Shtune, 30 Gusht 2008 06:08:45

Lexoni versionin Print

SHBA, Klinton ruan avantazhin e lehtë ndaj Obamës

Votimi njëkohësisht në 24 shtete nuk ka qenë në gjendje që të zgjidhë rebusin e demokratëve ndërsa tek republikanët John McCain, duket se është fituesi më i madh

Shekulli
Enjte, 07 Shkurt 2008 10:07:00

"E marta e madhe"

Votimi njëkohësisht në 24 shtete nuk ka qenë në gjendje që të zgjidhë rebusin e demokratëve ndërsa tek republikanët John McCain, duket se është fituesi më i madh

Zgjedhjet për presidencialet në SHBA kanë kaluar dje "të martën e madhe" ku u votua njëkohësisht në 24 shtete për të zgjedhur kandidatët që do të përfaqësojnë demokratët dhe republikanët në garë. Por as votimi masiv i 24 shteteve nuk ishte në gjendje që të zgjidhte rebusin e demokratëve se cili do të jetë kandidati i tyre, Hillary Clinton apo Barack Obama. Klinton ka ruajtur avantazhin e lehtë që kishte por asgjë nuk është nede përfundimtare. Nga ana tjetër, republikanët me sa duket e kanë zgjedhur kandidatin e tyre. Republikani McCain ka forcuar dje ndjeshëm pozitën e tij duke u shkëputur tej mase nga të tjerët.

Republikanët

Kandidati kryesor republikan për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, John McCain, duket se është fituesi më i madh në ditën më të rëndësishme të votimit për të fituar kandidaturën e partisë së tij. Zoti McCain pritet të shpallet fitues në nëntë shtete, përfshirë shtetin më të madh, Kaliforninë, dhe disa shtete me popullsi të madhe si New Jersey, Illionis dhe Nju Jork. Duke iu drejtuar përkrahësve të tij në shtetin e tij të lindjes, Arizonë, senatori John McCain tha se gjatë fushatës ai kishte dalë në krye të kandidatëve republikanë. "Sonte, miqtë e mi, ne kemi arritur disa fitore të rëndësishme në një nga garat më të forta. Kemi marrë disa nga shtetet më të mëdha. Kemi fituar në perëndim, në jug dhe verilindje. Duhet të mësohemi me idenë se ne jemi në krye të garës për të fituar kandidaturën e partisë republike", tha senatori republikan, John MacCain. Kandidati tjetër republikan Mike Huckabee pritet të fitojë në disa shtete në jug, ku ka mbështetjen e tij më të fortë. Ndërsa Mitt Romney ka fituar në shtetin e tij Massacchussetts, në Utah, ku shumica e votuesve janë të besimit mormon si ai, dhe në katër shtete të tjera.

Demokratët

Gara paraprake e kandidatëve mbetet interesante. As votimet në 24 shtete nuk e zgjodhën dilemën se kush do të jetë kandidat i demokratëve, Hillary Clinton apo Barack Obama. Janë numëruar të gjitha votat e të "martës së madhe", në të gjitha 24 shtetet ku u votua, por tek demokratët ende nuk ka ndonjë fitues. Hillary Clinton dhe Barack Obama vazhdojnë garën kokë më kokë. Zonja e parë e dikurshme e Shtëpisë së Bardhë ka fituar në shtetet e mëdha si Kalifornia, Nju Jorku dhe Nju Xhersi.Ndërsa Obama doli i pari në shtetet jugore me përqindje më të madhe të popullatës me ngjyrë të zezë. Ai fitoi më shumë shtete, por sistemi i komplikuar i votave të deleguara i mundëson shteteve më të mëdha më shumë vota, që do të thotë, Hillary Clinton është në epërsi. Obama dhe Hillary Clinton kanë festuar dje pas zgjedhjeve me përkrahësit e tyre. "Ju jeni tani të gatshëm për një president i cili në Shtëpinë e Bardhë do t'i bëjë realitet zërat, vlerat dhe ëndrrat tuaja", theksoi Clinton. Me tone të ngjashme pozitive në vendlindjen e tij në Çigago fliste edhe Obama. "Ekziston një gjë më e rëndësishme se sa zgjedhjet dhe rezultatet e kësaj nate të shkurtit: ne e dimë se ka ardhur koha jonë...", thoshte ai. Prononcimet e Hillary Clinton dhe Obamës ishin vazhdimësi e fushatës, sepse e "marta e madhe" nuk solli përgjigjen se cili do të jetë kandidati i demokratëve. Të shtunën votohet nëNebraska dhe Uashington, ndërsa javën që vjen në Maryland.

--------------------------------------


Koment

Kur zihen dy vetë fiton i treti

Pas zgjedhjeve paraprake në 24 shtete federale dueli i dy kandidatëve demokratë është bërë më i ashpër. Me gjithë mbështetjen e gjerë në popullsi, nga dueli mes dy kandidatëve demokratë mund të fitojë një republikan. Me entuziazëm dhe plot shpresa i vështron bota Shtetet e Bashkuara. Me entuziazëm sepse gara paraelektorale për përcaktimin e kandidaturës presidenciale tek demokratët mes Hillari Klintonit dhe Barak Obamës është më shumë se një duel mes dy gjigantësh. Përballimi i tyre është njëherazi edhe duel gjinor e ngjyre. Plot shpresa sepse jo vetëm Klinton dhe Obama, por edhe i treti në këtë ligë premton një kthesë të qartë nga politika e erës Bush. Kjo shpresë u ushqye edhe pas zgjedhjeve në 20 shtete federale. Obama dhe Klinton nuke kanë përfunduar garën, megjithëse Klinton ka një epërsi të vogël ndaj Obamës pas suksesit të saj në Kaliforni. Dueli mes të dyve do të mbesë interesant deri në minutën e fundit, madje ai kërcënon të kthehet në sprovë për partinë demokratike. Obama ka me vetë rininë dhe shumicën e afro-amerikanëve, ndërsa Klinton gratë dhe pjesën emigrantëve spanjollë, të ardhurit po bëhen një kategori gjithnjë e më e rëndësishme votuesish. Ndërsa Mekkein doli nga zgjedhjet e djeshme fitimtar. Dhe bota do të bënte mirë ta merrte më seriozisht veteranin e luftës që e filloi fushatën tepër i veçuar.

Ka arsye që të bëjnë të mendosh se nuk është ndonjë çudi që presidenti i 44 i Sheteve të Bashkuara mund të jetë sërish një republikan. Mekkeini tregoi dje se ai jo vetëm e la dukshëm mbrapa konkurrentin e tij, por që ai edhe mund të fitojë pikë jo vetëm në veriun amerikan, Nju Hempshir, shtetet jugore, si në Karolinën e Jugut, por edhe në shtetin perëndimor liberal si në Kaliforni. Dhe tjetra, kur zihen dy vetë fiton një i tretë. Ka mundësi që 72 vjeçari të hyjë në Shtëpinë e Bardhë, vitin e ardhshëm si presidenti më i vjetër i SHBA-ve. Republikani Mekkein që ka kaluar 5 vjet të jetës së tij si i burgosur lufte në qelitë e Vitkongut, mund t'u duket amerikanëve si rreziku më i vogël. Ndryshe nga Hillari Klinton, Mekkein është i qartë dhe nuk hahet nga brenda nga zilia e vet. Ai ka humor, i zoti i gojës dhe me përvojën e tij të gjatë në fushën e politikës së jashtme më i programuarse sa kandidati i ri Obama. Mekkein ka fituar emër me kritikën e tij ndaj Bushit dhe lutfës në Irak. Në çështjen e migrimit ai ka qendrim liberal. Per herë të parë që pas 20 vjetësh kandidatura për president në Shtetet e Bashkuara po kthehet në një garë të vërtetë. Deri sa të përcaktohen kandidaturat tek demokratët, bota ka kohë që të miqësohet edhe me emrin e Mekkeinit.

Daniel Scheschkewitz (DW)





diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML