Premte, 29 Gusht 2008 23:28:19

Lexoni versionin Print

Zgjedhjet në Maqedoni, fitojnë Gruevski dhe dhuna

Në Maqedoni, partia e qendrës së djathtë VMRO-DPMNE dhe koalicioni i drejtuar nga kryeministri, Nikolla Gruevski, ka fituar zgjedhjet e përgjithshme. Në bllokun shqiptar, dy subjektet kryesore, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike, thonë se kanë fituar. Por Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thotë se në përparësi me 10 mijë vota është BDI.

Shekulli
Marte, 03 Qershor 2008 08:36:00

 

Përgjaket e diela e votimeve. Ndërkombëtarët, të shqetësuar për incidentet

 

Në Maqedoni, partia e qendrës së djathtë VMRO-DPMNE dhe koalicioni i drejtuar nga kryeministri, Nikolla Gruevski, ka fituar zgjedhjet e përgjithshme. Në bllokun shqiptar, dy subjektet kryesore, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike, thonë se kanë fituar. Por Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thotë se në përparësi me 10 mijë vota është BDI. Në ditën e votimit, një person vdiq dhe shumë të tjerë u plagosën gjatë disa incidenteve që u shënuan sidomos në pjesën shqiptare. KSHZ-ja thotë se zgjedhjet mund të përsëriten në disa qendra votimi. Komisioni Evropian ka shprehur shqetësim të madh për aktet e dhunës.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministri Gruevski tha se fitorja e subjektit që ai drejton është historike. "VMRO-DPMNE dhe koalicioni “Për një Maqedoni më të mirë” do të ketë mbi 60 deputetë në Parlamentin e Maqedonisë”,- tha z.Gruevski. Ky rezultat i mundëson z.Gruevski shumicën në parlament.

Blloku opozitar me në krye Lidhjen Social- Demokrate e pranoi humbjen. Në mesin e partive shqiptare, sipas KSHZ-së, nga votat e numëruara në 82 për qind të vendvotimeve, BDI e Ali Ahmetit është në përparësi prej rreth 10 mijë votash ndaj PDSH-së. Por z. Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së, thotë se partia e tij ka fituar: "Është fitorja më e rëndë, më e vështirë, por më e lezetshme për PDSH-në". Izet Mexhiti ndërkohë është kryetar i shtabit zgjedhor të BDI-së: "Në të gjitha zonat ku nuk ka pasur vrasje, mbushje të kutive, dhunim të procesit zgjedhor, BDI shënon fitore bindëse",- tha ai.

Gjatë procesit të votimit pati shkelje serioze të ligjit, sidomos në zonat e banuara me shqiptarë. Një person u vra, kurse disa të tjerë u plagosën, ndërkohë shumë vendvotime ose u mbyllën, ose nuk funksionuan me kapacitet të plotë. BDI, për këtë shkak, ka kërkuar rivotim në Zonën Nr.6 dhe në një pjesë të Zonës 1, në Saraj të Shkupit. KSHZ konfirmoi një pjesë të madhe të parregullsive dhe pritet që të merret vendimi se në sa vendvotime do të ketë rivotim. Nga kjo do të varet dhe fituesi në bllokun shqiptar.

Dhuna

Policia e Maqedonisë lajmëroi se janë arrestuar 28 persona lidhur me incidentet gjatë zgjedhjeve të djeshme dhe se janë ngritur kallëzime penale kundër 8 të arrestuarve nga grupi i Agim Krasniqit. Policia ka regjistruar incidente në rreth 30 vendvotime gjatë ditës së djeshme. Tek grupi i Krasniqit janë gjetur 5 revole, 4 pushkë automatike, 3 bomba dore, 6 granata për minahedhës, 1 pushkë "Pumparicë", sasi të mëdha municioni, si dhe 7 pako me marihuanë. Kallëzim penal është ngritur edhe kundër R.A. (55 vjeç) nga fshati Haraçinë, për tentim për vrasje, lidhur me ngjarjen ku pjesëtarë të policisë u sulmuan prej një grupi të armatosur, me ç'rast u arrestuan gjashtë persona. Kallëzime penale do të fitojnë edhe dy pjesëmarrës në shkëmbimin me armë zjarri në afërsi të shkollës "Dame Gruev", në lagjen “Çair” të Shkupit.

Policia punon edhe në identifikimin e personave tjerë të cilët kanë marrë pjesë në incidentin në Çair, si dhe personat të cilët nga shtabimi i atjeshëm i Partisë së BDI-së kanë shtënë mbi patrullën policore. Policia po gjurmon edhe pas tetë persona të tjerë lidhur me incidentet.





diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML