Sa vlerë kanë votimet e djeshme në shtetit më të madh të Europës dhe ndikimi i Putin në zgjedhjen e fituesit
Zgjedhjet presidenciale të së dielës në Rusi kanë shumë të panjohura, por rezultati i tyre dihet prej kohësh, dhe nga të gjithë. Kjo sepse presidenti Vladimir Putin, që dy muaj më parë tha se i preferuari i tij për postin ishte zv/kryeministri aktual, Dimitri Medvedev. Me një popullaritet tek 80 përqindëshi në mesin e rusëve, fjala e Putinit pa dyshim që do të vihet në vend. Jo më kot, posteri elektoral i z.Medvedev, ku ai shfaqet në krah të Presidentit, shoqërohet nga parulla: "Bashkë do të fitojmë". Në garë janë dhe tre kandidatë të tjerë, por ata konsiderohen si kukulla të Kremlinit dhe pa asnjë shans fitoreje. Mbulimi i fushatës së tyre nga televizionet, që me një a dy përjashtime janë pronë e Kremlinit dhe e përkrahësve të tij, u eklipsua nga "aktivitetet zyrtare" të përditshme të zëvendëskryeministrit. Kandidati i vetëm i opozitës, ish-kryeministri Mikhail Kasyanov, as nuk u lejua që t'i hynte garës, pasi lista e mbështetësve të tij, përmbante "firma të falsifikuara". Të panjohura janë ato që po ndodhin në prapaskena, ku njohësit e Kremlinit thonë se po zhvillohet luftë e ashpër për pushtet dhe në atë se çfarë do të ndodhë pas shpalljes së rezultatit të pritshëm të së dielës.
"Të ashtuquajturat" zgjedhje
Në vendin që me Putinin në krye nisi të pasurohet përditë falë burimeve të gazit, rusët, që më në fund po shijojnë frytet e rritjes së çmimeve në sektorin e energjisë, nuk kanë shumë arsye për ta kritikuar Presidentin e tyre. Për më tepër, ata i janë mirënjohës që ai e ngjiti Rusinë në skenën botërore dhe i shpëtoi nga "poshtërimi", siç thonë ata, që Perëndimi i bëri gjatë viteve '90-të. Por në Moskë takon moskovitë, të cilët me ato që thonë drejtpërsëdrejti a në mënyrë alegorike, të bëjnë të mendosh se me këto zgjedhje, ai i ka bërë të ndjehen të fyer. "Nëse doni që këto t'i quajmë zgjedhje, atëherë quajini", thotë me cinizëm Maria. "Ato nuk kanë asgjë të përbashkët me zgjedhjet e lira dhe demokratike", shton ajo me indinjatë. Një moskovite tjetër, Helena, thotë se zgjedhjet janë "tallje me popullin rus".
Prandaj, ka dhe nga ata që nuk do të votojnë.
"Një shoqja ime, më tha se kishte blerë bluza ku shkruhet "Unë nuk do të votoj" për miqtë e afërt", thotë një vajzë në të njëzetat. "Unë bluzë nuk bleva, po kjo nuk do të thotë që do të votoj". Presidenti Putin i bëri thirrje rusëve dy ditë para zgjedhjeve, që të dilnin për të votuar. Dhe shumica e tyre pritet të votojnë.
Vlera e votës
Në ekuacionin e këtyre zgjedhjeve, sipas Fyodor Lukyanov, kryeredaktor i revistës "Rusia në Çështjet Globale" që botohet në Moske, vota e elektoratit ka vlerën zero. "Ajo që llogaritet, është vota e një votuesi të vetëm",- thotë ai, dhe shton: "Ky votues, presidenti Putin e ndau mendjen në fund të dhjetorit… dhe njoftoi se Presidenti i ri do të ishte z.Medvedev. Dhe gjithçka përfundoi". Shumica e rusëve mendojnë se vetëm duke dëgjuar fjalën e Putinit, do të kenë të sigurt mirëqenien ekonomike të viteve të fundit. "Unë e kam vendosur se për kë do të votoj", thotë një moskovite në të pesëdhjetat, që në vend të emrit, thotë profesionin: inxhiniere. Pa përmendur edhe emra të tjerë, ajo thotë se përveç atyre që e kanë provuar veten, ajo nuk beson tek asnjë kandidat tjetër.
Ndoshta e ka fjalën për zëvendëskryeministrin...
Zgjidhje e vjetër
Jo se Medvedevi, para propozimit të Putinit, ishte shumë i njohur nga publiku. "Medvedev është shumë pak më i njohur dhe i detyrohet Putinit për propozimin, për zgjedhjen pothuaj të sigurt dhe për popullaritetin", thotë Maria Lipman, nga Qendra Carnegie në Moskë, degë e institutit me të njëjtin emër në Uashington. "Të intervistuarit nëpër sondazhe thonë se meritat kryesore të tij, janë dy: që Putini i beson dhe që është i afërt me të".
Por propozimi nuk ishte një zgjidhje e re për politikën ruse.
Në vitin 1999, pararendësi i Putinit, Boris Jelcin i prezantoi Rusisë një figurë pothuajse aq të panjohur sa Medvedevi kësaj here, si të zgjedhurin e tij, që ai e përshkroi si njeriu që do të ringjallte Rusinë e Madhe. Pas kësaj, Putin fitoi zgjedhjet presidenciale të 2000 dhe përsëriti suksesin katër vjet më parë, duke hyrë në histori si presidenti i parë post-sovjetik që shërbeu dy mandate të plota. Tetë vjetëve si President ndoshta do t'i shtohen të tjerë në pushtet, nëse Putin vërtet bëhet kryeministër.
Të panjohura të tjera
Analistët parashikojnë se për shumë arsye, Putin nuk do të largohet nga politika. "Ai do të mbetet një aktor i rëndësishëm dhe për të paktën fazën fillestare të presidencës së Medvedevit, Putin ka gjasë të mbetet partneri më i rëndësishëm", thotë znj.Lipman nga Qendra Carnegie. Por për kryeredaktorin e "Rusisa në Çështjet Globale", Lukyanov, mes dy burrave nuk do të ketë konkurrencë. "Ata janë të lidhur kaq ngushtë me njëri-tjetrin, sa mund të bien dakord për një model bashkëpunimi", thotë ai. Për të, e panjohura në këtë situatë "speciale dhe unike" dypushteti, është në mënyrën se si do të reagojë administrata shtetërore. "Burokratët rusë duan të kenë vetëm një Car", thotë z.Lykuanov. "Nëse kanë dy, gjithë sistemi, teknikisht, do të pësojë shumë probleme".
Teoria e monarkut
Traditës së fortë monarkike të Rusisë, që "nuk e toleron dypushtetin" i referohet dhe analisti e komentatori për çështje politike, Stanislav Belkovski. "Pa dyshim që do të ketë një president dhe ai do të jetë Dimitri Medvedev", thotë ai. Dhe z.Belkovski i shton ekuacionit të zgjedhjeve një të panjohur të re. Ai, ndryshe nga analistët e sipërpërmendur, nuk e beson se Vladimir Putin, ashtu siç ka deklaruar, do të bëhet kryeministri i ri i vendit. "Unë mendoj se ai me këtë po luan bllofin, për dy arsye të mundshme", thotë z. Belkovsi. "Për të siguruar ngjitjen e Medvedevit në fronin presidencial dhe për të mbajtur nën kontroll betejën e ashpër për postin e Kryeministrit mes grupeve të ndryshme elitare me influencë".
Me a pa Putinin
Në historinë e zgjedhjeve presidenciale të Rusisë post-sovjetike, me ardhjen në pushtet, brenda pak ditësh, presidenti i ri propozon kryeministrin. Putinit i mbaron mandati i presidentit në muajin maj dhe ndoshta vetëm atëherë do të mësohet se cila ishte e panjohura e fundit që mund të zbulohej nga këto zgjedhje. Sa për atë, se çfarë do të ndodhë në skenën e gjerë politike ruse pas tyre, askush nuk pret ndonjë ndryshim. Edhe më optimistët në Moskë thonë se opozita, shoqëria civile, do të vazhdojnë të mbeten të dobëta dhe media nën kontrollin e drejtpërdrejtë a të tërthortë të autoriteteve. Kështu Kremlini, me a pa Putinin, në të ardhmen e afërt, pritet ta vazhdojë punën i pasfiduar.
Vetëm 300 vëzhgues, për 100 milionë votues
Në votimet e djeshme në Moskë morën pjesë edhe tre kandidatët e tjerë presidencialë: komunisti Gennady Zyuganov, ultra-nacionalisti Vladimir Zhirinovsky dhe Adrei Bogdanov i Partisë Demokrate. Vetëm 300 vëzhgues ndërkombëtarë po monitorojnë 96 mijë qendra votimi, në 11 zonat kohore të Rusisë. Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) nuk pranoi të dërgojë vëzhgues, duke thënë se autoritetet ruse kishin vënë rregulla tepër të rrepta. Kandidati komunist Zyuganov akuzoi për parregullsi, por nuk dha prova për akuzat e tij. "Kemi njoftime se këto dy ditë, organet e pushtetit kanë vazhduar fushatën. U befasova kur dje disa guvernatorë u bënë thirrje njerëzve të votonin për partinë në pushtet". Disa votues janë ankuar nga presioni për të hedhur votat në favor të zotit Medvedev dhe kritikët i kanë quajtur zgjedhjet një shfaqje cinike. I pyetur se sa mbështetje parashikonte të merrte, kandidati Bogdanov tha: Çfarëdo përqindje, do të ishte mirë.
Zgjedhjet e parapërcaktuara shpallin, fitues kandidatin e mbështetur nga presidenti aktual Vladimir Putin
Sondazhet: Medvedev, fitues me 70% të votave
Nën masa të rrepta të sigurisë, në Rusi zgjidhet një President i ri. Rreth 110 milionë qytetarë me të drejtë vote, janë thirrur që këtë të diel të vendosin se kush do të zëvendësoj presidentin e deritanishëm, Vladimir Putin. Në lindje të Rusisë vendvotimet janë hapur që të shtunën në mbrëmje, sipas kohës evropiane. Rezultatet e para kanë dalë vetëm pak minuta pas mbylljes së vendvotimeve të fundit në qarkun e Kaliningradit, në orë 19:00 me orën tonë. Sondazhet flasin se kandidati Dimitri Medvedev do të fitojë rreth 69.6 për qind të votave. Kjo shifër është publikuar mbrëmjen e djeshme nga agjencia shtetërore e sondazheve. Diferenca është tmerrësisht e madhe duke llogaritur se rivali i tij më i afërt është lideri i Partisë Komuniste, Gennady Zyuganov. Ai ka arritur që të marrë rreth 20 për qind të votave ruse. Në orët e mbrëmjes së djeshme ka dalë edhe një rezultat zyrtar paraprak. Pas numërimit të 18.52 për qind të votave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Rusi, ka pohuar se Dimitri Medvedev ka fituar 64.54 për qind të votave.
Shifrat zyrtare të pjesëmarrjes flasin për 60 për qind, por të gjitha agjencitë ndërkombëtare të lajmeve i kanë marrë ato me shumë rezerva. Sipas të dërguarit të BBC-së në Rusi, shumë punëtorë janë detyruar nga punëdhënësit e tyre që të shkojnë e të votojnë. Ndërkohë, në shumë raste të tjera, votuesit janë "stimuluar" që të votojnë duke marrë si dhurata ushqimeve falas, bileta kinemaje dhe lodra për fëmijët. Lideri i Partisë Komuniste, Gennady Zyuganov ka deklaruar se janë vënë re shumë parregullsi dhe ka theksuar se rezultati do të vendoset në gjykatë. Nga ana tjetër, Kremlini zyrtar është përgjigjur se nuk ka pasur asnjë parregullsi në zgjedhje. As grupi i pavarur i vëzhguesve rusë nuk ka paraqitur ndonjë provë konkrete për parregullsi por ata janë "habitur" nga numri tepër i lartë i votuesve në disa zona.