Ndryshojnë siguracionet e makinave

Publikuar më 27. 09. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Neritan Gjergo

Vjen një ndryshim në tarifat e siguracionit të makinës. Sistemi i ri që pritet të kalojë në parlament, do të penalizojë të gjithë ata që kanë kryer një aksident dhe do të favorizojë shoferët e rregullt. Projektligj për sigurimin e detyrueshëm motorik është hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, ngjashëm me sistemin italian të sigurimeve. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të këtij autoriteti Ervin Koçi, ky projektligj do të sjellë edhe zbatimin e sistemit bonus-malus. Ndërkohë,  Koçi dha dhe një lajm të mirë për personat që kanë fituar të drejtën e kompensimit pas aksidenteve, gjatë 15 viteve të fundit. Bëhet fjalë për 750 vetë, të cilët do të marrin nga kompanitë e sigurimeve një borxh të akumuluar që arrin 10 milionë euro. Në bisedën me gazetarët kreu i AMF-së foli edhe për rregullime të tjera ligjore në raportin drejtues mjeti-kompani sigurimi.

Z. Koçi, ka kohë që ekziston një projekt për miratimin e skemës Bonus-Malus për çmimet e siguracioneve të mjeteve, por ende nuk ka kaluar as për diskutim. Keni krijuar një strategji të re në llogaritjen e çmimeve të siguracionit të mjeteve dhe kur pritet të miratohen?

Ne jemi duke punuar ende dhe do të ri-dimensionojmë një pjesë të ligjit, duke e përshtatur dhe me dinamikën e zhvillimin e tregut. Pa diskutim sistemi bonus-malus do të ketë një ndikim shumë pozitiv te konsumatori, çka do të thotë se një drejtues mjeti i rregullt dhe i ndershëm do të ketë kosto më të ulët për pagesën e sigurimit, ndryshe nga një tjetër që bën aksidente, do të mbajë përgjegjësi duke paguar një çmim më të lartë.

Do të ketë ndryshim në referencat e çmimeve apo do të jenë të njëjta?

Ne kemi marrë në shqyrtim propozimin fillestar, dhe ky do shërbejë si objekt që do të rishikohet. Atje ka 18 shkallë, ku sistemi bazë nis nga shkalla 11 dhe ne jemi duke punuar që kjo të shkojë sipas parametrave që ka legjislacioni bashkëkohor i vendeve të BE-së. Brenda këtij sesioni, ekziston mundësia që ligji të diskutohet, por Autoriteti është i gatshëm të përballojë të gjitha përgjegjësitë që do të dalin nga miratimi i këtij ligji, që nga sistemi i IT-së, e deri në pjesën e përgjegjësive.

Vitet e fundit ka pasur një kolaps në tregun e sigurimit, teksa kompanitë caktojnë në bllok, çmime që luhaten me ulje-ngritje deri në 30 për qind. Për këtë, AMF në shumicën e rasteve ka heshtur ose e ka anashkaluar si problematikë. Ka një angazhim nga institucioni juaj që kjo mos përsëritet, të paktën deri në miratimin e ligjit të ri?

Duke iu referuar këtij rasti, ne do të bëjmë ndryshime ligjore që do të kalojnë për procedim të detyrueshëm. Do të fusim disa pika ligjore për të kufizuar këto ndryshime të çmimeve. Ligji i kaluar në vitit 2011 e ka liberalizuar tregun. Normalisht, tregu pëson ndryshime dy herë në vit, në muajt shkurt dhe gusht dhe me ndryshimet ligjore që do të bëjmë me Bordin, besoj se ky problem nuk do të përsëritet më dhe konsumatori do të marrë çmimin që i takon sipas shërbimit.

Për borxhet e akumuluara që nga viti 2002, keni marrë angazhim për të shlyer detyrimet brenda vitit 2018. Sa është vlera e tyre, pse janë krijuar dhe a do të mbajë dikush përgjegjësi për gjithë këto pará?

Detyrimi është në vlerën midis 9 dhe 10 milionë euro. Ne tashmë po bëjmë një inspektim te byroja, e cila administron procesin për të nxjerrë shifrën reale. Këto detyrime vijnë që para 15 vitesh, pasi asokohe tregu  i sigurimeve ka qenë i brishtë e me kapital shumë të ulët. Deri tani kompanitë kanë shlyer rreth 1 miliardë lekë, dhe tashmë në bashkëpunim me autoritetin kanë marrë përsipër të shlyejnë pagesat e fondit të kompensimit për periudhën e fundit 15-vjeçare.

Ka ankesa nga qytetarët, të cilët pas aksidenteve nuk marrin mbrapsht dëmshpërblimin, dhe me afate të tejzgjatura presin edhe më shumë se një vit. Keni një plan masash për të evituar këtë problem?

Ligji përcakton qartë që është deri në 90 ditë. Në të gjitha rastet që kalojnë mbi 90 ditë dhe qytetarët do kenë ankesa, por njëkohësisht edhe nga inspektimi që do bëjmë vetë do kemi ndërhyrjen tonë që këtë çështje ta rregullojmë njëkohësisht duke vendosur dhe sanksione ndaj shoqërive.

Koeficientët

Tarifa sipas sjelljes, ja si llogaritet

Aktualisht çmimi i sigurimit të makinave, i detyrueshëm me ligj, është fiks. Pra, në rast se do të sigurosh automjetin, çmimi që ofrojnë kompanitë është përgjithësisht i njëjtë. Ai ndryshon vetëm nga cilindrata e makinës. Në draftin e ri parashikohet që çmimi të ndryshojë sipas sjelljes së shoferëve, ose siç njihet ndryshe, sistemi bonus-malus. AMF parashikon që shoferët të ndahen në 18 kategori të ndryshme. Për çdo kategori është vendosur edhe një koeficient. Ky koeficient është më i lartë për ata shoferë që bëjnë aksidente dhe më i ulët për ata që nuk bëjnë të tilla. Në këtë mënyrë ndryshon edhe çmimi i siguracionit (TPL). Në draft parashikohet që një shofer i ri dhe përgjithësisht të gjithë shoferët, pas hyrjes në fuqi të ligjit, do të hyjnë në klasën e 13-të. “Klasa hyrëse do të jetë ‘13’ për vitin e parë të zbatimit të sistemit bonus-malus, e cila do të aplikohet mbi parimin e rrezikut me koeficient me vlerë të barabartë me 1.00. Për klasat nga 1 në 12, koeficienti do të zvogëlohet, ndërsa për klasat nga 14 deri në 18 do të rritet. Në draft janë parashikuar edhe si do të bëhet zhvendosja e shoferëve nga një klasë në tjetrën. “Ulja e klasës së riskut me një klasë në rastet e të siguruarit që nuk shkakton asnjë aksident gjatë vitit të kontratës. Rritja e klasës së riskut me 2 klasa, nëse i siguruari bën dëm gjatë vitit të kontratës dhe 5 klasë nëse bën dy dëme”, shkruhet në projektligj. Gazeta boton edhe tabelën e koeficienteve sipas çdo klase. Për klasën e parë, koeficienti është 0.5, ndërsa për klasën e 18-të shkon në 2.00.

Shembulli
Sot çmimi i sigurimit të një makine është 16 mijë lekë në vit. Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, ai do të llogaritet sipas historisë së aksidenteve të shoferëve nëpërmjet formulës së mësipërme. Kështu, në rast se një shofer nuk ka bërë asnjë aksident nga data fillestare e pagesës së tarifës, ai klasifikohet në klasën e 13-të, që i përket koeficienti 1. Pra, siguracioni i tij do të jetë 16 mijë lekë (16 000 x 1). Në rast se një shofer ka bërë aksident, ai do të rritet në klasë. Pra, në këtë rast shkon në klasën 15. Rrjedhimisht edhe çmimi i siguracionit rritet. Klasa e 15-të ka një koeficient 1.3. Shoferi do të duhet të sigurohet jo më për 16 mijë lekë, por për 20.800 lekë (16.000 x 1.3). Pra, 4800 lekë më shtrenjtë. Në rast se një shofer nuk bën asnjë aksident gjatë një viti, atëherë ai ulet një shkallë, dhe nga klasa 13 shkon në klasën 12. Koeficienti i klasës 12 është 0.94. Në këtë rast, çmimi i siguracionit do të jetë 15 040 lekë. Pra, më i ulët.