12 maj, ora 21:13- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani dhe Drejtorja e Përgjithshme e Institutit të Statistikave (INSTAT), znj. Ines Nurja, nënshkruan sot Memorandumin e Bashkëpunimit ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe INSTAT-it. Bashkëpunimi i këtyre dy institucioneve konsiston në shpërndarjen në kohë të të dhënave dhe rritjes së standardeve. Këtë ka theksuar edhe në fjalën e tij sot guvernatori i Banksë së Shqipërisë z.Ardian Fullani, i cili u shpreh se nënshkrimi i këtij memorandumi do të sjellë krijimin e një infrastrukture më solide në bashkëpunimin midis të dy institucioneve nëpërmjet rritjes së standardeve dhe shpërndarjes në kohë dhe me efektivitet të të dhënave. Më tej, Guvernatori Fullani tha: "Nuk mund të ketë ekonomi të zhvilluar pa statistika të zhvilluara".
Nga ana e saj, zj. Nurja nënvizoi se nëpërmjet këtij memorandumi do të sigurohet transmetimi në kohë dhe në formën e duhur i të dhënave statistikore si dhe shprehu gatishmërinë e institucionit që drejton për të mbështetur teknikisht dhe metodologjikisht zbatimin efektiv të këtij memorandumi.
Nëpërmjet zbatimit të këtij memorandumi, Banka e Shqipërisë do të rrisë numrin e produkteve statistikore që merren nga INSTAT-i në kuadrin e vlerësimeve të fazës së re të zhvillimit ekonomik në të cilën po hyn vendi. Në të njëjtën kohë, zbatimi i këtij memorandumi do t'i mundësojë INSTAT-it pasurimin e mëtejshëm të spektrit të të dhënave statistikore me të dhëna nga sektori financiar dhe sektori i jashtëm, të cilat prodhohen nga Banka e Shqipërisë.