Nëse duam ndryshime, të mbështesim Albin Kurtin si kryeministër

Publikuar më 19. 06. 2017 nga Jola Alimemaj

Prof.Dr.Mehdi Hyseni

Vetëvendosja e meriton të formojë qeverinë, ndryshe do të vazhdojë agonia e gjendjes së mjerueshme ekonomike, sociale, korrupsioni , eksodi, krimi i organizuar dhe lufta për pushtet  mes  klaneve dhe grupeve  antagoniste të subjekteve politike.

Fitoi Albini, fitoi Kosova, fituan vlerat demokratike amerikane dhe evropiane në Kosovë. Ky është mesazhi i përmbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe demokratike  në Kosovë, më 11 qershor 2017, që hedhë poshtë dhe përgënjeshtroi  të gjitha gënjeshtrat, të gjitha akuzat, të gjitha shpifjet, të gjitha intrigat dhe të gjitha manipulimet politike dhe propagandistike të Hashim Thaçit dhe të partnerëve të tij të koalicioneve të ndryshme (vetëm për qëndruar në krye të pushtetit, duke mos zgjedhur mjete dhe metoda diskredituese për eliminimin e oponentëve të tij politikë, siç ishte Albin Kurti), se gjoja Lëvizja Vetëvendosje me Albin Kurtin në krye “ishin antieuropiane dhe antiamerikane”!

Kjo ishte parulla më bizarre  dhe më stigmatizuese e propagandës  së politikës ditore  të thaçistëve dhe të pasrugovistëve për denoncimin dhe për margjinalizimin  e  veprimtarisë politike kombëtare patriotike dhe demokratike  evropiane të Lëvizjes Vetëvendosje me Albin Kurtin në krye (2006-2016). Kjo parullë tingëllonte keq dhe padrejtësisht sikurse akuzat e politikës propagandistike të qeverisë së Serbisë dhe  të serbomëdhnejve të djeshëm dhe të sotshëm me presidentin Aleksandar Vuçiç në krye, duke   e atakuar si “organizatë terroriste”, gjë që nuk ishte dhe nuk është terroriste, por çlirimtare kombëtare dhe antikoloniale, që zhvilloi luftë të drejtë kundër agresorit dhe pushtuesit serb (1989-1999).

Kjo ishte edhe arsyeja, pse Amerika me aleatët e saj të NATO-s e mbështetën luftën e saj të drejtë, duke e ndërkombëtarizuar si faktor legal dhe të justifikueshëm për mbrojtjen e  popullit shqiptar dhe të Kosovës. Mirëpo, në kohë paqeje, disa komandantë të UÇK-së, dështuan në politikë, pikërisht për shkak të mungesës së aftësive të tyre politike dhe për shkak të lakmisë për pasuri të paligjshme dhe të pakufizuar, si dhe për shkak të luftës për pushtet, me çdo kusht, në dëm të interesit të përgjithshëm të shtetit dhe të qytetarëve të Kosovës.

Vetëvendosja fitoi  27%, por kjo nuk do të thotë se qytetarët janë zgjuar nga  “hipnoza” disavjeçare e politikës shfrytëzuese, frikësuese dhe  mashtruese   e  “timonierëve”   të shtetit të Kosovës. Se në çfarë shkalle është vetëdijësuar dhe ngritur politikisht populli i Kosovës, këtë e dëshmoi vota e tij 27%, që ia hodhi Vetëvendosjes, por kjo nuk është e mjaftueshme për ndryshime rrënjësore të pushtetit despotik.

Është e vërtetë se vota demokratike e popullit ( pjesërisht 27%) i tha: -Jo krimit, despotizmit, nepotizmit, keqqeverisjes, korrupsionit, krimit të organizuar dhe padrejtësisë  9-të vjeçare.  Mirëpo, përqindja e votës së tij vetëm 27% në favorin e Lëvizjes  Vetëvendosje  provon se ende  nuk  ka ndryshuar  në tërësi mentalitetin paraprak psikologjik  për t’i qëruar hesapet me të keqen dhe me papërgjegjësinë, me padrejtësinë e mashtruesve,   të shfrytëzuesve, të mafiozëve, të nepotistëve lokalistë dhe provincialistë,

të cilët Kosovën  qe 17 vjet e udhëheqin  sipas skemave piramidale dhe të interesave fisnore bajraktariste dhe krahinariste feudale ( ata që kanë dikë në pushtet janë të privilegjuar, i kanë punët më së miri, asgjë nuk u mungon, përveç vetëdijes, solidarësisë dhe humanizmit), duke falënderuar votës së  “borxhlinjve”  të tyre, që 50% prej tyre ende nuk  ka  ndërruar mendje, as qëndrime për ta ndëshkuar padrejtësinë, krimin dhe korrupsionin-kancerin e shoqërisë  dhe të shtetit të ri të Kosovës si rrjedhim i liderëve burokratë dhe karrieristë me moral të dyfishtë dhe të pangopshëm me pasuri dhe me pushtet (2000-2017).

Vota e zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, nuk ishte as evolucion e as revolucion, por  një  hap pozitiv paralajmërues  për ndryshime të domosdoshme politike në Kosovë, si rrjedhim i pushtetit të kalbur 17-vjeçar (2000-2017). Është më se e vërtetë  kryelideri  dhe deputeti demokrat Albina Kurti me politikën dhe me veprimet e tij racionale  të Vetëvendosjes  (2006-2017) ka ndikuar pozitivisht në krijimin e klimës politike, që qytetari të ndihet i lirë, të ketë vetiniciativë dhe të marrë guximin, që të flasë dhe të demonstrojë botërisht për mbrojtjen dhe për realizimin e kërkesave dhe të drejtave të tij ligjore dhe kushtetuese, që të bëhej subjekt aktiv dhe faktor vendimmarrës  i shoqërisë si pjesë e saj, jo objekt pasiv, vasal (rob i vetvetes)  dhe vegël qorre  e politikave shfrytëzuese borgjeze antipopull, antidrejtësi, antiligj, anti Kushtetutë dhe antidemokraci.

Mirëpo, me gjithë sakrificat dhe me kontributin e madh të Lëvizjes Vetëvendosje  për emancipimin politik dhe demokratik  të qytetarit të Kosovës, edhe sot (2017) nuk ia ka arritur që të paktën 50% t’ia ndryshojë psikologjinë politike të keq ngulitur nga mashtruesit dhe  nga falsifikatorët despotë, nepotistë dhe sektaristë të drejtësisë dhe të demokracisë në Kosovë. Këtë fenomen negativ e treguan edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit 2017, ku qytetarët ende vuajnë nga klishetë e vjetra stereotipe të dëgjueshmërisë, të frikësimit  dhe të nënshtrimit. Ndryshe, nuk do t’i votonin aleancat LDK+AKR-Alternativa, PDK+AAK+Nisma, por vetëm Lëvizjen Vetëvendosje.

-Zgjedhësit i votuan këto aleanca, pse nuk  e kishin të qartë formimin  dhe synimin e politikës së tyre, e cila, që nga aeroplani  “lexohej” se donin të ruanin të paprekur  BËRTHAMËN e regjimeve të tyre të kalbura   paraprake antidemokratike  dhe antiligjore (2000-2017), në mënyrë që të mos ndryshonin asgjë në  “pedagogjinë” dhe në “metodikën”  e kapjes së pushtetit me diktat dhe me forcë, duke përdorur edhe “Srpska listën” si aleat të tyre të koalicionit  në qeverinë dhe në parlamentin e Kosovës, ministrat dhe deputetët  e së cilës nuk e bënë betimin përpara qeverisë, sepse nuk e njihnin  Kosovën si shtet të tyre, por Serbinë.  Kosova, do të ndryshojë vetëm pas “pensionimit” të aleancave të konsumuara politike (LDK, PDK, AAK, AKR)!

Mirëpo, kjo nuk do të ndodhë shpejt derisa qyetarët e Kosovës  të jetojnë me indoktrinimin, me iluzionet dhe me ëndrrat e kota për  idhujt dhe për simbolet  e tyre  fantazmë, që nuk duan të ndryshojnë asgjë  as në superstrukturën e shtetit e as në infrastrukturën dhe mirëqenien e qytetarëve , me  qëllim  që të sundojnë sa më gjatë në pushtet (qoftë edhe me aleanca armiqësore) për t’i lumnuar dhe për t’i siguruar  ekonomikisht, materialisht  dhe përjetësisht trashëgimtarët e tyre, ashtu sikurse në 17 vitet e shkuara (2000-2017).

Edhe pse kjo politikë filozofike antihumane dhe antipopullore nuk ka asnjë lidhje me humanizmin, me drejtësinë dhe me demokracinë, kastat e theksuara  të konsumuara politike nuk ikin nga pushteti, duke i votuar, duke ua mbushur “xhepat” me miliona dhe duke u thurur lavdi   për “heroizmin” dhe për “demokracinë” e tyre; duke u kënduar këngë me çifteli dhe këngë tallava të “ilustruara” me  surealizëm, si dhe të “kurorëzuara” me “bakshish” me para të popullit në dreka dhe në darka nëpër hotele dhe motele të Kosovës, por me ndryshime rrënjësore të lëvizjeve kombëtare dhe demokratike siç është Vetëvendosja me ide të reja dhe me Platformë  kombëtare dhe demokratike evropiane  për  rimëkëmbjen ekonomike dhe  të gjendjes së përgjithshme  sociale të popullit, dhe  për shpëtimin e sovranitetit të shtetit të ri të Kosovës.

Pa ndryshuar mendjen të të gjithë qytetarët e Kosovës, nuk mund të bëhet një kthesë radikale politike, as ekonomike e as e mirëqenies vetëm me një Albin Kurti dhe me Vetëvendosjen, edhe pse këta kanë meritat më të mëdha për freskimin me ide, me pikëpamje, me koncepte, me  veprime konkrete dhe me programe të reja dhe vizionare demokratike dhe paqësore për zhvillimin dhe për  shpëtimin e Kosovës nga  idhujt e mitizuar politikë, nga hajdutët, nga kriminelët dhe nga korrupsionistët etj., të cilët Kosovën e kanë shndërruar në një plaçkë të tyre private personale, familjare, klanore, miqësore, nahijore, ideologjike, partiake dhe tregtare  “ ti mua, unë ty”,  e shumica dërrmuese e popullit në “bisht sorre”, qe 17 vjet ngeli me statusin e pandryshuar të “skamnorit”, si pasojë e votimit të gabuar dhe të mentalitetit të pa reformuar politik.

Populli votoi Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin (27%), jo pse  ka evoluar aq shumë-një shkallë më të lartë të pjekurisë politike (sesa para 9-të vitesh), por, pse u dogj shumë : 50% të varfër, 50% të papunë, me qindra e mijëra të shpërngulur  dhe pa kurrfarë shprese për një të nesërme  më të mirë të mirëqenies. Mirëpo, më 11 qershor 2017, fatbardhësisht, vota demokratike e zgjedhësve provoi se kush është me prirje dhe me strategji politike evropiane dhe amerikane, dhe kush është shkelës, manipulues  dhe përbuzës i këtyre vlerave demokratike universale. Pikërisht ishin ata protagonistë politikë burokratë, të cilët vetë e përmbysën qeverinë dhe Parlamentin e tyre (më 10 maj 2017), me qëllim që  t’i shpallnin zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke shpresuar se sërish, do t’i fitonin zgjedhjet, ashtu sikurse viteve të mëparshme (2008-2017).

Albini do ta shpëtonte  drejtësinë, demokracinë  dhe shtetin e Kosovës, nëse “uralistët” LDK+PDK+AAK+Nisma , do të pajtoheshin me formimin e qeverisë së Vetëvendosjes. Mirëpo, kjo është një pikëpyetje e madhe, sepse LDK-ja dhe PDK-ja janë “parapaguar” të jenë në pushtet me dekada (2000-2017), nuk mund ta imagjinojnë  “mbijetesën” e tyre në opozitë sikurse Vetëvendosja.  Por, siç ka konstatuar me të drejtë luftëtari dhe veprimtari për të drejtat dhe liritë e popullit jugoafrikan, Nelson Mandela:  “Një nga gjërat më të vështira nuk është për ta ndryshuar shoqërinë, por për ta ndryshuar vetveten”.

Ky është ende problem i diskutueshëm dhe i pazgjidhur i qytetarëve të Kosovës, të cilët ende nuk e kanë ndryshuar mentalitetin e  tyre të vjetër për të ndryshuar gjendjen e vështirë ekonomike, sociale dhe politike në Kosovë. Këtë e dëshmoi edhe vota e tyre e gabuar disavjeçare (2000-2017). Fitorja e Vetëvendosjes, e dëshirueshme, por e pamjaftueshme  për ndryshime radikale të superstrukturës së korruptuar shtetërore.

S’ka asnjë dyshim se, merita më e madhe  politike për fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje me 27% të votave (si subjekt i vetëm, jashtë koalicionist zgjedhor), të fituara nga elektorati i zgjidhjeve të parakohshme parlamentare të Kosovës, bërë më 11 qershor 2017, i përket ish-kryetarit të VV-së dhe ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Albin Kurtit, i cili në saje të strategjisë së politikës konzistente vizionare, të përfilljes së drejtësisë dhe të parimit demokratik  në dobi të interesit të përgjithshëm të të gjithë qytetarëve të Kosovës, ia arriti  që (të paktën 27%) ta thyejë mentalitetin destruktiv provinicialist të mahallave, të lagjeve dhe të  nahijave, liderët politikë  e të cilave, në kohë paqeje, u bënë “idhuj”, “faraonë”, milionerë  dhe autoritarë të egër, vetëm duke u thirrur rrejshëm në emër të demokracisë amerikane dhe evropiane dhe në emër të  patriotizmit dhe të drejtësisë sterile.