Ndryshimi i projektit, gati tenderi për Unazën e Re

Miratohet projekti i ri. Loti i parë i Unazës së Re ritenderohet me vlerë 2.7 mld lekë. Autoriteti i Rrugëve kërkon me gjyq garancinë e kontratës së “DH Albania”. Afera me rrugën dhe përplasjet për projektin

Neritan Gjergo

Projekti i ri i prezantuar për mbikalimin te rrethrrotullimi Shqiponja është miratuar nga këshilli teknik i Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe pritet të nxirret për tenderim. Kosto totale është 2.7 miliardë lekë dhe sipas qeverisë po t’i zbresësh vlerën e TVSH-së dhe rezervën e fondeve, shuma që do të prokurohet është përafërt me tenderin e parë që u anulua. Projekti i parë i mbikalimit te sheshi Shqiponja u anulua pas skandalit me kompaninë “DH Albania”, e cila ishte shpallur fituese duke ofruar 20 milionë euro, ndërkohe që çështja po hetohet nga prokuroria. Ndërkohë puna për rindërtimit e unazës së re nuk ka nisur në terren ende. Nuk ka një datë të saktë, edhe pse procedurat e shpronësimit kanë avancuar. Sipas ministres Balluku rikonstruksioni mund të nisë me parë tek loti i dytë që i takon pjesës qendrore, pasi edhe për tenderin e lotit të tretë që përfshin pjesën te pallati me shigjeta po zhvillohen hetime nga Prokuroria.

Garancia

Qeveria ka çuar në gjykatë kompaninë e sigurimit për garancinë e Unazës së Re e cila është në vlerën e 2 milionë eurove. Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku është shprehur se “ për garancinë e lënë nga gara e parë për këtë lot është nisur një proces gjyqësor për kompaninë e sigurimeve”.  Gjithashtu Loti që nis nga shkolla teknologjike deri te rreth-rrotullimi Shqiponja ndodhet në prokurori. Ministrja e Infrastrukturës Balluku së bashku me Drejtuesen e Autoritetit Rrugor Shqiptar në një konferencë të përbashkët për shtyp informuan për miratimin e projektit “Rreth-rrotullimi Shqiponja” nga këshilli teknik i ARRSH-së. Projekti i hartuar nga një studio italiane kushton 2, 7 miliardë lekë bashkë me fondin rezervë dhe do të realizohet nga buxheti i shtetit mendohet të dorëzohet si vepër brenda 12 muajsh. Ministrja Balluku informoi gjithashtu se ka nisur procesi për shpronësimet, të cilat do të përfundojnë në kohë rekord. Ndërtimi i një pjese të unazës së re (loti i parë), mbikalimi pallati me shigjeta rreth-rrotullimi Shqiponja, do të anulohej pasi autoritetet mësuan se kompania fituese kishte falsifikuar dokumentet e përfaqësimit në tender. Çështja është për hetim në prokuroi por përfaqësuesi i kompanisë mashtruese do të largohej nga Shqipëria pa arritur të ndalej nga policia duke u shpallur në kërkim. Autoriteti i Rrugëve ka kërkuar që të tërheqë 2 miliardë lekë që ishin vendosur si garanci për kontratën. Kjo është një formë që mbron taksapaguesit shqiptarë nga rastet kur kompanitë nuk i përgjigjen detyrimeve që kanë lidhur me qeverinë. Sipas kontratës së sigurimit që Bilba x Shpk & DH Albania Shpk ( pretendon se degë e shoqërisë së huaj, duke falsifikuar dokumentet) i kanë derdhur te kompanitë e sigurimeve, 10 % të vlerës ë projektit, saktësisht 269,574,000 lekë.

Ndryshimi i projektit

Loti i parë i Unazës së re, i cili krijoi furtunë, me zbulimin e falsifikimit të firmës së kompanisë “DH Albania”, vjen me një tjetër zhvillim. Pas shumë përpjekjeve, nga ana e qeverisë për të fshehur gjurmët e saj në këtë aferë me vlerë 20 milionë euro, dhe me disa konkurse farsë në gara tenderësh, përfaqësues të institucioneve që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ndërtimin e veprës, kanë lëshuar në tryezë një projekt të ri në datën 30 maj. Kjo tentativë,duket si një kapitullim i qeverisë, por këtë herë jo pa kushte, pasi sedra për të mos u lënë hapësirë banorëve në zonë që protestojnë prej afro gjysmë viti, nuk ka shkuar me anulim, por me devijim projekti.  Në dhjetor të vitit të kaluar projekti i lotit të parë që kushtonte 20 milionë euro nga 40 në total që shkonte projekti të Unazës së Re u anulua në mënyrë të njëanshme nga pala shqiptare pas konfirmimit nga autoritetet amerikane se kompania fituese “Dunwell Haberman Albania” ka falsifikuar bilancet me të cilat është paraqitur në tender.  Pas këtij vendimi, po në dhjetor Autoriteti Rrugor Shqiptar rihapi tenderin e ndërtimit të mbikalimit tek sheshi “Shqiponja”.

Skandali

Pavarësisht se tenderi i lotit të parë të Unazës së Madhe nuk është rihapur për të zgjedhur kompaninë e re që do të kryejë punimet, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur disa javë më parë kompaninë fituese që do të bëjë mbikëqyrjen e punimeve. Sipas njoftimit zyrtar, tenderi me vlerë 15 milionë lekë është fituar nga kompania “A & E Engineering”, ndërkohë që objekt i kontratës do të jetë pikërisht supervizioni i punimeve, duke vendosur një afat 24-mujor nga momenti i nënshkrimit të kontratës. Praktikisht, kontrata sipas njoftimit të publikuar në buletin e Agjencisë së Prokurimit Publik ka nisur, ndërkohë që nuk ka një kompani e cila kryen punimet në aks. Deri më tani gara për këtë segment të Unazës së Madhe është “pezull”, për sa kohë institucionet kanë deklaruar se po rishikohet projekti me qëllim përmirësimin e tij e më pas ai do të konsultohet edhe me banorët që preken nga zbatimi i tij. Megjithatë, edhe tenderi i supervizimit të punimeve nuk ka kaluar pa probleme, duke qenë se zanafilla e tij është që në shtator të vitit të kaluar, kohë kur u hap edhe gara për ndërtimin e unazës.

Inflacioni 1.5 %

Inflacioni u rrit lehtë për majin, por ngelet ende në nivele shumë të ulët dhe larg objektivit të Bankës së Shqipërisë. Sipas Instat, inflacioni u rrit në 1.5%, nga 1.4% që kishte qenë për muajin prill. Rritja e muajit maj erdhi kryesisht nga rritja e inflacionit për grupin e ushqimeve, që arriti në 3.1%, nga 2.7% që kishte qenë për prillin. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate” u rritën me 10,5 %, pasuar nga nëngrupet “fruta” me 7,7 % dhe  “qumësht, djathë dhe vezë”. Rritje të lehtë inflacioni regjistroi edhe në grupin “pije alkoolike dhe duhan”, ndërsa inflacioni i grupit transporti pësoi rënie, duke kaluar në vlera negative. Kjo lidhet me një çmime lehtësisht më të ulëta të karburanteve krahasuar me një vit më parë. Grupet e tjera me peshë në indeksin e çmimeve të konsumit nuk pësuan luhatje domethënëse gjatë muajit maj, duke bërë që inflacioni të ngelet në nivele mjaft të ulëta. Rënia e ndjeshme e muajve të parë të këtij viti shpjegohet nga Banka Qendrore kryesisht me efektin e mbiçmimit të lekut në kursin e këmbimit. Banka e Shqipërisë pret që inflacioni të rritet gradualisht, sidomos duke filluar nga gjysma e dytë e këtij viti dhe të kthehet pranë objektivit prej 3% në fillim të vitit 2021.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Vija fatale e Ballkanit

Blerim Latifi Gjatë historisë, njerëzit në Ballkan kanë vuajtur nga një lloj fataliteti gjeopolitik. Ky fatalitet ka të bëjë me…

Abissnet