekjes” për një copë bukë.

Autoritetet serbe kanë kthyer në arkivole pesë të rinj nga zona e Shishtavecit gjatë periudhës 1992-1997. Në ceremoninë e rinovimit të piramidave që do i paraprijnë edhe nisjes së përcaktimit të kufirit edhe në mes të Kosovës e Maqedonisë kanë marrë pjesë Zëvendëskryetari i Komisionit Kosovar për Demarkacionin e Kufirit, Murat Meha, kryetar i Komisionit Maqedonas për Demarkacionin e Kufirit, Todor Nanev, i ngarkuari me punë i Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë, Arben Çeku, drejtori i Kufirit për Kosovën, Gjeneral Behar Selimi, drejtori Rajonal i Kufirit për Kukësin, Ylber Zyberi, përfaqësues të mediave nga të tre vendet, banorë të zonave si nga Dragashi e Shishtaveci. Përfaqësuesit e Prishtinës, Shkupit dhe Tiranës thanë se procesi i përcaktimit të kufijve ka rëndësi vetëm në aspektin gjeografik, pasi që të tri vendet janë aspirante për Bashkimin Evropian, ku kufijtë nuk kanë kurrfarë roli. Rinovimi i piramidës D24 në trekëndëshin Shqipëri-Kosovë-Maqedoni është vlerësuar historik nga të pranishmit edhe pse, siç thanë ata, kufijtë do të jenë jetëshkurtër, sepse në të ardhmen në BE ata janë vetëm simbolikë.

Zëvendëskryetari i Komisionit Kosovar për Demarkacionin e Kufirit, Murat Meha, tha se demarkacioni i Republikës së Kosovës me Maqedoninë është një hap shumë i rëndësishëm dhe përcaktimi i kësaj pike tregon fillimin e një jete të re në të dy vendet fqinje, që janë të rëndësishme për paqe dhe stabilitet në Ballkan. I ngarkuari me punë i Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë, Arben Çeku, tha se zbulimi i pikës trekufitare paraqet realitetin e ri në hartën e Ballkanit dhe guri kufitar ka karakter gjeografik, sepse marrëdhëniet e Republikës së Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë janë të shkëlqyeshme, ndërsa kufijtë janë vetëm formalë. Todor Nanev, kryetar i Komisionit Maqedonas për Demarkacionin e Kufirit, tha se zbulimi i këtij guri kufitar shënon edhe fillimin e demarkacionit të paraparë me Pakon e Ahtisaarit, që do të thotë se Maqedonia e pranon këtë pako. Procesi i demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë parashihet të përfundojë deri në mars 2009. Pika më delikate e përcaktimit të vijës kufitare do të jetë në fshatin Debëllde të Vitisë, ku parashihet që 2.500 hektarë tokë të Kosovës t'i takojnë Maqedonisë. Problemi ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë është aktualizuar në vitin 2002, pas një marrëveshjeje që u nënshkrua ndërmjet Beogradit dhe Shkupit, e cila 2.500 hektarë tokë të Kosovës ia dha Maqedonisë. Kjo marrëveshje ngjalli reagime gjithandej shqiptarëve përfshirë edhe Kuvendin e Kosovës, i cili nxori atëbotë një rezolutë kundër këtij vendimi.

Rezoluta e Kuvendit u kundërshtua nga UNMIK-u, ndërsa vendimi u legjitimua nga Bashkimi Evropian dhe NATO-ja. Mirëpo implementimi i kësaj marrëveshjeje nuk u realizua, për faktin se një grup shqiptarësh kapi armët në mbrojtje të këtij territori. Ndërkaq, së fundi, Qeveria e Prishtinës dhe ajo e Shkupit kanë formuar komisionet e përbashkëta dhe kanë nënshkruar protokollin për demarkacionin e vijës kufitare, në bazë të marrëveshjes ndërkombëtare. I gjithë procesi i përcaktimit të kufirit do të ndodhë brenda një viti. Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se procesi i definimit të kufirit me Maqedoninë është proces që nuk lidhet me njohjen e shtetit të Kosovës, meqenëse procesi është i paraparë me Pakon e Ahtisaari-t dhe brenda një viti duhet të bëhet. Ndërkohë në përcaktimin e vijës kufitare në mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk ekziston asnjë problem, theksojnë zyrtarë të drejtorisë së kufirit në Kukës. Lidhur me disa pretendime të banorëve të zonës së Shishtavecit për pronësi mbi tokën në territorin e Kosovës, drejtori Rajonal i Kufirit, Ylber Zyberi thotë se pretenduesit nuk disponojnë tapitë e tokës, megjithëse sipas Zyberit edhe nëse disponojnë tapitë, kufijtë janë të pandryshueshëm, ndërsa pronësia zgjidhet në bazë të Marrëveshjeve Ndërkombëtare që ekzistojnë për këtë qëllim. Por banorët e zonës së Shishtavecit e Borjes në Shqipëri që pretendojnë për pronësi mbi tokën në territorin e Kosovës, në shumë raste i janë drejtuar vetëgjyqësisë.

Sabahete Kurtishi, kryetare e Gjykatës për Kundërvajtje në Komunën e Dragashit, ka bërë të ditur se kjo gjykatë ka hapur dhjetua procese për shtetasit nga fshatrat e komunës së Shishtavecit dhe të Zapodit për prerje të paligjshme të pyjeve në territorin e Kosovës, ndërkohë që dëmet në pyje sipas kryetares së gjykatës janë kolosale. Goranët e Shqipërisë që jetojnë në fshatrat e komunës së Shishtavecit dhe të Zapodit, kufi me komunën e Dragashit në Kosovë , thonë se disponojnë tapitë e para 1913-ës për disa hektarë pyje e livadhe në territorin e Kosovës, pikërisht në fshatrat Orqushë, Glloboçicë, Krushë e Vranisht. Deri në vitin 1948, sipas këtyre banorëve ato janë lejuar ta shfrytëzojnë këtë tokë me autoritetet e ish-Jugosllavisë së Titos, ku ato kalonin kufirin me pasaportë për të punuar tokat dhe ktheheshin brenda ditës në shtëpitë e tyre në territorin e Shqipërisë.

Në takimet e vazhdueshme midis policisë së UNMIK-ut dhe asaj të Kukësit, është paraqitur si variant i ndërmjetëm nga ana e zyrtarëve të policisë së Kukësit, ku sipas këtij varianti, autoritetet e pushtetit vendor në Kosovë e Shqipëri të zgjidhin problemin e pronësisë në pjesën e konfliktit, ku goranët e Shqipërisë të lejoheshin në bazë të rregullave të kalimit të kufirit për të shfrytëzuar tokën e tyre në territorin e Kosovës. Në zonën e Dragashit në Kosovë numërohen 19 fshatra, me rreth 12 mijë banorë të etnisë gorane, ose siç quhen ndryshe myslimano-boshnjakë. Ndërsa në zonën e Kukësit, në kufi me këto fshatra numërohen 6500 banorë goranë të vendosur në fshatrat e komunës së Zapodit e Shishtavecit.






diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML