Kryeministri Sali Berisha i propozoi Presidentit të Republikës Zotit Bamir Topi, emërimin në postin e Zëvendëskryeministrit të Zotit Genc Pollo dhe lirimin e tij nga posti i Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.
Gjithashtu, Berisha i propozoi Presidentit Topit, emërimin në postin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës të Zotit Fatos Beja, Dr. i Shkencave Filologjike, si dhe emërimin në postin e Ministres së Shëndetësisë të Prof. As. Dr. i Shkencave Zonjën Anila Godo dhe lirimin nga kjo detyrë të Zotit Nard Ndoka.
Për të zhvendosur vëmendjen e opinionit të gjerë nga fjalori që përdori një natë më parë në sallën e Parlamentit, kryeministri Sali Berisha inicioi në mënyrë të rrufeshme ndryshimet në kabinetin qeveritar. Ndërsa pjesa më e madhe e deputetëve dhe ministrave ishte në gjumë për shkak të seancës parlamentare që zgjati deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm, Berisha po i jepte zgjidhje një tjetër çështjeje. Ai propozoi Genc Pollon, në postin e zv/kryeministrit, ndërsa Fatos Bejën në detyrën e Ministrit të Arsimit. Po ashtu shefi i qeverisë propozoi vajzën e republikanit Sabri Godo, Anilën, në postin e Ministrit të Shëndetësisë, ndërsa Nard Ndoka dhe demokristianët mbetën jashtë ekzekutivit deri në lëvizjet e orëve të vona të mbrëmjes së djeshme.
Negociatat
Ndërsa prej javësh dhe muajsh, zërat publik brenda të djathtës ishin shtuar për ndryshime në qeveri, vetë Berisha u mor seriozisht vetëm dje me lëvizjet në kabinet. Pas mesdite, atëherë kur thuajse shumica e deputetëve të PD-së prisnin surpriza vetëm në muajin Shtator, ai priti në selinë e Kryeministrisë, kryetarin e PDR-së, Genc Pollo dhe nënkryetarin e kësaj partie, Tritan Shehu. Gjatë bisedës, Berisha i propozoi Pollos postin e Nr.2 të qeverisë, pas 3 vjetësh në detyrën e Ministrit të Arsimit. Pollo, i cili ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Berishës gjatë kohës që ai ishte President, e ka pritur ofertën për të qenë tashmë zëvendësi i tij në qeveri. Pas kësaj lëvizjeje, Kryeministri ka zëvendësuar menjëherë Pollon, në Ministrinë e Arsimit, me Fatos Bejën. Ky i fundit, gjatë takimit që Pollo po zhvillonte në Kryeministri, po votonte në mbledhjen e Byrosë Parlamentare, pro marrjes së masave ndëshkuese ndaj deputetit Taulant Balla. Fatos Beja është nën/kryetar i Kuvendit dhe Kryetar i Komisionit të Ligjeve.
Shëndetësia
Ndërsa kandidaturën e republikanëve për Ministrinë e Shëndetësisë, shefi i qeverisë e ka pasur gati. Anila Godo ishte kandidatura e PR-së për të zëvendësuar Nard Ndokën. Por ky i fundit, deri dje në mesditë nuk ishte në dijeni të lëvizjeve të Kryeministrit. Madje Ndoka, si kryetar i një prej partive kryesore aleate të PD-së, nuk kishte pasur asnjë bisedë me Berishën. Kjo situatë paralajmëronte deri dje në mbrëmje, mbetjen jashtë qeverisë të demokristianëve, ndërsa lëvizja e shefit të qeverisë u bë një ditë pas krijimit të grupit parlamentar të “Qendrës”, ku në shumicë janë deputetët e përjashtuar nga PS, të cilët nuk e kanë fshehur mbështetjen që do i japin qeverisë së djathtë më vota në Parlament.
Nagociatat
Negociatat e kryeministrit Sali Berisha me aleatët kanë vijuar deri mbrëmë vonë në Kryeministri. E ndërsa mori konfirmimin e kryetarit të PDR-së, Genc Pollo, për të pranuar postin e Zv/kryeministrit, një tjetër betejë e hapur mbetet pikërisht me dikasterin që PR lakmoi që në fillim, atë të Shëndetësisë. Burime të mirëbesuara deklaruan dje për “Shekullin” se Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, ka zhvilluar mbrëmë vonë një takim të gjatë me Sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Ridvan Bode, i cili është mandatuar nga Kryeministri për të zgjidhur problemet me aleatët.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, njëkohësisht edhe ministër i Financave, Ridvan Bode i ka ofruar demokristianëve vendin e lënë bosh në Kuvend, (Zv/kryetarin) pas emërimit të Fatos Bejës në postin e Ministrit të Arsimit. Pjesë e bisedës ka qenë edhe mundësia e lënies në qeveri e PDK-së duke e kënaqur më një tjetër ministri. Por burimet konfirmojnë se Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka i ka kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm një nga dy postet ministrore; Ministrinë e Kulturës ose atë të Bujqësisë. Ndoka nuk ka pranuar që PDK, me një peshë politike nga e djathta, të mbetet jashtë qeverisë, apo e kundërta, të vazhdojë të jetë në të, por në një post të parëndësishëm.
Pikërisht për këtë arsye, mësohet se negociatat do të vijojnë edhe sot mes tyre për të dalë me një qëndrim të përbashkët. E vetmja gjë që konfirmohet në fakt është se Ndoka gjatë takimit, ka pranuar që të largohet nga Shëndetësia, por ka këmbëngulur në të njëjtën kohë që pesha e demokristianëve në qeveri të jetë e njëjtë. Edhe Sekretari i Përgjithshëm, Ridvan Bode i ka kërkuar Ndokës që të mbetet pjesë e koalicionit të djathtë si një parti e rëndësishme e saj, por nuk ka dhënë asnjë përgjigje për kërkesat e Ndokës, pasi, siç ndodh rëndom në këtë parti, vendimet e rëndësishme i merr vetëm kryetari i kësaj partie dhe kryeministri Sali Berisha.