“Ne minatorët ndihemi të vdekur mes të gjallësh, zyrtarët e shtetit tallen me ne”

Nga Lindita Bushgjokaj

Minatori rrëfen momente nga jeta e vështirë në minierë, mohimin e pensionit nga shteti pavarësisht 15 viteve punë, përbuzjen dhe talljen nga punonjësit e Sigurimeve Shoqërore, të cilët nuk japin shpjegime për mohimin e të drejtës së pensionit ndaj tyre

Halit Aga, ish-minator prej 15 vitesh, tregon për “Shekulli”-n sakrificat e punës në minierë dhe trajtimin diskriminues ndaj zyrave të shtetit. Ai tha, se sipas ligjit duhet të përfitojë pension me trajnim të veçantë, për shkak se ka lindur në internim dhe të invaliditetit që ka pësuar në punë. Gjatë kësaj interviste, Haliti shpreh dhimbje për vlerësimin tallës nga shteti, i cili i ka hequr të drejtën e pensionit të minatorit. Edhe sot i kujton me trishtim ditët e vështira që ka kaluar me shokët gjatë punës nëntokë, por ndihet i zhgënjyer që puna e tyre nuk shpërblehet. Sipas tij, Zyra e Sigurimeve Shoqërore ia mohon të drejtën e pensionit, sepse duhet të ketë plotësuar mbi 15 vite e dy muaj punë në minierë.

Z. Aga, në çfarë moshë keni filluar punë në minierë dhe sa e vështirë ishte për ju kjo periudhë?

Në minierë kam hyrë në moshën 24 vjeç. Fillova punë me istrukazh(sepse punëtori i sapo ardhur duhej të njihej me problemet dhe sigurinë në punë) më pas punova ndihmës minator. Në vitin 1987 bëra një operacion pasi kalova invalid me 6 orë punë dhe më kaluan në pozicionin e punës së parë, kontrollor cilësie dhe tavaneve, ndërsa me 15 janar të vitit 1993 largohem nga miniera dhe filloj një jetë tjetër.

Pse e konsideroni privilegj punën në minierë?

Sepse nuk kisha ku të punoja tjetër, më duhej të mbaja familjen. Ndërsa im atë, në atë kohë ka qenë luftëtar dhe isha i privilegjuar për atë që quhej biografi. Askush nuk i imagjinon dot vështirësitë që ne, të përndjekurit kemi kaluar.

Z.Aga, ju jeni dëshmitar okular i shumë vdekjeve që kanë pësuar miqtë tuaj. Si jeni ndjerë dhe sa vështirë e kishit të vazhdonit punën?

Edhe sot e kam atë dhimbje të përfytyruar, por ndjej keqardhje që ne, minatorët e minierës jemi krejtësisht të diskriminuar. Njeriu mësohet si me të mirën dhe të keqën. Rreziku në minierë është evident në çdo sekondë dhe frika ishte bashkudhëtarë. Momenti më i sikletshëm që kujtoj, ishte dita kur mbeta në minierë me një grup shokësh dhe kolegu im kuksian na thoshte; “dilni ju njëherë, sepse unë jam i madh dhe e bllokoj galerinë”, këtë moment nuk e harroj kurrë. Ra një ranorë brenda galerisë, por fatmirësisht shpëtuam. Por këtë nuk e kuptojnë këta, që na presin pensionin dhe për ironi jeta jonë është në duart e tyre. Mjerë ata që nuk na vlerësuan kurrë, për këtë ndjej dhimbje, kjo është përbuzje.

Jeni ndjerë i rrezikuar ndonjë moment gjatë punës tuaj në minierë dhe si e keni përjetuar?

Jeta ka shumë rreziqe. Për mua ishte momenti kur u shemb galeria, por askush nuk e beson këtë që do të them: Nuk na ka bërë përshtypje fare, por me shumë kurajë dhe qetësi arritëm të dalim. Njeriu ambientohet dhe kjo është e çuditshme. Ndërsa sot kur e kujtoj them; a do mundem të futem më në minierë? Unë besoj se nuk do guxoja më. Atëherë e shikonim jetën “si një lojë” dhe nuk na bënte përshtypje vdekja, por frika më e madhe ishte krijimi i familjes në rrethana të tilla. Madje, në minierë punonin djemtë më të mirë dhe dinjitoz. E bukura ishte, se ekzistonte sinqeriteti dhe miqësia e pastër me njëri-tjetrin, pasi dhe armik ta kishe, në momentin kur futesh në minierë e harron.

Sa vite keni punuar në minierë?

Vetëm në minierën e Valiasit kam punuar 15 vjet. Aty punojnë rreth 4 mijë e ca punëtorë dhe kanë humbur jetën më shumë se 15 veta. Të gjithë minatorët janë të diskriminuar dhe marrin një pagë qesharake.

Si përgjigjej shteti për minatorët që humbnin jetën në minierë?

Unë po të them rastin e vdekjes së një punonjësi në vitin 1983. Familjes së tij i dhanë shtëpi në Tiranë dhe i lidhen pensionin. Ne sot, “jemi të vdekur mes të gjallësh”, sepse me ne që jemi gjallë tallen ca provinciale, që nuk e kanë pasur kurrë idenë se çfarë është miniera. Unë kam bërë luftë të madhe për pensionin dhe sot ma kanë hequr. Në vend që të përfitoj pensionin, një nga zonjat e sigurimeve shoqërore më dërgon një shkresë, përmes së cilës më kërkohen edhe dy muaj, pasi duhen mbi 15 vite e gjysmë punë. Unë këtë shkresë e dërgoi në drejtorinë qendrore. Përfitoj pension me trajtimin me veçantë, sepse kam lindur në internim. Jeta jonë është e dhimbshme!

Pse ta kanë hequr pensionin?

Nuk japin asnjë shpjegim. Unë i kam dërguar një shkresë Zyrës së Sigurimeve Shoqërore, me datë 14.02.2018 dhe nuk më kthejnë përgjigje, por i shkruan avokates së popullit, se “z.Halim Aga ka përfituar pension minatori i kategorisë së parë, me datë 16.12.2011”, por nuk është e vërtetë. Jo më kot them, se “jemi të vdekur për së gjalli”. Tallet një zyrtare e rëndomtë që ka zënë rrënjët në një pozicion punë që nuk e përfaqëson denjësisht. Mendoj, se zyrtari duhet të jetë tepër korrekt dhe solid në punën, pasi shteti duhet të jetë në mbrojtje të qytetarit, jo në sulm të tij. Ndërsa këta për të mbuluar pisllëqet e veta, na sorollasin neve që kemi punuar dhe që me të drejtë na takon pensioni. Një zyrtar i rëndomtë më thotë; “ligji kërkon që të kesh mbi 15 vite punë në minierë”, ndërsa unë i them; “zotëri unë e përfitoj me 11 vite e gjysmë sepse jam me trajtim të veçantë dhe ky është ligji.

Si ndiheni me këtë trajtim që ju bëjnë zyrat e shtetit?

Një miku im, i cili nuk jeton më, më thoshte; “me këta njerëz mbyt fjalët në ujë” dhe ne po trajtohemi në mënyrën më të dhimbshme, më të sikletshme, diskriminuese dhe më tallëse. Unë nuk i kuptoj, se çfarë kërkojnë këta njerëz, prandaj ndjej vetën të “vdekur mes të gjallëve”.

Cila është kërkesa juaj?

Unë kërkoj që më e pakta të na shikojnë me një sy. Të punosh kaq vite në miniere dhe të mos marrësh pension, kjo është e tmerrshme, nuk ka vlerësim për minatorët.

Shkresat: Zyra e Auditit të Brendshëm miraton pensionin, ndërsa DSSH e rrëzon poshtë

Sipas një shkresë të datës 31.07.2015, ku drejtoria e e Auditit të Brendshëm i komunikon Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, se z.Halim Aga plotëson kushtet për pension pleqërie të kategorisë së parë dhe i drejtohet Zyrës e Sigurimeve Shoqërore që të zbatojnë vendimin. “Nisur nga shkresa nr.6370 prot, datë 31.07.2015 të z.Halit Ramazan Aga, cili kërkon të përfitojë pension pleqërie të kategorisë së parë si ish-punonjës nëntokë, sipas neneve 31 e 92 të ligjit 7703, datë 11.05.1993 për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë, kontrolluam praktikën dhe konstatuam se: Z.Halit Aga ka përfituar trajtim të veçante si ish-minator sipas Ligjit nr. 8685, datë 09.11.2000 “për një trajtim të veçante të punonjësve që kanë punuar në miniera nëntokë” nga data 16.12.2000 deri në datën 30.06.2008, datë në të cilën ka filluar punë. Gjithashtu z. Aga ka përfituar pension invaliditeti të grupit IV-të sipas ligjit nr.4171 datë 13.09.1966. Duke marrë parasysh faktin se në dokumentacioni i minierës së Valiasit është jo i plotë, regjistrat e kësaj e kësaj minierë nuk disponohen të gjithë nga ana e arkivës dhe bordero nuk ka.

Bazuar më sipër z.Halit Aga plotëson kushtet për të përfituar pension në kushtet e kategorisë së parë në miniera në nëntokë, siç përcakton Ligji nr. 7703 datë 11.06.1993 i ndryshuar”, thuhet në shkresë. Ndërsa drejtori i Drejtorisë së Sigurimeve Shoqërorë, Leonard Kuçi, përmes një shkresë, sqaron se e drejta për pension pleqërie ka lindur me datë 14.04.2011 dhe sipas ligjit 7703 për të përfituar pension të kategorisë së parë duhen plotësuar 15 vjet e gjashtë muaj punë. “Në mbështetje të dokumentacionit që administrojmë për në dosjen e z.Halit Aga ju sqarojmë; e drejta për pension pleqërie ka lindur me datë 14.04.2011. Për të përfituar pension pleqërie në raport me kërkesat e ligjit 7703, datë 11.05.1993, pension të kategorisë së parë, duhet të ketë 31 vjet punë dhe nga këto 15 vjet e 6 muaj. Vjetërsia e nëntokës e konfirmuar është 15 vite e 2 muaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Dyert e mbyllura

Nga Enver Robelli Ka 100 arsye për të kritikuar politikat e Bashkimit Evropian ndaj vendeve të Ballkanit. Në vitin 2003…

Abissnet