Në 25 qershor s’ka garë, shqiptarët do të zgjedhin vetëm 25 deputetë

Publikuar më 19. 06. 2017 nga Jola Alimemaj

Shqiptarët nuk zgjedhin por vetëm votojnë. Sistemi aktual maxhoritar proporcional nuk prodhon surpriza dhe as nuk rritë cilësinë e përfaqësuesve të popullit në Parlament, përkundrazi. Shqiptarët do i drejtohen kutive të votimit më 25 qershor por ata thjeshtë do të zgjedhin partinë dhe jo përfaqësuesit e tyre. Këtë të drejtë thelbësore tashmë e kanë bërë kryetarët e partive, të cilët kanë emëruar deputetët, që edhe sikur një ditë të mos dalin në fushatë, e kanë të sigurt një karrige në Parlament.

Zgjedhjet do të bëhen vetëm për 25 deputetët dhe shuma që shpenzohet për të zgjedhur një pakicë përfaqësuesish është marramendëse, krahasuar me rëndësinë që ka procesi. Politologu Afrim Krasniqi ka bërë një analizë ku thotë se Shqipëria, ndër vendet më të varfra në Europë, do të shpenzojë minimumi 20 milionë euro për të zgjedhur 25 deputetë.

“Shqipëria, vendi më i varfër në listën e vendeve kandidate për në BE në kohën më të mirë harxhon nga buxheti i shtetit rreth 7 milionë euro përmes KQZ-së, rreth 3 milionë euro përmes strukturës ekzekutive, rreth 10 milionë euro përmes donacioneve, partive politike dhe strukturave elektorale, në total rreth 20 milionë euro. Për çfarë? Për shkak të sistemit elektoral dhe natyrës jodemokratike të partive, tashmë nga 140 deputetë të Parlamentit janë “zgjedhur” 115.

Për 115 nuk ka asnjë surprizë, ata janë deputetë, sepse janë emëruar që ditën kur u shpallën listat shumë-emërore të kandidatëve. Për pasojë, zgjedhjet nuk bëhen për ata, zgjedhjet bëhen për pjesën e mbetur, rreth 25 deputetë. Në shifra financiare për 25 deputetët në garë ne harxhojmë minimumi 20 milionë euro, ose 800 mijë euro/për deputet!”, analizon Krasniqi. Për politologun procesi i zgjedhjeve në vend është paradoks. “Paradoksi nuk ndalet me kaq, por ne shohim çdo ditë deputetë të emëruar që bëjnë sikur janë kandidatë, bëjnë sikur janë në garë dhe bëjnë sikur po zgjidhen në maxhoritar, sikur premtojnë në zona dhe sikur cilësitë e tyre janë përcaktuese për fituesit.

Për më tepër, ne shohim deputetë tashmë të emëruar që bëjnë sikur kanë programe, sikur bëjnë kontratë sociale me zgjedhësit, sikur janë aty për shkak të cilësive personale dhe jo besimit personal të liderit, dhe sikur janë shërbëtorët e rinj të qytetarëve, kur në thelb, edhe për shkak të sistemit, ata do të jenë sunduesit e rinj të tyre. Në Parlamentin e ri do të kemi 140 emra, por me siguri shumë pak politikanë, shumë më pak deputetë “të zgjedhur” nga qytetarët, dhe shumë më pak shanse që Kuvendi që jetë ashtu siç ua mësojmë fëmijëve në shkolla, “tempull i demokracisë”.

Sepse baza, legjitimiteti, besimi dhe integriteti i çdo institucioni varet fillimisht nga burimi i tij, niveli i përfaqësimit të tij, vlerat morale të ngritjes së tij, dhe nga aftësia për të kuptuar përse janë aty, – si produkt i një procesi zgjedhor konkurrues apo i një procesi votimi formal”, analizon Krasniqi.

“Zgjedhjet janë thelbi i demokracisë, janë vlera më e rëndësishme e saj, janë pasuria më e madhe në liri, janë baza për një shoqëri të hapur e konkurruese, janë dita e pushtetit qytetar, janë ushtrim sovraniteti dhe momenti kur secili prej nesh ka fuqinë të bëj ndryshimin.

Në Shqipëri, duhej të ishin të tillë, sepse nuk janë. Rikthimi i këtyre vlerave do të duhej të ishte një temë e mirë për tu debatuar, duhej të ishte një krye-temë elektorale, krye-temë në marrëveshjen e 17 majit dhe një test për të gjithë ata që mendojnë se kanë diçka për të thënë”, thotë Krasniqi.