Në Tiranë, orkestra e kompozitorit të “Zorbas”, Mikis Teodorakis

Publikuar më 16. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Orkestra “Miki Theodorakis” koncert në Tiranë. Nga 1000 vepra, të kompozuara nga Mikis Theodorakis dhe të kënduara nga Beatles, Edith Piaff, Milva, Marinela etj., publiku shqiptar ka mundësi të dëgjojë live ajkën e tyre. Pas vlerësimit të filmit të “Aleksis Zorba” (1964) tre herë me Oskar, Theodorakis njihet në mbarë botën

Orkestra “Mikis Theodorakis”, kompozuar nga vet Theodorakis, në datë 18 nëntor vjen në Tiranë. Në orën 18.00 do të jap koncert në sallën e qendrës kulturore në “Kishën Ortodokse”. Mikis Theodorakis është kompozitori i 1000 këngëve të kënduara nga Beatles, Edith Piaff, Milva, Marinela, Faranduri, Mërkuri etj; i operave e simfonive, por mbi të gjitha kompozitori i “Zorbas”. Filmi “Aleksis Zorba” i vlerësuar tre herë me çmime “Oskar”, bëri që kompozitori i muzikës së filmit, Mikis Theodorakis në vitin 1964 të njihet në mbarë botën.

Kompozitori Vasil Tole e konsideron këtë koncert të rëndësishëm, sepse Mikis Theodorakis është personalitet unik në fushën e artit. Ai tregon se, Mikis e vizitoi Shqipërinë për herë të parë në vitin 1985, por uron që mbase vjen përsëri dhe e përshëndesim për të dytën herë. “Emri Mikis mbart rrënjën MIK dhe shqiptarët i nderojnë, si Miqtë ashtu edhe Zotin”, thotë Tole. Ai mendon se është një kompozitor me krijimtari të jashtëzakonshme, sepse nuk është thjeshtë i këngës, por edhe i operës,  muzikës së filmit dhe i muzikës së dhomës dhe simfonike.

Pavarësisht se prej disa vitesh nuk është aktiv në artistike dhe atë politike, Mikis Theodorakis, vlerësohet si një nga njerëzit me kontribut më të rëndësishëm në Greqi. Ai gjithashtu është konsideruar edhe si një politikan me autoritet, i cili ka kritikuar herë pas here politikën vendase dhe veçmas atë Europiane. Viti 2012-të, vit që ekonomia greke ishte në krizë, një nga kritizerët më të ashpër, i cili themeloi një lëvizje kundër nënshtrimit në Greqi ishte ky autoritet, i cili ndër të tjera tha se: “Jemi duke përjetuar tragjedi kombëtare! Grekët i kanë manovruar pa asnjë arsye në grykë të humnerës”, shkruan DW.

Mikis Theodorakis ka një lidhje shumë të ngushtë me muzikën tradicionale. Janë mbi 1000 këngë; simfoni, opera, muzikë dhome, balet edhe filmi. Këngët e tij, u bënë shumë popullore, aq sa tashmë janë rrënjosur në traditën greke, duke përdorur tekstet e poetëve të mëdhenj të vendit të tij.

Kompozitori Mikis Theodorakis (29 korrik 1925) lindi në ishullin Kios në Detin Egje. Për herë të parë ka kompozuar në moshën 13-vjeçare. Ëndrra e tij ishte muzika, prandaj u regjistrua në Konservatorin e Athinës. Por, gjatë pushtimit të Greqisë nga trupat gjermane Teodhorakis ndërpreu studimet edhe iu bashkua luftës së rezistencës kundër nazistëve. Gjatë Luftës Civile Greke (1946-1949) u bashkua me Frontin e Majtë Popullor. Kompozimi i teksteve të poetit Janis Ritsos janë konsideruar, si revolucion kulturor.

Në prill të vitit 1967 në pushtet u vendos Junta Ushtarake, Theodorakis e arrestuan. Në vitin 1970 e dëbuan pas protestave ndërkombëtare të artistëve Dmitri Schostakovitsch, Leonard Bernstein, Arthur Miller dhe Harry Belafonte. Në vitin 1974 diktatura ra dhe Mikis Theodorakis u kthye në Greqi, duke u  konsideruar ikonë e lirisë. Në Greqi e konsideron “Zëri i popullit”, sepse për padrejtësitë që kalojnë në këtë vend ai reagon përherë. Muzika e tij është pjesë e çdo kemtimi në sofrat greke.

Koncerti

Këngët e kompozuara nga Mikis Theodorakis në Tiranë do të këndohen nga Sofia Papazoglu dhe Kostas Makedhonas në koncertin që do të mbahet në datë 18 nëntor. Por, një ditë më parë, në datë 17 nëntor, ora 19.00 do të realizohet edhe një mbrëmje poetike, që do t’ju kushtohet poetëve, që Mikis Theodorakis i deshi shumë. Arian Naço përfaqësues i Kishës Ortodokse tha se fjalën hyrëse në këtë aktivitet do ta mbajë shkrimtari Minas Vindiadhis.

Aktorja greke Katerina Zafiropulu dhe regjisori shqiptar Enkel Fejzollari do të interpretojnë në të dyja gjuhët; poema të Elitis, Ricos, Livadhitis etj. Gjatë kësaj dite në sallën e Katedrales do të hapet një ekspozitë fotografike, në të cilën do të ketë edhe sende personale të Mikis Theodorakis. Dirigjenti Edmond Dako përsa i përket programit muzikor tha se, në vëmendje do të jenë të gjitha gjinitë, që Theodhorakis ka kompozuar. “ Janë 1000 këngë që Theodhorakis ka kompozuar, pjesa më e madhe poezi të novelistëve, por ajka e këtyre këngëve vjen për fatin e madh të publikut shqiptar në një mbrëmje të vetme, që është dita e shtunë”, shprehet Dako.