Është arrestuar sot nga forcat kundër krimit ekonomik një grua e cila mashtronte njerëzit në këmbim të vizave amerikane ose të kredive bankare.
Hanëme Shandroi, 52 vjeç, dyshohet si supermashtruese, pasi ka arritur të mashtrojë shumë njerëz duke u marrë atyre shuma të konsiderueshme parash. Hetimet kanë nisur pasi në prokurorinë e Tiranës janë depozituar më shumë se 19 kallëzime penale.
Pas vëzhgimeve të hollësishme është bërë e mundur kapja e saj në flagrancë dhe më pas arrestimi. Ajo herë paraqitej si punonjëse e Ambasadës Amerikane herë si punonjëse bankash, duke u mbushur mendjen njerëzve që në këmbim të një vize, ose kredie ti jepnin deri në 160 000 lekë personi.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 52 vjeçares policia gjeti dhe sekuestroi me cilësinë e provës materiale dokumentacionet e mbi 23 personave që kërkonin vizë për të shkuar në Amerikë.