SHKODËR - Një 76-vjeçar me banim në Shkodër ka humbur prej një muaji dhe të afërmit e tij nuk dinë asgjë për të. Këtë fakt e kanë bërë publik familjarë të 76-vjeçarit Bardhok Ndue Biba, të cilët pasi kanë marrë kontakt me të gjithë të njohurit e tyre dhe nuk kanë gjetur asnjë të dhënë për të moshuarin, kanë kërkuar ndihmën e medias.
Mësohet se 76-vjeçari jetonte i vetëm, pasi fëmijët i kishte në emigracion. Ai banonte në Shkodër ku kishte një shtëpi, por shkonte vazhdimisht dhe qëndronte me ditë të tëra dhe në Tiranë, ku kishte një tjetër shtëpi. Hera e fundit që është komunikuar me 76-vjeçarin ka qenë nga të njohur e të afërm në Shkodër, një muaj më parë.
Më pas ai nuk është parë. Fillimisht është menduar se ai ka lëvizur për vizita të ndryshme ose mund të kishte shkuar në Tiranë, por mungesa e gjatë ka bërë që të afërmit ta kërkojnë, por pa mundur ta gjejnë. Mësohet se 76-vjeçari nuk ka vuajtur ndonjë sëmundje. A.Dushi