“Nëse shumica e shqiptarëve protestojnë, Rama do të rrëzohet”

Publikuar më 11. 01. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Çim Peka

Kryetar i PD-së, Lulzim Basha flet për protestën e ardhshme të opozitës dhe u bën thirrje shqiptarëve t’i bashkohen. Pse nuk arrestohet Tahiri dhe kush e mban në pushtet Rilindjen

I ftuar në emisionin “Fakt” të gazetarit në SYRI.net, kreu i opozitës Lulzim basha ju ka bërë thirrje shqiptarëve që t’i bashkohen protestës së 27 janarit. Basha tha se shqiptarët e kanë në dorë largimin e Edi Ramës. ‘Unë i bëj thirrje çdo intelektuali, çdo shqiptari që të jenë në këtë protestë. Ky njerëzit i trajton si dele, i detyron të shesin votën, pastaj i braktis. Kjo është filozofia e Edi Ramës.

Prandaj kërkesa për pjesëmarrje nuk është as e tepërt dhe as e pavend. Protesta është një mjet i opozitës, ndërsa objektivi është që banditët të shkojnë në burg dhe të zbatohet Reforma në drejtësi, sepse sot nuk kemi reformë në Drejtësi. Sapo u bë kapja e prokurores, u lirua Orest Sota, u kthyen pasaportat, pra kemi një ushtrim të mirëmenduar nga kupola politike, të Ramës, Gjuknurit, Ahmetajt, Çakos, të cilët duan të ndalin drejtësinë, për të ndalur efektet e një drejtësie të vërtetë.

Pra e gjitha kjo që po ndodh ka vetëm një qëllim të mbrojë Edi Ramën. Unë kam bindjen më të thellë se shqiptarët e bashkuar do të largojnë këtë aleancë. Dua t’u them shqiptarëve që kjo qeveri kjo aleancë e krimit me Edi Ramën kryeministër, që është shkaktari i varfërisë, merr fund. Pra është në dorën e njerëzve që të marrë fund. Për të treguar se ky është një pushtet që nuk i takon këtij grupi ujqërish është protesta.

Shqiptarët duhet ta dinë se PD është e vetmja familje vlerash, e cila nuk ka pranuar në asnjë çast të shkelë mbi këto vlera, dhe jo vetëm që nuk i ka shtrirë dorën krimit, por edhe kur i ka shtrirë dorën krimi por e ka refuzuar. PD është një parti që nuk bën kompromis me krimin. Mandati i Ramës është në dorë të shqiptarëve. Nëse shqiptarët vendosin që ky nuk e mbyll mandatin, ai nuk e mbyll mandatin. Nëse shumica e shqiptarëve dalin në 27 janar, jam i bindur që ai do rrëzohet’, deklaroi Basha.

“Rama po paguan faturën ndaj krimit”

Lulzim Basha tha se Edi Rama po paguan faturën ndaj kriminelëve. Basha akuzoi Kryeministrin se i ka dhënë krimit doganat, tatimet, Shqipërinë. “CIA në raportin e saj na thotë narko-shtet. Me mijëra dalje publike të miat dhe të opozitës kanë denoncuar atë që sot po provohen dita-ditës. Ne treguam largpamësi, vizion, program për ta nxjerrë Shqipërinë nga gjendja ku ndodhet sot Shqipëria”, tha Basha. Sipas tij, kur kemi konstatuar krimin në Parlament atëherë morëm nismën për ligjin e dekriminalizimit, që është unik në Ballkan.

“Ende kemi sot të inkriminuar në Kuvend, administratën shtetërore apo në Bashkitë, por nuk ishte pa produkt nisma. Kjo ishte arritja e opozitës, ne bëmë detyrën për të ndërgjegjësuar dhe denoncuar”, tha ai. Basha tha se ka bërë detyrën e tij si kryetar i opozitës, duke shtuar se e ka bërë këtë me pasion. “Një Shqipëri e rregullave të barabarta do të jenë një Shqipëri për të gjithë shqiptarët.

Sot ka vetëm 5 % që janë në krah të Edi Ramës, ndërsa shqiptarët janë kthyer në skllevër”, tha Basha. Sipas tij, Rama thotë që po ndërton shtet, ndërkohë që Tahiri që ka përfituar miliona nga droga nuk lejohet të arrestohet, ndërsa një 22-vjeçar për një cigare hashashi vret veten në burgun e Rrogozhinës.

Arrestimi i Tahirit

Kreu i i PD-së akuzoi qeverinë për situatën e krimit në vend, por jo vetëm. Basha tha se reforma në drejtësi do të marrë formë vetëm kur pas hekurave të jetë ish ministri Saimir Tahiri e krybashkiaku i Durrësit Vangjush Dako. “Banditët në burg dhe jo në qeveri. Kjo është ajo që ne kërkojmë sot. Sot lajmi i ditës është që 1 në 10 fëmijë ha një vakt në ditë. Këto janë pasoja të Ramës me krimin. Zgjedhjet e 25 qershorit provuan se paktin me krimin vazhdoi. Ky është realiteti që kemi 49 % të shqiptarëve që nuk paguajnë faturat e ujit dhe të dritave. Ne jemi për banditët në burg dhe populli në qeveri”, tha ai.