Diel, 05 Korrik 2009 03:09:42

Lexoni versionin Print

Zyrtarët dhe politikanët që nuk paguajnë taksat

Kryeministri Berisha dhe familjarët e tij vazhdojnë të jenë më jo korrektët në zbatimin e ligjit. Me gjithë thirrjen publike për pagimin e taksave vendore, të bërë nga pushteti lokal në muajin dhjetor, familja që qeveris vendin,

Dritan Laci
Merkure, 07 Janar 2009 08:08:00

Fëmijët e çiftit Berisha, vajza Argita dhe djali Shkëlzeni, ashtu si prindërit, nuk kanë paguar taksat në dy vitet e fundit

Kryeministri u bën bisht taksave lokale. I pafuqishëm të bindë edhe anëtarët e kabinetit qeveritar

Kryeministri Berisha dhe familjarët e tij vazhdojnë të jenë më jo korrektët në zbatimin e ligjit. Me gjithë thirrjen publike për pagimin e taksave vendore, të bërë nga pushteti lokal në muajin dhjetor, familja që qeveris vendin, këmbëngul të mos denjojë të adresohet pranë sporteleve të tatim-taksave për të shlyer detyrimet, duke u kthyer kësisoj në shembullin më negativ për qytetarët.

“Ligji dhe vetëm ligji”, batuta e aq shumë pëlqyer dhe trumbetuar nga kreu i qeverisë, është kthyer nga po ai vetë në shprehjen “bëj si të them unë, por mos bëj siç bëj unë”. I pari i Këshillit të Ministrave, që duhet të jetë njëkohësisht edhe respektuesi i parë i ligjit, në vendin që qeveris prej 42 muajsh, ua ka injektuar këtë filozofi edhe anëtarëve të familjes.

Familja Berisha, e përbërë nga kryeministri dhe bashkëshortja e tij, Liri Berisha, nuk ka paguar asnjë taksë vendore në arkat e pushtetit vendor, qoftë në vitin 2007, ashtu edhe në vitin 2008 që sapo lamë pas. Taksat me ligjin për pushtetin lokal duhet të ishin paguar vullnetarisht brenda muajit shtator të vitit 2008, ndërkohë që, nga kjo periudhë e deri më sot, kanë kaluar plot 3 muaj, dhe kryeministri jo vetëm që nuk ka trokitur në zyrën e tatimeve, por nuk ka bërë as gjënë më të thjeshtë, ashtu sikurse veprojnë anëtarët e tij korrektë të qeverisë; në pamundësi të dërgojë shoferët apo shërbëtorët për të firmosur librezën e taksave.

Të njëjtin ves gëzon edhe vajza e kryeministrit, Argita Malltezi (Berisha), e cila sikundër i ati, nuk paguan taksat që nga viti 2007. Banore e njësisë bashkiake Nr. 9, vajza e madhe e kreut të qeverisë, paçka se deklaron pasuri të patundshme vlera të mëdha monetare, tregon se i dhimbsen 15 mijë lekë të rinj, aq sa është gjithë-gjithë shuma që duhet të derdhë për dy vite në arkën e pushtetit lokal.

Në këtë mes nuk bën dallim as djali i vogël i familjes kryeministrore, i cili megjithëse jeton në Suedi, duket se nuk është mësuar t’i qëndrojë sus ligjit. Djali i kryeministrit, Shkëlzen Berisha, i shkëputur nga trungu familjar, vite më parë, është banor i njësisë bashkiake Nr.2 në kryeqytet. Megjithëse ligjërisht rezulton të jetë i ndarë nga i ati dhe vazhdon të jetojë në vendin skandinav, 32-vjeçari duhet të derdhë në arkat e tatim-taksave, detyrimet përkatëse, gjë të cilën nuk e bën, ashtu sikurse familjarët e tij, që nga viti 2007.

Kryeministri Sali Berisha, jo vetëm që është më jokorrekti dhe nuk arrin të bindë familjarët e tij të paguajnë detyrimet ligjore, por është i pazoti të bindë edhe anëtarët e kabinetit të tij, të paguajnë taksat. Fillojmë që nga ministri i Transporteve dhe Punëve Publike, Sokol Olldashi, kandidat në shkurtin e vitit 2007 për postin e qytetarit të parë të Tiranës.

Ministri Olldashi, banor i njësisë bashkiake Nr. 9, nuk ka paguar taksën e ndërtesës, pastrimit dhe gjelbërimit për vitin që lamë pas. Ecim më tej me ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeajn, familja e të cilit, kur po afrohemi dalëngadalë në mesin e muajit janar, nuk ka paguar taksat e vitit 2008.

Në të gjithë morinë e emrave publikë debitorë ndaj pushtetit lokal, dallon dukshëm emri i zv/ministrit të Punëve të Brendshme, që mbulon në këtë dikaster edhe çështjet e pushtetit lokal. Ferdinand Pone, njëkohësisht kryetar i grupit të djathtë në këshillin bashkiak të Tiranës, është i pari që çirret dhe bën moral në aulën ku merren vendimet kryesore për kryeqytetin, për nivelin e ulët të vjeljes së tarifave dhe taksave vendore nga pushteti lokal, por po kështu, në mënyrën më të habitshme, rezulton të jetë vetë borxhli ndaj këtij pushteti. Zoti Pone, nuk paguan taksat vendore që nga viti 2007, ndërkohë që duhet të kujtojmë se jemi në vitin kalendarik 2009.


Nuk shkojnë vetë. I fundit nga deputetët e parë në sportelet e taksave është Neritan Ceka

Shoferët dhe shërbëtorët, shpura hije që paguan taksat e ministrave

Nuk janë të gjithë një kallëp me kryeministrin. Ka edhe nga ata që janë përpjekur të jenë korrektë me administratën lokale, duke i paguar një më një detyrimet vendore. Shembulli më i mirë është Presidenti i Republikës, Bamir Topi, banor i njësisë bashkiake nr.9 në kryeqytet. Qytetari i parë i vendit i ka shlyer detyrimet si për vitin 2007, ashtu edhe për vitin 2008.

Në anën e personaliteteve korrektë ka edhe anëtarë të kabinetit kryeministror, ku vlen të përmenden numri dy i qeverisë, Genc Pollo, si edhe ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Në dallim nga të djathtët në pushtet, opozita duket më e predispozuar për të shlyer taksat. Nëse Astrit Patozi, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, rezulton debitor në dy vitet e fundit, Valentina Leskaj, Kryetare e Grupit të PS-së në Kuvend, ka treguar korrektësinë maksimale në shlyerjen e detyrimeve.

Burime pranë njësive vendore deklarojnë për gazetën “Shekulli” se, kryesisht, personalitetet që kanë shlyer detyrimet, nuk trokasin vetë në sportele, por sjellin kryesisht shpurën e tyre të padukshme. Për shembull, ministrat që kanë paguar taksat kanë dërguar shoferët e tyre, që janë bërë të njohur për zyrtarët vendorë, pasi përdoren rëndom edhe për kryerjen e procedurave të tjera ligjore, sikundër mund të jetë marrja e certifikatave.

Por ka edhe nga ata ministra që, për shkak të angazhimeve të shumta ditore, sjellin në sportele bashkëshortët e tyre. Majlinda Bregu, ministre e Integrimit, njëkohësisht edhe zëdhënëse e qeverisë, sipas informacioneve që disponojmë, ka vetëm pak ditë që ka paguar taksat vendore. Kuptohet, nuk e ka ndërmarrë vetë një veprim të tillë, por ka dërguar pranë njësisë bashkiake Nr. 3 në kryeqytet, bashkëshortin e saj, Namik Ajazi.

Më praktik është treguar nënkryetari i Kuvendit Popullor, Neritan Ceka. Banor i njësisë bashkiake, Nr.1, në Tiranë, kreu i PAD-së, i ka habitur pa masë zyrtarët lokalë, ndërsa në ndryshim nga kolegët e tij, nuk ka sjellë shoferët për të mbaruar punët vendore, por është paraqitur vetë.


Zv/ministrat, kopja e shëmtuar e njëshave

Mungesa e korrektësisë në pagimin në kohë të taksave vendore, vihet re me jo pak shqetësim, edhe në nivelin e dytë të pushtetit ekzekutiv, sikundër janë rangu i zv/ministrave. Në bazë të të dhënave që disponon gazeta “Shekulli”, krahas zv/ministrit të Punëve të Brendshme dhe të Pushtetit Lokal, Ferdinand Pone, debitorë ndaj pushtetit lokal, janë edhe kolegë të tij që mbajnë numrin 2 në dikastere.

Familja e zv/ministres së Punëve, Çështjeve Sociale dhe Shanceve të Barabarta, Marjeta Zaçe, ka paguar taksat vendore për vitin 2007, ndërkohë që nuk e ka bërë një gjë të tillë për vitin 2008. Edith Harxhi, zv/ministre e Punëve të Jashtme, e njohur për lidhjet e saj miqësore me vajzën e kryeministrit, ashtu sikurse Argita Malltezi (Berisha), nuk ka paguar asnjë taksë vendore në dy vitet e fundit.

Lista e zv/ministrave borxhlinj, vazhdon më tej me emra të tjerë. Eno Bozdo, zv/ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës nuk ka paguar taksa që në vitin 2007. Iva Zajmi, zv/ministre e Punëve të Brendshme, po kështu. I fundit në radhën e zv/ministrave jokorrektë, është Petrit Karabina, numri 2 në Ministrinë e Mbrojtjes, vetëm se me një saktësim, pasi zëvendësi i Oketës, ka të papaguar vetëm vitin 2008.


Taksat, kush nuk paguan nuk merr shërbime

Taksat vendore, që duhet të shlyejnë qytetarët, dhe këtu nuk bëjnë përjashtim as ata me kredenciale publikë, janë tre, përkatësisht; e ndërtesës, pastrimit dhe gjelbërimit. Afati i parë i shlyrjes së detyrimeve është muaji shtator. Deri në këtë periudhë gjithçka është vullnetare, pra çdo individ që ka detyrime të tilla, duhet të paraqitet me dëshirë në sportelet e administratës lokale.

Pas muajit shtator, futet në lojë sanksioni ligjor. Asnjë qytetar që nuk paguar taksat vendore në përfundim të muajit të nëntë të vitit kalendarik, nuk përfiton shërbime në administratën lokale, që do të thotë se pa derdhur taksat nuk mund të marrë qoftë edhe një certifikatë, e jo më të kryejë veprime të tjera ligjore.


Detyrimet vendore, 70% e qytetarëve nuk paguajnë

Niveli i vjeljes së taksave vendore, për vitin 2008, është kthyer në shqetësim për pushtetin lokal në kryeqyetet. Në bazë të statistikave që disponon, bashkia e Tiranës, pothuaj 70 për qind e qytetarëve nuk kanë paguar taksat, gjë që ka sjellë probleme në buxhetin e pushtetit vendor. Shifra e mosshlyerjes së detyrimeve është bërë objekt debati edhe në Këshillin Bashkiak të Tiranës.

Kryebashkiaku Edi Rama, ka kërkuar nga ky këshill ndryshimin e formës së vjeljes së taksave, duke ua hequr këtë të drejtë njësive vendore, për t’ia kaluar Postës Shqiptare, e cila ka premtuar realizimin e planit në masën 80 përqind, që në vitin e parë të marrjes në dorë të këtij shërbimi.


Njësitë bashkiake, dhunë ligjore për të vjelë taksat

Problemi kryesor i administratës vendore në kryeqytet, është bërja e njërit sy qorr për individë të veçantë. Jo të gjitha njësitë vendore kanë probleme me vleljen e detyrimeve. Në disa prej tyre, sikundër meriton të përmendet njësia bashkiake nr. 4, tolerimet janë në shkallën zero.

Në këto njësi është vendosur që të mos lëshohet asnjë dokument identifikimi, për personat që nuk janë treguar korrekt në pagesë, gjë që ka sjellë edhe rezultate pozitive. Gjithsesi, në vitin vazhdim, nëse merr pëlqimin nga këshilli bashkiak, pritet që të kemi ndryshime në formulën e vjeljes së taksave, ndërkohë që do të shikohet se sa efikase do të jetë forma e re e zgjedhur nga bashkia.

 

Emër/Mbiemër    Viti 2007    Viti 2008

Bamir Topi              Po              Po
Ndre Legisi             Po              Po
Edi Paloka              Po               Jo
Sokol Olldashi        Po               Jo
Besnik Mustafaj      Po              Po
Blerim Çela             Po              Po
Astrit Patozi            Jo               Jo
Enkeled Alibeaj       Po              Jo
Luan Zhegu             Po              Po
Dritëro Agolli          Po              Po
Nikoll Gjini             Po              Po
Sokol Axhemi         Po              Po
Andis Harasani       Po              Jo
Edmond Spah         Po              Jo
Marjeta (Kushtrim) Zaçe    Po    Jo
Argita Malltezi (Berisha)     Jo    Jo
Diana Çuli                          Po   Jo
Ylli Bufi                              Po   Po
Aldo Bumçi                        Jo    Jo
Aleksander Biberaj            Po    Po
Taulant Dedja                    Po    Jo
Bashkim Fino                     Po    Jo
Skënder Gjinushi                Po    Po
Kastriot Islami                    Po    Po
Gëzim Karapici                  Jo      Jo
Petro Koçi                         Po     Po
Durim Lamaj                      Jo      Jo
Nikoll Lesi                         Po     Po
Valentina Leskaj                Po     Po
Spartak Ngjela                   Po     Po
Paskal Milo                        Po     Jo
Luan Memushi                    Po     Jo
Ermelinda Meksi                Po      Po
Fatmir Mediu                     Jo       Jo
Arben Malaj                      Jo       Jo
Genc Pollo                        Po       Po
Leonard Solis                    Po       Po
Paulin Sterkaj                    Po       Po
Musa Ulqini                       Po       Po
Fatmir Xhafaj                     Po       Po
Preç Zogaj                         Po       Po
Edith Harxhi                       Jo        Jo
Iva Zajmi                           Jo         Jo
Petrit Karabina                  Po        Jo
Neritan Ceka                    Po        Po
Eno Bozdo                       Jo          Jo
Ferdinand Pone                Jo          Jo
Dilaver Laçi                      Jo          Jo
Jemin Gjana                    Po          Po
Pandeli Majko                Po          Po
Ylli Pango                      Po           Po
Ilir Rusmaili                    Po           Po
Sali Berisha                    Jo            Jo
Shkelzen Berisha            Jo            Jo
Erion Braçe                    Po           Po
Besnik Dervishi              Po            Po
Flamur Hoxha                Po            Po
Shpëtim Idrizi                 Po            Po
Ruzhdi Keçi                   Po            Po
Ben Blushi                      Po            Po
Kiço Blushi                     Po            Po
Anila Godo                     Po            Po
Sabri Godo                     Po            Po
Nard Ndoka                   Po            Po

Shënim: Po (paguar) Jo (papaguar)


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

  • ress: - 01-07-09
    zyrtaret dhe politikanet qe nuk kane paguar dhe kane paguar taksat

    epo si do ti pagoje sali kadi berisha me femijet e tij taksat vendore kur ata skane asedhe nje centime ne bankat e tyre more zotrinj.por per hir te drejtesise faljauni se meqe jane ne pushtet skane kohe.mundesi dhe dollare e euro ,me falni leke shqiptare per te paguar.fundja ata per te miren e pergjithshme e kane me shprehjenmos pirdh sic pjerdh une se te merr lumi pastaj.prandaj ju lutem mos flisni se e kemi kryeminister dhe atij dhe familjarve si edhe kolegeve qe si kane paguar u falet se fundja per te miren e shtetit dhe tonen perpiqen.demokracia keshtu e ka i ben ligjet per ata qe skane buke dhe pune,uje dhe drita qe taksat ose ti paguajne ose te vdesin ,kurse per pushtetaret tane te shenjte seshte mire te flasim se ata jane ne pushtet dhe ta ngrene edhe dyfish po te duan taksen e kokes qe ne ti paguajme edhe te tyret pastaj.saliu cirret per drejtesi dhe vete nuk paguan as taksat e qytetit.

  • Fadil: - 01-07-09
    Pergjigje ne vend te Kryeministrir.

    Nigjoni zoteri te gazetaes Shekulli.
    Kam thane dhe perseris perseri. Do zbatohet ligji dhe vetem ligji. Por jo per mue, e familjen time. Ligji do zbatohet per te tjeret. Prandaj ju lutem bani detyren tuaj, merruni me te tjeret jo me mue. Kaq kisha.

  • R.Lyto: - 01-07-09
    KUSH S'KA PAGUAR TAKSAT,PUSHIM NGA PUNA.

    S'KA NEVOJE PER KOMENT, TOLERANCA ZERO.JO ZERO NGA ATO TE SALES.R.Lyto.

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML