Nesër Dita e tyre, por të rinjtë shqiptarë e shohin të ardhmen e tyre jashtë

Publikuar më 07. 12. 2017 nga Dionis Xhafa

“Jam aktualisht në vit të dytë bachelor, po ushtroj dhe punën që më ndihmon me studimet, megjithatë mendoj se do të jetë më mirë edhe po të shikoj mundësi për jashtë”.  Të ardhmen jashtë Shqipërisë nuk e projekton vetëm Arditi, i cili studion në Universitetin e Tiranës por edhe njëkohësisht punon si gazetar pranë një media.  “E bëj punën dhe me pasion dhe më ndihmon të mos ndjej lodhjen por kam dëgjuar shumë nga të rinjtë e tjerë, duke parë dhe shokët e mi sesa të vështirë e kanë që të gjejnë një punë por edhe të gjejnë veten e tyre në vendin tonë”.  Në dëshirën e tij për të jetuar e punuar jashtë kufijve ai ndiqet nga shumë të rinj, për të cilët e ardhmja ne Shqipëri i përball me shumë sfida.  “Momentin e parë që do të më jepet një mundësi, shpresoj në lidhje me arsimimin do të largohem”. “Shikoj jashtë por jo në Shqipëri, më duket e papranueshme. Asryet papunësia dhe çdo gjë tjetër që na rrethon”.

“Unë do të iki në një Universitet jashtë, Shqipëria nuk ka arsim shumë të mirë. Nuk mendoj se do të gjeja ndonjë vend pune këtu apo të gjeja veten time”. Thonë se problemet me të cilat ndeshen në përditshmërinë e tyre nuk janë vetem ekonomike por edhe sociale. Megjithatë për pjesën me të madhe të të rinjve shqetësimi kryesor mbetet papunësia, ndërsa të tjerë që e kanë kaluar këtë sfidë shprehen se pagesat janë të ulta e nuk mjaftojnë për të përballuar jetesën.  “Duke filluar që nga paga, nuk na del deri në fund të muajit”. “Jeta si student, ne që vimë nga rrethet, në Tiranë është goxha e vështirë dhe kemi shumë shpenzime si shtëpia me qira apo dhe jetesa në konvikt. Po prapë po mundohemi ta përballojmë sa të mundemi”. “Papunësia, njerëzit jo shumë të sjellshëm dhe drejtësia mungon shumë”. Por në mesin e tyre ka edhe të rinj të cilët do të qëndronin në Shqipëri e do të kontribuonin për ta bërë atë një vend me standarde të larta jetese.  “Unë jam nga ato tipa që nuk preferojnë të largohen sepse mendoj se në Shqipëri duhet të qëndrojmë nëse duam që të ndryshojë Shqipëria”.  Në 8 dhjetor Shqipëria feston Ditën e Rinise, ditë kjo që duket se do të kremtohet në morinë e problemeve të shumta që rinia has. Sipas të dhënave të INSTAT papunësia në radhët e të rinjve është ne masën 26.4%, ndërsa politika është zotuar për krijimin e vendeve të reja të punës. /Ora News/