“Në libër ka një zinxhir vrasjesh, rezulton se është vrarë pothuajse çdo vrasës”

Publikuar më 12. 11. 2017 nga Eno Shkëmbi

Brunilda Gorovelli

Një tjetër libër vjen këtë herë nga gazetari Roland Qafoku, i cili është fokusuar këtë herë mbi vrasjet e kryera në shtetin shqiptar. Qafoku rrëfen në këtë intervistë të gazetës Shekulli punën e gjatë dhe përkushtimin në thellimin e shumë ngjarjeve të rënda të ndodhura në vendin tonë për të sjellë një libër të mirfilltë të kronikës së zezë.Është një përvojë e akumuluar ndër vite që falë edhe natyrës sime sistematike duke krijuar dosje të veçanta dhe mbajtjen e ditarit si gazetar, kam arritur që të dy projektet ti realizoj”, shprehet Qafoku. Në këtë libër ai ka përzgjedhur 100 vrasje të cilat janë konsideruar si më të bujshmet e ndër to mund të përmendim vrasjen e gazetarit Sali Nivica apo vrasja e Esat pashë Totpanit, për të cilën autori nxjerr në libër disa pika të errëta të ngjarjes.

Pas botimit të librit i “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë, nga Ismail Qemali te Edi Rama”, në 2015 këtë vit ju vini me një tjetër libër… Këtë herë i fokusuar mbi vrasjet, kryesisht të personazheve politikë…

Së pari ju falenderoj Brunilda për interesimin e treguar dhe për intervistën. Është e vërtetë që dy vjet më parë unë botova librin “Historia e 33 kryeministarve të Shqipërisë, nga Ismail Qemali te Edi Rama” dhe tani pas 2 vjetësh po nxjerr librin e dytë “100 vrasjet më të bujshme të shtetit shqiptar”. I pari është një libër i mirëfilltë politikë dhe i dyti libër i mirëfillitë i kronikës së zezë. Por të dy, edhe pse janë studime të mirëfillta, kanë të përbashkët pikëvështrimin gazetaresk. Është një përvojë e akumuluar ndër vite që falë edhe natyrës sime sistematike duke krijuar dosje të veçanta dhe mbajtjen e ditarit si gazetar, kam arritur që të dy projektet ti realizoj. Libri “100 vrasjet..” lidhet edhe me faktin që unë e kam nisur karrierën tim si gazetar i kronikës së zezë. Në shumë vrasje pas vitit 1990 unëkam qenë në vendngajrje dhe më pas jam marrë gjerësisht me ndjekjen e hetimit të tyre. Kjo më ka ndihmuar shumë. Por një element që më ka nxitur kanë qenë edhe librat që kam lexuar. Në bibliotekën time janë me dhjetra librat me subjekte të tilla. Gazetaria amerikane ka shembuj fantastikë dhe ato libra unë i kam për zemër.

Përse zgjodhët këto 100 vrasje dhe jo të tjera?

Natyrisht çdokush mund të bëjë një listë të vetën. E marr me mend se dikush mund të pyesë përse këtë dhe atë, përse duhet ky dhe nuk është vendosur ky. Por unë përzgjodha këto 100 vrasje. Ky është mendimi im dhe kaq. Kam bërë një përzgjedhje në fakt pasi jam konsultuar me shumë studiues, gazetarë, historianë dhe miq dhe kolegë dhe në fund fiksova këta 100. I fundit që jam konsultuar është edhe studiuesi i njohur Artan Lame, i cili ka shkruar edhe parathënien. Më kujtohet në një nga këto biseda që më tha: Kaq është. Nëse bën listën, ke bërë librin.

Përse vrasin shqiptarët?

Kjo është pyetje profesioniste. Janë disa arsye por më e shpeshta është se shqiptarët vrasin për hiçgjë. Për një fjalë goje, për sedër dhe më shumë se kaq shqiptarët vrasin për tu treguar të fortë. Së dyti vrasin për hakmarrje. Oo sa e shpifur sepse ka vrasje edhe për shkak se dikush ka vrarë, por ka vrasje edhe pse dikush ka pushtet dhe pasuri. Nëlibër ka një zinxhir vrasjesh që rezulton se është vrarë pothuajse çdo vrasës. Është vrarë Osman Bali që vrau Hasan Riza Pashën. Është vrarë Esad Toptani që vrau Riza Pashën, Nexhati Libohovën e të tjerë. U vra Avni Rustemi që vrau Esad Pashë Toptanin. U vra Baltion Stambolla që vrau Luigj Gurakuqin etj. Sa për idealizëm janëshumë të rralla rastet kur shqiptarët vrasin. Përjashtim bën vrasja e Esat pashë Totpanit edhe pse në libër unë nxjerr disa pika të errëta të asaj vrasje.

Libri juaj vjen në dy momente të rëndësishme për vendin tonë, nga njëra anë 105 vjetori i Pavarësisë e nga ana tjetër vendi ynë së fundmi është përfshirë nga vrasje të ndryshme… Është e rastësishme?

Jo nuk është e rastësishme. E kam nxitur veten që këtë libër ta nxjerr për botim në 105 vjetorin e pavarësisë. Në fakt zyrtarisht, përvjetor më të vagullt nuk kam parë asnjëherë. Kryeministri Rama ka shpallur vitin tjetër si vit të Skënderbeut por për mendimin tim më mirë të merrej me 105 vjetorin e pavarësisë më parë. 28 nëntori 1912 është një ngjarje që na bën krenarë për një arsye mbi të gjitha arsyet sepse ata 42 delegatë dhe firmëtarë e dëshën Shqipërinë kur nuk kishte fare Shqipëri. Janë realisht etërit themelues të shtetit dhe kombit shqiptar. Dhe që një pjesë e atyre firmëtarëve u vranë.

Prej sa kohësh keni punuar për librin?

Për më shumë se 20 vjet unë kam hartuar 100 dosje të veçanta për secilën vrasje. Në këto dy dekada i kam mbushur dosjet me shkrime, gazeta, dokumente, dëshmi e deri objekte personale që kanë mbajtur autorët apo viktimat. Dhe pasi i kisha të plotësuar për afro dy vjet, e shkruajta librin. Pra nuk mund të përcaktoj kohë të saktë sepse ka qenë një projekt në vazhdimësi. Por dua të theksoj se më ka ndihmuar shumë fakti i të qenit sistematik. Ata që më njohin dhe kanë punuar me mua ma dinë këtë element.

Keni hasur vështirësi në gjetjen dhe studimin e materialeve?

Por natyrisht. Por e theksova më lart, paralelisht me punën e përditshme si gazetar në këto 20 vjet kam punuar të kem disa projekte në mendje duke hartuar dosje të veçanta. Duke shtuar edhe bibliotekën time ato përbëjnë thesarin tim. Një element tjetër është edhe arkiva ime personale. Por edhe puna e bërë në arkivat e disa institucioneve. Janë disa në fakt si Arkivi Qendror i Shtetit dhe arkivat në disa dikastere sidomos ai i ministrisë së Brendshme.

Sa i lirë është gazetari në marrjen e informacioneve për vrasje që kanë qenë të bujshme për historinë e vendit tonë?

Kjo është relative. Për mua ka pasur raste që ka qenë shumë e vështirë por ka pasur raste edhe shumë e lehtë. Dikur ishte e rëndësishme për një reporter të kronikës së zezë të siguronte komunikatën ditore të policisë. Nga përvoja ime kur arrija ta kisha në dorë atë komunikatë më dukej sikur kisha kapur scoop-in më të madh. Sot kjo komunikatë është bërë e pavlefshme. U shërben vetëm gazetarëve dembelë.

Cili material, dëshmi apo ngjarje mbi vrasjet e ndodhura në vendin tonë ju ka çuditur?

Nuk ka ngjarje dhe vrasje që nuk të çudit. Por, gjatë punës për librin mund të them se disa vijnë me detaje për herë të parë të plotësuara. Fjala vjen, mes tyre është vrasja e 2 amerikanëve në Mamurras në prill të vitit 1924 për të cilin ambasadorit amerikan në atë kohë tha se “Shqipëria bëri 100 vjet prapa”. Në fakt më rezulton se ka qenë vepër e shërbimit sekret serb. Dhe në disa vrasje të tjera shërbimi sekret serb ka pasur dorë. Në disa raste direkt dhe në disa raste duke krijuar trazira,  rrjedhimisht destabiliteti ka sjellë krime. Por, vrasje kanë inskenuar edhe shërbimi sekret grek e deri ai italian. Janë çështje vërtetë të ngatërruara që unë jam përpjekur ti zbardh në këtë libër.

Nëse bëni një krahasim me vrasjet e ndodhura në periudha të ndryshme kohore në vendin tonë. A mund të themi që politika është e përfshirë indirekt? (vrasje ne politikë apo biznes)

Në këtë libër nuk trajtohen vetëm vrasje politike. Janë edhe vrasje të karaktereve të tjera por buja e tyre ka qenë e madhe. Fjala vjen vrasja e gazetarit Sali Nivica ishte në plan të parë si një vrasje për një fjalë goje, por kjo është një nga vrasjet më të bujshme që ka ndodhur. Megjithatë, edhe këto lloj vrasje kanë pasur edhe elementin e tyre politik. Në rastin e Nivicës autori u nxit shumë sidomos nga disa diplomatë italianë.

Referuar ngjarjeve të fundit në vendin tonë… kudo flitet për banda. Mund të jenë ato një arsye e vrasjeve të ndodhura?

Në 105 vjet, shteti shqiptar ka pasur plot ulje e ngritje, male e hone. Në asnjë periudhë, Shqipëria nuk ka qenë një shtet i stabilizuar. Edhe në këto 27 vjet pas rrëzimit të komunizmit situata e kriminalitetit ka qenë e rëndë. Mjafton të themi se nga viti 1990 deri më sot janë vrarë 7 mijë persona, a thua se kemi qenë në luftë. Përse kanë ndodhur kjo? Për shumë arsye por më kryesorja është mungesa e shtetit ligjor. Trafiqet, korrupsioni, dobësia e shtetit sjellin vrasje dhe banda. Prandaj edhe sot ne flasim për banda sepse ato janë rezultat i problemeve në 27 vjet.

Kryesisht në vendin tonë vrasjet mbesin mister, pra nuk zbardhen ose zbardhen shumë pak. Bazuar në materialet e studiuara nga ju ka ndonjë të dënuar për vrasjet e bëra?

Jo. Nuk mendoj kështu. Mua më vjen të qesh kur një ministër i Brendshëm apo drejtues i policisë mburret se kanë rritur përqindjen e zbulueshmërisë. Në 105 vjet shtet asnjëherë nuk ka qenë problem zbulueshmëria e krimit. Ato është vërtitur në shifrën 80 për qind e lart. Kur ndodh një vrasje edhe polici më me pa eksperiencë e di që të paktën në rrugë operative do ta zbulojë. Jemi shoqëri e pashembullt në këtë drejtim. Të gjithë tregojnë nën zë, por pa u dalë emri dhe fytyra për çfarëdo që bën komshija deri te krimet. Madje edhe vullnetarisht. Por ama kur vjen puna në gjykatë shumica thotë: ç’më duhet mua! Tregon shumë kjo për ne si popull. Prandaj në listën e 100 vrasjeve që unë kam në libër shumë të pakta janë vrasjet pa autor.

Si do e komentonit ju drejtësinë shqiptare dhe punën që bëjnë uniformat blu?

Drejtësia ka qenë pushteti më problematik për shumë arsye. Por më e rëndësishmja është se politika gjithnjë e ka synuar ta ketë të nënshtruar dhe e ka arritur atë. Ai politikan që deklaron se e ka lënë drejtësinë të bëjë punën e  vet, gënjen. Mjafton të them se deri më sot, nga 7 kryeprokurorë që ka pasur Shqipëria pas vitit 1990, vetëm Ina Rama ka mbaruar mandatin. Të gjithë të tjerët janë shkarkuar. Madje kryeprokurori Maks Haxhia qëndroi në detyrë vetëm 3 muaj sepse nuk pranoi të merrte urdhra. Çfarë tregon kjo?

Po media sa kontribuese është në rastin e ngjarjeve të tilla?

Unë jam i parimit më mirë një media me abuzime se sa abuzime pa media. Ne gazetarët jemi pjesë e shoqërisë shqiptare. Mirë apo keq, ne jemi si gjithë segmentet e tjerë të kësaj shoqërie. Kur në rrjetet sociale sulmohet media mua më vjen një pyetje në mendje: Por mirë more njerëz përse kur keni një hall me vrap shkoni në redaksitë e televizioneve dhe gazetave? Pra, shoqëria nuk bën dot pa median dhe pa gazetarë. Kjo nuk është pak.