Durrës-Kanë përjetuar orë tmerri tre pjesëtarë të familjes Berberi në Rrashbull të Durrësit, kur dy grabitës me maska mësynë shtëpinë e tyre në mesnatë. Ata janë përleshur me mjete rrethanore që u gjendeshin në shtëpi me grabitësit, të cilët kanë dalë duarbosh pa arritur të realizojnë vjedhjen e planifikuar.
Burimet e policisë kanë bërë me dije sot se dy persona të maskuar kanë hyrë në banesën e shtetasit, Zenel Berberi ku dhe kanë tentuar të vjedhin. Në momentin që ata kanë hyre janë konstatuar nga familjaret të cilët u kanë bërë rezistencë dhe janë përleshur me to.
Kur kanë parë se e kishin të pamundur realizimin e grabitjes që kishin planifikuar që të bënin në këtë banesë, personat e maskuar janë larguar andej nga kishin hyre me vrap duke lënë të shokuar e të plagosur njerëzit e shtëpisë. Largimi i tyre është bërë edhe nga shkaku se i kanë dëgjuar fqinjët të cilët kanë pyetur se çfarë po ndodhte.
Kanë marrë plagosje të lehta kryefamiljari, Zenel Berberi 62-vjeç, bashkë0shortja e tij, Ikbale Berberi-58 vjeç si dhe vajza A.Berberi, 25- vjeç. Te tre të dëmtuarit janë dërguar në spitalin rajonal të Durrësit dhe tashmë kanë lënë spitalin. Policia ka nisur veprimet hetimore dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autoreve të kësaj ngjarjeje.