Tiranë- Studentët e Fakultetit të Drejtësisë do të zhvillojnë mësim në ambientet e kinemasë së Qytetit Studenti. Vendimi është marrë sot nga senati i Universitetit të Tiranës dhe është njoftuar nga vetë rektori Dhori Kule.
Sipas Kules, së shpejti studentët e fakultetit të Drejtësisë do të kenë një godinë të re, kinoklubin e Qytetit Studenti. Ai ka sqaruar se për këtë vendim është marrë edhe miratimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. “Kinemaja e Qytetit Studenti, ka dy kate me një sipërfaqe prej 1300 metra katrorë secila”- tha ai, duke shtuar se për përshtatjen e këtyre ambienteve do të nisë rikonstruksioni, ndërkohë që godina aktuale e Fakultetit të Drejtësisë do t'i kalojë Fakultetit të Shkencave Sociale.
Vendimi i transferimit të Fakultetit të Drejtësisë, u mor pas evidentimit të rrezikut të shembjes së godinës ekzistuese të këtij fakuteti, si pasojë e realizimit të shtesës së Fakultetit të Shkencave Sociale, pa respektuar parametrat inxhinierikë.
Aktualisht senati i UT-së ka vendosur përkohësisht që 1500 studentët e Drejtësisë ta zhvillojnë mësimin në gjimnazin "Petro Nini Luarasi".