Nënkomisari i Fierit akuzohet nga Prokuroria edhe për një tjetër ngarkesë droge

Festim Lelaj, nënkomisari i Policisë Fieri akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda edhe për një ngarkesë tjetër droge me rreth 350 kg kanabis të dërguar në vitin 2014 nga Porti i Vlorës drejt brigjeve Italiane. Lelaj u prangos të martën pasi dyshohet se ka qenë organizatori i dërgesës drejt Portit të Ankonës edhe të 2.5 tonëve kanabis të tjera në janar të këtij viti.
Hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për nënkomisarin e policisë Fieri, Festim Lelaj, janë shtrirë edhe për një ngarkesë tjetër droge të transportuar me kamion drejt Italisë gjatë vitit 2014. Në atë kohë, Lelaj ishte efektiv në Pikën e Kalimit Kufitar të Vlorës dhe sipas organit të akuzës, dyshohet se lëndën narkotike rreth 350 kg kanabis e ka kaluar në bashkëpunim edhe me shtetasit Aurel Laze dhe Skënder Siqeca nga porti i qytetit bregdetar.
Efektivi i policisë u prangos të martën, ndërsa hetuesit arritën në përfundimin se nënkomisari i policisë së Fierit kishte rolin e organizatorit edhe në grupin që trafikoi 2.5 tonë kanabis në janar të këtij viti nga Porti i Durresit në Ankona. Ngarkesa me drogë do të dërgohej drejt Gjermanisë, ndërsa kamioni me lëndë narkotike ishte vulosur në Portin e Durrësit si mall tranzit, për tu mos u kontrolluar më tutje në portin Italian. Kanabisi ishte zhvendosur drejt Durrësit me dy kamionë të rëndë, teksa vetëm njëri prej tyre kreu kontrollin në skaner në Portin e Durrësit.
Sipas hetimeve, drejtuesi i kamionit Dhimo Koraj, ndërroi targat e rimorkios së pakontrolluar duke i vendosur ato të mjetit të kaluar më herët në skaner. E gjithë skena ishte monitoruar nga kamerat e sigurisë duke u përdorur nga prokurorët si prova materiale. 2.5 tonë kanabis që u kapën nga autoritetet në brigjet e Ankonës ishin fshehur në kamion që transportonte dru.
Pas arrestimeve të së mërkurës, shkon në 12 numri i personave të vënë në pranga për këtë rast ndërkombëtar të trafikut të lëndëve narkotike.

Të tjera

Një farsë kosovare

Nga Agron Bajrami Në Kosovë, ka kohë që nuk përbën kurrfarë befasie kur politikanët shkelin fjalën e dhënë, abuzojnë me…

Abissnet