Nënpresidenti amerikan Nike Pence ia ka dalë mbanë sfidave të vitit 2017

Publikuar më 02. 01. 2018 nga Dionis Xhafa

Historikisht, Nënpresidentët amerikanë kanë patur ndikime të ndryshme në Shtëpinë e Bardhë, në varësi të marrëdhënies me Presidentin. Ndërsa administrata e Presidentit Donald Trump përgatitet për vitin e saj të dytë, korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mike O’Sullivan, njofton se si vazhdon të zgjerohet roli i Nënpresidentit Pence. Gjatë disa udhëtimeve jashtë vendit, ndër to edhe një vizitë në dhjetor tek forcat amerikane në Afganistan, Mike Pence ka ndërmarrë rolin e të dërguarit presidencial. Roli i tij është më shumë se sa thjesht simbolik, thotë një historian i nënpresidentëve. “Duket se Nënpresidenti Pence përfshihet në vendimmarrjen në Shtëpinë e Bardhë dhe se merr shpesh përsipër detyra. Në komentet e tij publike, ai shfaqet me lavdërime, ndonjëherë edhe entuziast për Presidentin”, thotë historiani Joel Goldstein, i Universitetit të Saint Louis. …Dhe duket se ai e ka përqafuar këtë mision. Në disa administrata, Nënpresidenti ka pak pushtet. Në të tjera, ai është partner i Presidentit. “Nelson Rockefeller, Nënpresident me Gerald Ford-in, e pati quajtur paisje në gatishmëri. Vepron si nxitësi kryesor dhe ka influencë në Shtëpinë e Bardhë”, thotë Sherry Bebitch Jeffe, e Universitetit të Kalifornisë së Jugut.

Mike Pence nuk ka dukshmërinë e Joe Biden-it apo Al Gore-it, por roli i tij po evoluon. Ai ka marrë detyrën e sqaruesit presidencial. “Kur Presidenti ka bërë deklarata të debatueshme, si p.sh. vënia në pikëpyetje e nenit për mbrojtjen e përbashkët të NATO-s, apo deklaratat për Venezuelën, Nënpresidenti ka dalë në skenë për t’i qartësuar gjërat”, thotë zoti Goldstein. Ai konfirmoi përkushtimin amerikan ndaj NATO-s, si dhe bëri thirrje për masa diplomatike për të ndalur rrëshqitjen e Venezuelës drejt diktaturës. Megjithëse, Presidenti Trump mbështeti kandidatin për në Senat në shtetin Alabama, Roy Moore, i cili humbi pas akuzave për tentativa seksuale me adoleshentë, Nënpresidenti Pence nuk i dha mbështetje dhe shtoi se akuzat ishin shqetësuese. Në dallim nga Presidenti Trump, zoti Pence ka eksperiencë të gjatë politike – 12 vjet si ligjvënës nga Indiana dhe 4 vjet si guvernator i atij shteti. Duke ngushëlluar viktimat e uraganit në Teksas, apo në vizita zyrtare në Argjentinë dhe Australi, zoti Pence po formon rolin e tij si i dërguar presidencial. “Është një rrugëtim i vështirë, ndërsa ai mundohet ta mbështesë Presidentin dhe ta qetësojë atë, ndërkohë që përpiqet të mos përqafojë plotësisht disa prej mesazheve të tij të debatueshme në Twitter, apo deklaratat e herëpashershme që bën Presidenti”, thotë zoti Goldstein. Deri më tani, analistët thonë se Nënpresidenti Pence ja ka dalë mbanë gjatë këtij rrugëtimi të vështirë. /Zëri i Amerikës/