Elbasan- Komisioni i Strehimit pranë Këshillit Bashkiak të qytetit të Elbasanit ka reaguar pas rikthimit të vendimit nga Prefektura për shpërndarjen e 40 apartamenteve të pastrehëve, duke e quajtur atë të pabazuar në ligj.
Kreu i këtij komisioni Kujtim Azbiu ka deklaruar se procedurat ligjore janë ndjekur dhe pikat që justifikojnë kthimin e vendimit nuk janë të bazuara në ligj. “Pika e parë e kthimit është pse nuk ka një rregullore të kryetarit të bashkisë kur ka një ligj për shpërndarjen e apartamenteve i cili është zbatuar me përpikmëri nga ana jonë. Po kështu edhe pikat e tjera ku është mbështetur refuzimi i prefektit nuk justifikon aspak nga ana ligjore rikthimin në këshillin Bashkiak të listës së të pastrehëve fitues”- tha ai.
Azbiu akuzoi gjithashtu prefektin e Elbasanit, Shefqet Deliallisi se po merret me emra dhe jo me vetë procedurat e ndjekura nga Komisioni i Strehimit. Një ndër pikat që është vënë në diskutim nga prefekti për të marrë vendimin e kthimit të listës së të pastrehëve ka qenë edhe mënyra sesi është zhvilluar shorti për shpërndarjen e apartamenteve.
Këshilli Bashkiak pritet të shqyrtojë të hënën edhe refuzimin nga ana e prefektit për të firmosur vendimin e këtij këshilloi duke e kthyer atë për rishqyrtim.