“Në Shkodër isha për kanabis jo për bomba”

Publikuar më 12. 02. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Nikoleta Kovaçi

Elbasanlliu i arrestuar si kamikazi i Shkodrës fut në “qorrsokak” policinë dhe prokurorinë.

Endrit Çopja mohon atentatin, por tregon se bënte hapur tregti kanabisi në qytetin verior. Stepet gjykata, ndërsa prokurori këmbëngul: Kemi përgjime.

Tre djemtë e arrestuar në Elbasan për llogari të hetimit shkodran kanë dalë para gjykatës ditën e djeshme. Ata janë paraqitur mjaft të qetë, ndërsa kanë nisur me mohimin e akuzës së rëndë që prokuroria iu kishte vënë. Gjatë dhënies së dëshmive të tyre ata kanë pranuar të qenurit në Shkodër ditën e ngjarjes, por kanë mohuar kategorikisht të kishin lidhje me aktin barbar të shpërthimit të eksplozivit. Sipas të dhënave të para që vijnë nga Gjykata e Shkodrës bëhet me dije se djemtë kanë pranuar që kanë mbërritur në Shkodër për punë të tjera, që lidhen me trafikun e drogës, por asnjëherë për të kryer një sulm të tillë.

Madje i akuzuari si organizator i sulmit të 13 janarit, Endrit Çopja ka folur hapur mbi vizitat e tij në qytetin verior, vizita të cilat ai gjithnjë i ka bërë për të realizuar trafik kanabisi. Prokuroria është gjetur e papërgatitur përballë dëshmisë së Çopjes i cili mësohet se ka qëndruar i palëkundur në sqarimin e tij, sqarim që e ka mbrojtur edhe avokati i tyre, Genc Gjokutaj. Prokuroria dhe policia tashmë duhet të faktojnë gjithçka ka ndodhur atë ditë në lidhje me atë ngjarje të rëndë që ngjason me një sulm terrorist, ndërsa prokurori i çështjes i ka thënë gjykatës se ka përgjime për çështjen e se ato do të bëhen të pranishme në sallën e gjyqit kohë më vonë për shkak të sekretit hetimor. Sipas të dhënave që u thanë menjëherë pas arrestimit u mësua se autorët janë kapur nga kamerat në vendin e ngjarjes dhe prej aty janë fiksuar edhe fytyrat e tyre pretendon akuza. Por ende nuk është i qartë se si atentatorët kanë shkuar të pamaskuar në vendin e ngjarjes, kanë ulur motorin bombë nga mjeti dhe më pas e kanë çuar tek makina e shënjestrës.

Seanca gjyqësore

Në përpjekje për të hedhur poshtë akuzat si autorë të atentatit me eksploziv të 13 janarit në Shkodër, Endrit Çopja dhe Argel Lulaj kanë bërë një deklaratë të pazakontë në sallën e gjyqit ditën e djeshme. Ata thanë se kishin qenë disa herë në Shkodër për të kryer punë të tjera, për të cilat në fakt s’ka asnjë akuzë ndaj tyre, por jo për atentatin ndaj Lulzim Kullës ditën e festës së Policisë. Ndonëse seanca është bërë me dyer të mbyllura mësohet se Endrit Çopja t`i ketë thënë Gjykatës: “Kemi qenë disa herë në Shkodër për të blerë kanabis, por jo për të vendosur eksploziv. Nuk e kemi kryer në sulmin ndaj Kullës. Edhe ai vetë duhet ta dijë se unë s`kam asgjë me të. Pazaret e drogës i kam bërë unë. Ndërsa shokët i kisha për ndihmë në momentin që do ngarkonim mjetin. Ne nuk kurrë nuk kemi kryer akt të tillë dhe kurrë s`mund të kryejmë”! Kështu u tha para gjykatës ndërkohë që është vendosur që të tre djemtë të qëndronin në masën e sigurimit burg pa afat. Kjo deklaratë u konfirmua dje edhe nga përfaqësues të akuzës ashtu edhe nga pala mbrojtëse. Të arrestuarit mësohet të kenë thënë se nuk i mbanin mend datat kur kanë qenë në Shkodër, ndërsa nuk i bënë publik emrat e personave tek të cilët do të blinin drogën.

Hetimi

Prokuroria dyshon se ky pretendim është vetëm një alibi e të arrestuarve, për të ngritur një version paralel mbi arsyet e udhëtimi të tyre në Shkodër. Megjithatë, nuk është ende e qartë nëse organi i akuzës do ta hetojë edhe këtë version, në mënyrë që të bjerë në gjurmët e organizatorëve të trafikut të pretenduar. Avokati Genc Gjokutaj, tha jashtë kamerave për mediat lokale se organi i akuzës nuk kishte prova që të faktonin pjesëmarrjen e tyre në atentatin ndaj Lulzim Kullës, që la 8 të plagosur. Ndërsa prokurori Albert Muçaj tha se kishte përgjime të të arrestuarve, të cilat nuk i paraqiti me argumentin se mund të cenonin hetimin. Ai është shprehur gjithashtu se Çopja dhe Lulaj u identifikuan nga pamjet filmike të disa kamerave të sigurisë së zonës ku ndodhi krimi. Prokuroria pretendon se motoçikleta ku ishte vendosur lënda eksplozive është transportuar me furgon të bardhë nga Elbasani në Shkodër, përpara atentatit. Çopja, Lulaj dhe Serxho Teta, i akuzuar për moskallëzim krimi, u arrestuan nga policia të enjten e javës së kaluar në Elbasan. Prokuroria dyshon se shkak i atentatit janë pazaret e prishura të drogës që kanë nisur që në Itali.

Dyshimet

Ndonëse arrestimi i tre personave që akuzohen për sulmin me bombë në Shkodër ishte një nga arritjet e policisë për këtë vit, në asnjë dalje të tyre nuk u tha se cili ishte motivi për të cilin të rinjtë nga Elbasani kishin udhëtuar deri në Shkodër për të bërë një gjëmë aq të madhe. Madje as nga prokuroria nuk u tha se për se duhej të vriteshin edhe njerëz të tjerë për sa kohë shënjestra ishte i përcaktuar. Edhe pse policia dhe prokuroria kanë dalë bashkë në përpjekje për të qenë të besueshëm në këtë zbardhje ngjarjeje që tronditi vendin, deklarata e ditës së djeshme e autorit të supozuar ka nxjerr në pah edhe njëherë nivelin në të cilën gjendet policia jonë për sa kohë trafiku i drogës bëhet sheshit, si një tregtim fruta-perimesh. Policia dhe prokuroria po punojnë për të mbledhur prova por ka dyshime që sulmi ndaj Kullës të jetë edhe porosi nga një grup rivalësh në Shkodër, grup kriminal shumë i fuqishëm për të cilin edhe ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa foli pak kohë më parë!