Negociatat me Greqinë, refugjatët dhe Teatri, Meta: Ja çfarë diskutova me Ramën

Presidenti Ilir Meta ka folur sot për mediat rreth takimit 30-minutësh që zhvilloi dje në mbrëmje me kryeministrin Edi Rama.

“Takimi i djeshëm me Ramën ka qenë normal, janë diskutuar disa çështje, kryesisht lidhur me rëndësinë e çeljes së negociatave, ku shpresojmë në një vendim pozitiv ”, tha Meta në prononcimin për mediat.

Mandej kreu i shtetit shtoi se një ndër çështjet e diskutuara në takim ka qenë ajo e përcaktimit të kufirit detar me Greqinë dhe ZEE-së.

“Natyrisht edhe për ecurinë e negociatave me Greqinë, kemi diskutuar, por jemi në një proces për të marrë vendime të mëtjeshme, pasi Presidenca pret informacione edhe më të plota, sipas standardeve më serioze, që meriton kjo çështje. Shpreh kënaqësinë për konfirmimin e zotit Dedja te Gjykata Kushtetuese, është i merituar. Dua të nënvizoj rëndësinë e vettingut për anëtarët e Kushtetueses. Është e domosdoshme të kemi sa më shpejt një gjykatë funksionale për t’i dalë për zot Kushtetutës së vendit”, vijoi kreu i shtetit.

Pyetje-përgjigje

Thatë që ju duhen më tepër informacione. Çfarë informacionesh ju duhen?

Rama nuk ka ardhur për të më informuar. Ne thjesht kemi bërë një vlerësim të situatës së deritanishme, gjithmonë në respekt të Kushtetutës. Çështja e komunikimit ka qenë me ministrinë Jashtme.

A është diskutuar lajmi se Shqipëria mund të kthehet në kamp refugjatësh?

Nuk e kemi diskutuar këtë çështje. Unë mendoj se çdo vendim duhet të merret me dialog të qeverisë me Parlamentin dhe institucione të tjera, se marrja përsipër një përgjegjësie të tillë është e madhe.

Teatri është diskutuar?

Qëndrimi im si president ka qenë i qartë. Jam i bindur që dialogu është i domosdoshëm, aq më tepër që kryeministri vjen nga komuniteti i artistëve.

Mendoni se qeveria ka bërë mjaftueshëm kundër krimit dhe korrupsionit për çeljen e negociatave?

Mendoj se në cilindo rast çelja e negociatave e ndihmon Shqipërinë për t’i adresuar edhe këto fenomene më mirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet