Neritan Liçaj, i revoltuar ndaj ministres Kumbaro: Tërhiq projektligjin ose jep dorëheqjen

Publikuar më 08. 02. 2018 nga Eno Shkëmbi

Aktori Neritan Liçaj i ka kërkuar publikisht ministres së Kulturës Mirela Kumbaro që të tërheqë projektligjin e ri për artin ose të japë dorëheqjen.

“Ministre Kumbaro..tërhiq atë projektligj të turpshëm ose jep dorëheqjen”, shkruan Liçaj në faqen e tij në “Facebook”.

Një ditë më parë kundër ligjit të ri reagoi edhe aktori Genc Fuga, ndërkohë që është paralajmëruar grevë dhe bojkot deri në ndalimin e tij. Komuniteti artistik pretendon se nuk është konsultuar dhe nuk i është marrë mendim mbi ligjin.

Aktorët thonë se ligji i ri i jep shumë pushtet ministres dhe madje i ndalon artistët të kenë aktivitete artistike pa marrë më herët leje në ministri, edhe në rastin kur financimi është tërësisht privat.

Ditën e martë, është mbledhur anëtarësia e gjashtë shoqatave kinematografike për të diskutuar lidhur me projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10 352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, si dhe projektvendimin e Këshillit të Ministrave “Për riorganizimin e shkollës së lartë jopublike “Marubi…”.