Në emër të gruas “Metropoli” dhuron gjak, Beqo: Kjo shoqëri i ka shumë borxhe gruas shqiptare!

Foto 1 nga 3 Pas Para

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gruas Teatri Metropol zgjedh gjuhën e humanizmit për të treguar kontributin që një grua mund të jap në shoqëri. Jonida Beqo shprehet se angazhime të tilla nxisin reflektime rreth të qenit grua në Shqipëri

Anila Dedaj

Çdo grua ka diçka për të thënë e mund të jap kontributin e saj për një shoqëri më të mirë. Është ky mesazhi që vjen prej Teatrit Metropol, që në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gruas zgjodhi të flas për forcën e saj, përmes gjuhës së humanizmit. Stafi i Metropolit, për ata që kanë nevojë, ka dhuruar dje gjak, duke treguar se një grua edhe përmes gjesteve të vogla, ndikon në krijimin e një komuniteti më të mirë. Janë solidarizuar në një akt të tillë edhe kolegët meshkuj, për të luftuar steriotipet e shoqërisë shqiptare, veçanërisht të burrave. Për drejtoreshën e këtij institucioni Jonida Beqo, angazhime të tilla ndikojnë sadopak për të ndryshuar mënyrën e perceptimit të figurës femërore dhe rolit të saj në shoqëri, veçanërisht në shtresat që kanë më tepër problematika sociale e ku haset më shpesh dhuna e gruas. “Jo vetëm kaq, çdokush nga ne, mund të bëjë më shumë edhe për të pasur një tjetër perceptim përsa i përket kompetencave e aftësive që mund të ketë një kolege femër, në pozicione të ndryshme të punës”, shprehet Beqo.

Dhurohet gjak në “Metropol”. Si lindi kjo iniciativë?

Iniciativa lindi si ide e kolegëve të sektorit të marrëdhënieve me publikun. Është një formë reagimi që konsiston në atë që ne mund të bënim për 8 Marsin, përtej perceptimit të një feste tradicionale. Sigurisht që as në konceptimin Festiv të Ditës Ndërkombëtare të gruas nuk ka asgjë të keqe, pasi është diçka pozitive që së paku një ditë në vit gratë të mblidhen e të kalojnë mirë me shoqërinë e tyre. Mirëpo duke pasur parasysh klimën sociale dhe impaktin që ka mbi gratë e të gjitha shtresave në Shqipëri sot, mendoj se duhet shkuar përtej kësaj. Duke nisur nga angazhimi për të ndryshuar mënyrën e perceptimit, që nga shtresat që janë më vulnerabël, e ku haset më shpesh dhuna ndaj grave. Deri tek humbja e jetës, ashtu siç ne dimë mesatarisht një grua në shtatë ditë ndahet nga jeta për shkak të motiveve të dobëta, që në fakt nuk janë të tilla. Jo vetëm kaq, çdokush nga ne, mund të bëjë më shumë edhe për të pasur një tjetër perceptim përsa i përket kompetencave e aftësive që mund të ketë një kolege femër, në pozicione të ndryshme të punës. Patjetër që impakt jo të vogël ka edhe figura e gruas në medie. Pra në këtë kontekst, ne menduam që gjatë këtij 8 Marsi të zhvillonim 2-3 aktivitete modeste që mund të nxisin njerëzit të reflektonin në një spektër më të gjerë përsa i përket të qenit grua në Shqipëri. Dhurimi i gjakut ishte iniciativa e parë dhe dua të theksoj se u solidarizuan në një akt të tillë humanë edhe kolegët meshkuj. Ideja që kërkojmë të përçojmë ka të bëjë me forcën e gruas, kontributin që ajo mund të jap në shoqëri në forma nga më të ndryshmet kur komuniteti ka nevojë. Në këtë rast banka e gjakut ka nevojë të vazhdueshme për dhurim gjaku dhe tek komuniteti ynë ende haset një tabu për të ndërmarrë një akt të tillë qytetarie. Në të tilla rrethana ky është një ndër kontributet që mund të japin gratë dhe mesazhi kësaj here vjen nga një institucion kulturbërës.

Në Metropol vihet re një dominancë femrash, edhe sot (dje). Duket se një frymë e tillë e përçon vetvetiu një mesazh për institucionet e tjera, por edhe për shoqërinë në përgjithësi…

Nuk mund të them se femrat dominojnë në “Metropol”, pasi punonjësit janë të balancuar në numër. Edhe përgjegjësit e sektorëve përkatës janë 3 gra dhe 3 burra.

Atmosfera në Metropol

Me dëshirën e mirë për të dhënë një mesazh të fortë në 8 Mars, stafi i “Metropolit” ka vendosur që mes aktiviteteve që do të mbajë në emër të gruas, të tregojë pjesën më të mirë të saj, humanizmin. Ditën e djeshme ata dhuruan gjak, dhe stafi mjekësor duke vlerësuar gjestin e tyre, u përgjigj femrave me gjuhën e trëndafilave… Dhe të çokollatave sigurisht! Sot ata do t’i bashkohen edhe” Protestës së zisë”, pasi siç shprehen për “Shekullin” ka ardhur koha që pozicioni i femrës në shoqëri të rivlerësohet. Në këto aktivitete po angazhohen edhe kolegët meshkuj, pasi ndërgjegjësimi rreth rolit të gruas në familje, punë, e komunitet duhet të prek të gjitha hallkat.

 “Gruaja të vlerësohet për kompetencën dhe për kontributin që jep përditë!”

Megjithatë në krye të piramidës së Metropolit janë femrat…

Po është e vërtetë në krye të piramidës qëndron figura femërore. Megjithatë mund të them se unë ndihem e vetmuar në një pozicion të tillë, kjo pasi në institucionet teatrore shqiptare ka vetëm tre gra që drejtojnë teatro. Në Teatrin “Migjeni” është artistja Rita Gjeka, po ashtu në Teatrin “Andon Zako Çajupi” është Zamira Keta, krahas “Metropolit” që drejtohet nga unë. Pra, nëse e shikon situatën në nivel kombëtar, kupton se drejtueset femra të teatrove janë pakicë. Për më tepër, që në dijeninë time Teatri Kombëtar nuk ka pasur asnjëherë një drejtuese grua, në tërë vitet e ekzistencës së vet. Kështu që ende nuk mund të flitet për një dominancë, por për një rritje graduale të përfaqësimit të merituar të grave profesioniste në fushën tonë, qofshin aktore, regjisore, teknike apo mbështetëse në funksione të ndryshme brenda teatrit.

Për ditën dedikua gruas, a keni një mesazh si artiste, por jo vetëm?

Në një rast të tillë lipset të citoj një nga nocionet kryesore të feminizmit: personalja është politike. Jo politike, në nocionin në kuptimin tradicional të politikës. Mirëpo unë besoj se secili prej nesh jeton vetëm në atë që beson, çdo gjë tjetër është vetëm retorikë. Kështu që mendoj se duhet të përpiqemi të demonstrojmë më të mirën e vlerave të shoqërisë shqiptare  në përditshmërinë tonë, duke kontribuuar në familjet tona, në vendin e punës, në komunitetin ku bëjmë pjesë. Duhet bërë shumë më shumë, pasi shoqëria jonë i ka shumë borxhe gruas shqiptare, përsa i përket perceptimit të aftësisë dhe kontributeve të saj. Sot (dje) është 7 Marsi, një ditë që lidhet me shkollën shqipe e me figurën e mësuesit. Të mos harrojmë se mësueset e para shqiptare kanë qenë  gra. Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi inspiruan breza të tërë mësuesish që bënë të mundur që ne të vinim këtu ku jemi. Analfabetizmi ishte mbi nëntëdhjetë për qind asokohe, e në një kohë që pas viteve ’90 problemi konsiderohej e shuar, ne ende sot përballemi me të. Pra do të thotë se ende ka shumë për të bërë dhe roli i gruas shqiptare meriton që të vlerësohet për atë që është. Jo të mitizohet, as të ekzotifikohet, por të vlerësohet për kompetencën dhe për kontributin që jep përditë.

Mendoni se përgjatë viteve dita e 8 Marsit e konceptuar në Shqipëri si festë, por merr kuptimin e duhur?

Jam optimiste për ndryshimet graduale që ka pasur në perceptimet e 8 Marsit nga viti në vit në Shqipëri, përtej festës së merituar që shumë gra kalojnë në familje ose në qendrat e tyre të punës. Me kohën diskutimi po shkon gjithnjë e më shumë rreth problematikave sociale. Kështu që përgëzoj çdo kolegë që ndërmerr iniciativa të tilla në çdo fushë, qoftë në sektorin publik ashtu edhe në atë jopublik. Një nismë e tillë është ajo e “Protestës së zisë”, të cilën unë e konsideroj si një event tepër të rëndësishëm kulturor dhe social për vendin tonë, e që një pjesë e kolegeve të Teatrit Metropol do t’i bashkëngjitet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Lapërdhosja e shtetit

Rezart Prifti Këto ditë të bukura Tetori në Shqipëri diskutohet si përherë për surealen, për të paprekshmen, për atë që…

Abissnet