Vetëm për një muaj, ALUZNI ka arkëtuar 94 mln lekë nga pallatet me shtesa pa leje
TIRANË- Janë mbledhur plot 166 milionë lekë të reja, në arkën e shtetit, nga procesi i deritanishëm i legalizimeve. Shifra e të ardhurave të mbledhura vetëm për një muaj, deklarohet nga kreu i ALUIZN-it, Shaban Memia. Ky i fundit ka sqaruar dje për “Shekulli”-n se nga përfundimi i shqyrtimit të dosjeve dhe kalimit për miratim të dhënies së pronësisë së objekteve apo edhe pronave në Këshillin e Ministrave, është përfituar shuma e 166 milionë lekëve.
Ndërkohë që, 94 milionë lekë të rinj janë përfituar nga pallatet me shtesa pa leje. Në bazë të ligjit, pas plotësimit të dosjeve për legalizimin, “pronarëve” të ndërtesës u jepet leja për legalizim. Ndërsa u paraqitet dhe fatura që duhet të paguajnë. Pra, çdokush që kërkon të legalizojë banesën e tij, duhet të paguajë një çmim tregu, që varion nga 20-100 mijë lekë të rinj për metër katror.
Sipas ligjit të Legalizim-Urbanizimit, regjistrimi i shtëpive pa leje bën një diferencim në dy kategori: nën 500 metra katrorë dhe mbi 500 metra katrorë. Për ato sipërfaqe mbi 500 metra katrorë, çmimi varion nga 20 mijë lekë të rinj për metër katror në periferitë e Tiranës, deri në 100 mijë lekë të rinj për metër katror në qendër të saj.
Për ato subjekte pa leje, sipërfaqja e të cilave nuk i kalon 500 metra katrorë, janë përcaktuar tarifa tavan, të cilat variojnë nga 100 deri në 400 mijë lekë. Legalizimi me këto çmime është përcaktuar nga qeveria në bazë të sipërfaqeve. Për objektet që ndodhen brenda vijës së verdhë të Tiranës, me sipërfaqe deri në 300 metra katrorë është caktuar një vlerë prej 400 mijë lekë të rinj.
Në këtë diferencim të fundit, ligji për Legalizim-Urbanizim vendos edhe një kusht të dytë. Bëhet fjalë për mënyrën e përdorimit të këtij trualli për banim apo për aktivitete ekonomike. Në këtë rast, tarifa që duhet të paguajnë qytetarët për të përfituar certifikatën e pronësisë përcaktohet nga çmimi i tregut.
Sipas kreut të ALUIZN-it, deri më tani janë shqyrtuar rreth 80 mijë dosje, ndërkohë që parashikohen të jepen rreth 200 mijë tituj pronësie. Gjatë deklaratave të tij, Shaban Memia ka theksuar se, deri në fund të vitit 2009, do të përfundojë i tërë procesi i legalizimeve. Ndërsa një pjesë e mirë e të ardhurave të përfituar nga ky proces pritet t’i bashkëngjitet fondit të kompensimit të ish-pronarëve.
Fondi fizik për kompensimin e ish-pronarëve do të përbëhet nga tokat e lira juridike, por pjesa që do të mbetet do të jetë kompensim financiar, që do të merret nga paratë e legalizimeve dhe buxheti i shtetit.
Çmimi i shitjes në zonat informale
Për parcela ndërtimore jashtë vijave të verdha
a. Për sipërfaqe deri në 100 m², 100 mijë lekë
b. Deri në 200 m², 150 mijë lekë
c. Deri në 300 m², 200 mijë lekë
d. Deri në 400 m², 300 mijë lekë
e. Deri në 500 m², 400 mijë lekë
f. Mbi 500 m², vlera e tregut
Për parcela ndërtimore brenda vijave të verdha
a. Për sipërfaqe deri në 100 m², 200 mijë lekë
b. Deri në 200 m², 300 mijë lekë
c. Deri në 300 m², 400 mijë lekë
d. Mbi 300 m², vlera e tregut
Shtesat e ndërtimeve brenda vijave të verdha
a. Për sipërfaqe deri në 50 m², 100 mijë lekë
b. Deri në 75 m², 200 mijë lekë
c. Deri në 100 m², 400 mijë lekë
d. Mbi 100 m², vlerës e tregut
Përgatitja edhe njëherë e dokumentacionit vjen si kërkesë e qeverisë dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit
Ish-pronarët, Çelo: Numri i dosjeve, më i madh se në 2007
TIRANË-Regjistrimi i kërkesave nga subjektet e shpronësuara për kompensimin në të holla, është futur në një fazë të dytë, që prej datës 3 Nëntor. Nëndrejtori i AKKP-së, Genci Çelo, deklaroi dje për “Shekull”-in se numri i kërkesave për këtë vit është shumë herë më i madh se ai i vitit të kaluar, sepse këtë vit janë përfshire për kompensim të 12 qarqet.
Ndryshe nga viti i kaluar ku numri i kërkesave ishte 470, këtë vit, deri më tani, numri i kërkesave të depozituara nga ish-pronarët është 314 dhe pritet të arrijë deri në 700. Ndërkohë që afati i fundit i depozitimit të dosjeve është deri në datën 3 Dhjetor. Nënkryetari i AKKP-së tha se numri i depozitimit të dosjeve varet edhe nga interesi lidhur me llojin e kompensimit, pra sa janë të interesuar ish-pronarët për një kompensim financiar apo fizik.
Rasti më tipik është qyteti i Kukësit, ku deri më tani nuk ka pasur asnjë kërkesë, sepse ish-pronarët janë më shumë të interesuar për kompensimin fizik sesa atë financiar. Ndërsa ka pasur kërkesa të vazhdueshme nga qarqet e tjera të vendit. Gjithçka, sipas Celos, po realizohet në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave për miratimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit të pronarëve në të holla, për vitin 2008.
Dosjet
Një nga vendimet e kontestuara këtë vit nga ish-pronarët ka qenë pikërisht përgatitja nga fillimi i dosjes së dokumentacionit, gjë që vitet e tjera nuk është kërkuar për ata ish-pronarë që i kishin dorëzuar njëherë. Nënkryetari i AKKP-së, Genci Celo, sqaroi dje se kjo sërish është një kërkesë e përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave, por edhe një kërkesë e vazhdueshme e KLSH-së.
“Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave përcaktohet dokumentacioni që duhet për tu dorëzuar dhehiqet vetëm taksa si detyrim që çdo subjekt ka për të plotësuar dosjen. Në përgjithësi kjo vjen edhe si pasojë e kërkesës që ka KLSH dhe kontrollet e tjera, që kanë kërkuar, që dosja të jetë e plotëe kjo na bën ne të mbledhim e të kërkojmë dokumentacionin edhe njëherë nga e para”- u shpreh ai.
Procedura
Subjektet e shpronësuara, prona e të cilave është e njohur e gjitha për kompensim, dhe që nuk kanë përfituar nga kompensimet e mëparshme, kompensohen, sipas radhës kronologjike, të përcaktuar nga numri i vendimit dhe data e tij, sipas viteve.
Kompensimi do të bëhet vetëm për deri 200 (dyqind) m2 të sipërfaqes së caktuar për kompensim, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet. Subjektet që kanë depozituar kërkesat e tyre në vitet 2006 dhe 2007 dhe vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk do të paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2008.
Fondi i kompensimit
500 milionë lekë janë vënë në dispozicion të procesit të kompensimit financiar të ish-pronarëve për këtë vit. Megjithëse ky fond duhej të ndahej brenda 6-mujorit të parë të vitit, pritet që ish-pronarët ta përfitojnë vetëm në fund të muajit dhjetor. Për vitin e ardhshëm shuma do të jetë 700 milionë, ndërsa kësaj shume pretendohet se do t’i shtohen dhe të ardhurat prej legalizimeve.
Subjekti duhet të plotësojë dhe të paraqesë, pranë zyrës së AKKP-së në qendër, dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kërkesën për kompensim financiar
b) Deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim
c) Vendimin e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për njohjen dhe kompensimin e pronës, së bashku me planvendosjen përkatëse;
ç) Dëshminë e trashëgimisë;
d) Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të subjektit të shpronësuar;
dh) Fotokopjen e noterizuar të dokumentit të identifikimit (letërnjoftim, pasaportë) ose certifikatën e lindjes së personit, që ka prokurën e përfaqësimit;
e) Mandatpagesën.