“Në kohën e Enverit ka pasur më tepër shira, por nuk ndodhnin përmbytje”

Publikuar më 06. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Specialisti i bujqëisë Mehmet Bogdani në një intervistë për “Shekulli”-n,  tregon dëmet që ka marrë toka pas vërshimit të lumenjve, duke dhëne edhe këshillat, lidhur me çfarë duhet të bëjnë fermerët pas kësaj ndodhie.

Z. Bogdani, tanimë pas përmbytjeve kemi nevojë të dimë çfarë ndodh me bimësinë dhe tokën bujqësore? Çfarë dëmesh lë pas vërshimi i ujit?        

Sot, jemi në fillim të dhjetorit. Çfarëdo që është mbjellë që tani, asfiksohet, mbaron, vdes. Nuk flet njeri për këtë. Nuk kanë çfarë i bëjnë, ose kanë çfarë i bëjnë, në një farë mase nëse ikën uji brenda 24 orëve, një pjesë e asaj bimësie që u mbyt shpëton dhe do shërbim. Është njësoj si një i sëmurë. Nuk flet njeri për këtë punë. Sikur tokat kanë qenë të gjitha të pambjella. Por, nuk është kështu. Pra, nuk ka një mendim apo një shqetësim se çfarë do të bëhet me bimën që u dëmtua.

Po me atë bimë që u zhduk, çdo bëhet? Këto toka meqë janë në bregdet, një pjesë e mirë e tyre, kanë në përbërjen e vet, kripëra, se nga bonifikimet kanë dalë. Gjithë ajo punë që është bërë për të larguar kripën në vite, tani zhvlerësohet e gjitha. Sepse në shtresa të thella, këto toka kanë shtresa kripe. Duke u lidhur uji sipërfaqësore, me atë nëntokësor dhe me shtresat e kripës, ajo fillon dhe del në sipërfaqe. Pra, dëmi është kolosal sepse rikripëzohen në një farë mase, rikënetizohen sepse në një pjesë e këtyre tokave pothuajse nuk do t’u ikë uji, ose nuk do ikë shpejt, kjo do të thotë që do kthehen në moçale.

Po fermerët çfarë duhet të bëjnë në këto raste?

Fermerëët vetë në këtë rast janë të pafuqishëm, në një farë mënyrë, për të mos e bërë fatalitet, po themi në një farë mënyre, sepse janë të dobët ekonomikisht. Janë të dobët nga pikëpamja materiale. Duhet hequr uji një orë e më parë, por këtë nuk e heq dot fermeri. Këtë duhet ta bëjë detyrimisht shteti. Tek ne ka një difekt të madh dhe nuk është se kështu e do ekonpmia apo sistemi. Ky difekt është se njëra apo tjetra parti në një farë mënyre kanë punuar me hile për vete dhe me hile për populin  dhe Shqipërinë, sepse duhet detyruar fermeri të bëjë sigurimin  vullnetar të parcelës apo shtëpisë.

Edhe në sistemin e Enver Hoxhës nuk të detyronte të bëhej sigurimi, por nëse sigurimin  nuk e bëje, e dije se po të ndodhte fatkeqësi natyrore, shteti nuk kishte përgjegjësi. Ne, sot me këtë sistem, i cili është sistem për vota, sepse e dëmton, duhet të paguajmë të tërë ne qytetarët tërë ato shpenzime, nevoja dhe halle. Pse duhet ta bëjmë këtë? Se duket sikur e bën qeveria. Ajo nuk i merr nga xhepi paratë, i merr nga buxheti, ua merr bizneseve, qytetarit, naftëtarit. Në të vërtetë nuk duhet të jetë kështu. Por, ne kështu e kemi çuar mentalitetin e fermerit, që po u dëmtove të paguan shtetin. Duhen bërë kontribute në prodhim dhe banesë, që në këto situata të jetë fondi i solidaritetit. Është njësoj si sigurimi i automjeteve apo për pensione

Çfarë veprimi duhet të bëjë shteti shqiptar që këto përmbytje të mos përsëriten më?

Lumenjtë, përrrenjtë në shqipëri kanë qenë. Shqipëria ka qenë dhe e pabonifukuar dhe e kënetizuar. S’ ka pasur përmbytje të këtyhre përmasave. Nuk është e vërtetë se këto shira nuk kanë rënë asnjëherë. Lumenjtë këtu kanë qenë, por janë prishur digat. Ajo si çdo gjë tjetër amortiozohet. Kanë mbi 50 vite që janë bërë. Prandaj, s’kishte përmbytje të këtyre shkallëve ai sistem. Sepse ishin ende diga të reja. Amortizimi ishte i vogël.

Nuk bënte vaki të mos pastroheshin kanalet. Më shumë se kushdo në vend e them me përgjegjësi maksimale, sepse unë kam qenë në Fier dhe e di shumë mirë çbëhej me përmbyjet dhe pastrimin e kanaleve. Sot, nuk pastrohen kanalet. Dëmet që ka pësuar toka nga përmbytjet nuk i riparon kush. Ato i ka në kurriz ai fermeri që sido të punojë i është prishur struktura. Duhet të gjenden mekanizma që të mirëmbahen digat dhe kanalet kullues, në mos më mirë seç ishin në atë sistem, t’i afrohen atij sistemi.