Premte, 29 Gusht 2008 23:44:33

Lexoni versionin Print

Moore: Pavarësia njihet pas zgjedhjeve në Serbi

Analisti Patric Moore hprehet se shpallja e pavarësisë është opcioni i vetëm

Intervistoi: Melazim KOCI
Hene, 14 Janar 2008 06:25:00

Analisti Patric Moore hprehet se shpallja e pavarësisë është opcioni i vetëm

Parlamenti i Kosovës ka votuar qeverinë e re e cila ka premtuar pavarësinë. Shpallja e pavarësisë duket se do të shpallet pas zgjedhjeve presidenciale në Serbi. A është ky afat realist?

Ky është opcioni i vetëm realist. Është mirë që fillimisht Serbia të mbajë zgjedhjet dhe pastaj siç ka thënë kryeministri Thaçi shpallja e pavarësisë të bëhet në koordinim me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Më duhet të them se me rastin e emërimit të kryeministrit të Kosovës kam hetuar se disa mediume perendimore kanë përdorur termin ish lideri i guerilës kosovare dhe kjo më ka shtyer të mendoj se përse përdoret ky term? Terminet ose fjalori politik shpesh flasin shumë dhe kanë porosi politike. Më duket më e natyrshme që për Thaçin të përdoret termi kryeministri i Kosovës ose lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, sepse duke apostrofuar termin lideri i guerilës thuase dikush dëshiron të identifikoj kosovarët me imixhin e dhunës. Ngjashëm është edhe me përdorimin e mediumeve perendimore të termit "Kosova - krahina serbe", ndërkohë që kemi të bëjmë me një teritor të administruar nga ndërkombëtarët. Pra kemi të bëjmë me terminologji që dërgon porosi politike.

Kryeministri i Kosovës ka sinjalizuar se asnjë vendim nuk do të merret pa miratimin e Shteteve të Bashkuara dhe BE-së. A mendoni se Prishtina do të marrë miratimin e Uashingtonit dhe Brukselit?

Nga Uashingtoni me siguri. Presidenti Bush këtë e ka bërë të qartë gjatë qëndrimit në Shqipëri dhe në këtë aspekt nuk ka asnjë dyshim. Në Bashkimin Evropian gjërat janë pak më ndryshe, ndonëse edhe fuqitë më të mëdha të BE-së janë në favor të pavarësisë nëse ajo është e koordinuar me Uashingtonin dhe Brukselin. Këtë tashmë e kanë bërë të qartë Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca. Disa vende të BE-së fillimisht nuk do të njohin pavarësinë e Kosovës, por kjo nuk ndryshon situatën e përgjithshme. Kemi të bëjmë me disa vende mike të Serbisë siç janë Rumania, Greqia dhe Qipro, ndoshta aty do të gjenden edhe Spanja dhe Sllovakia.

Serbia dhe Rusia ende kërkojnë bisedime shtesë dhe që vendimi të shkojë përmes Këshillit të Sigurimit. Serbia gjithashtu sërish është kërcënuar me kundër masa, siç është mbyllja e kufirit dhe bllokada ekonomike....

Kërkesa për bisedime shtesë është e çuditshme dhe me këtë pajtohet edhe Bashkimi Evropian. Serbia dhe Rusia janë duke synuar të përfitojnë në kohë me shpresen se Perendimi do të humbasë interesimin për Kosovën. Beogradi dhe Moska shpresojnë se në plan afatgjatë Serbia nuk do të paguajë çmimin e nisjes dhe humbjes së katër luftrave dhe vrasjes dhe dëbimit nga vatrat e tyre të qindra mijëra njerëzve nga hapësira e ish Jugosllavisë. Sa i përket kërcnimeve me bllokadën kufitare, kjo vetëm sa do t'u ndihmoj kosovarëve që të gjejnë zgjidhje alternative nga Shqipëria ose Maqedonia, duke dobësuar kështu në planin afatgjatë pozicionin e Serbisë. Nga zbatimi i bllokadës eventuale ekonomike mund të humbasë vetëm Serbia.





diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML