“Ndryshimi i mesatares nuk e rrit cilësinë e Arsimit të Lartë”

Intervista/ Ndriçim Mehmeti, ekspert arsimi në një intervistë për “Shekulli”- thotë se ndryshimi i mesatares për të garuar në universitet nga 6 në 6.5 bie në kundërshtim me kushtetetutën. Nxit emigrimin dhe vazhdimin e shkollave profesionale

Enida Vërça

Eksperti i arsimit, Ndriçim Mehmeti, në një intervistë për “Shekulli”-n, analizon vendimin e Ministrisë së Arsimit, për ndryshimin e mesatares nga 6 në 6.5 për të garuar në universitet, një kohë kur ata ishin në prag të provimeve të Maturës Shtetërorë. Mehmeti thotë që MASR ka marr një vendim i cili bie në kundërshtim me Nenin 57 të Republikës së Shqipërisë, i cili nënvizon se arsimi i mesëm profesional dhe i lartë mund të kushtëzohet vetëm nga kritere aftësie. Sipas tij, është i pashpjegueshëm fakti që ndryshimi i mesatares ndodhi në një kohë të tillë, duke krijuar panik te maturantët. Ata janë gjendur të papërgatitur dhe e vetmja mundësi e tyre do të jetë, vazhdimi i një shkollë të lartë nëse përmbushin kriterin e mesatares 6.5 dhe pjesa tjetër do të detyrohet që të emigrojë. Mehmeti thotë se ndryshimi i mesatares, nuk e rrit cilësinë e Arsimit të Lartë, pasi në momentin që atë fitojnë statusin e studentit, jo detyrimisht arrijnë të mbajnë këtë nivel. Po ashtu ai thotë se në çdo reformë që MASR ka ndërmarr, nuk ka pasur një analizë se sa përmirësim kanë sjell në arsim. Në fjalën e tij, ai nënvizon se duhet me patjetër një paketë masash ekonomike, infrastrukturore, akademike si dhe përmirësimi i kurrikulave, të cilat mund të sjellin përmirësimin e cilësisë në arsim.

  1. Mehmeti, si e gjykoni vendimin për rritjen e mesatares, në një periudhë kur maturantët ishin prag-provimesh?

Është një vendim i marrë në kundërshtim me Nenin 57, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Sigurisht që Ministrja Shahini mund të mbrohet me faktin se Ligji 80/2015, “Për arsimin e lartë të Republikës së Shqipërisë”, i cili përcakton se Këshilli i Ministrave nxjerr VKM, për mesataren hyrës e në universitete. Por siç përmenda më lart, kjo bie në kundërshtim me ligjin në frymë dhe shkronjë me Kushtetutën dhe po ashtu nuk ka asnjë kuptim që 1 muaj para provimeve të Maturës Shtetërore, maturantë të mësojnë se ndryshohen rregullat e lojës në krahasim me një vit më parë e për më tepër, një ndryshim drastik i rregullave të lojës kur ata kanë filluar studimet në shkollën e mesme.

Sa të penalizuar janë maturantët që tashmë janë në përmbyllje të fazës së parë të aplikimeve?

Maturantët tani janë para një fakti të kryer. Shumica e tyre do të bëjnë llogari të ngushta. Mjafton të marrin një shkollë të lartë nëse përmbushin kriterin e mesatares 6.5, të tjerët do të zgjedhin programet profesionale e shumë të tjerë, kokulur do të hedhin vështrimin drejt emigrimit si e vetmja mundësi, për të plotësuar një pjesë të ëndrrave të tyre, që është bërë qëllimisht nga ministrja Besa Shahini dhe kryeministri Edi Rama. Tani maturantët kanë dy rrugë: Ose ti nënshtrohen mundësive të pakat që ofron vendi ynë për ta, ose të marrin rrugët. Një pjesë e tyre për fat të keq, mund të përfundojnë edhe në kontingjent krimi, për shkak të pamundësisë për të siguruar jetesën në rrugë të ndershme.

A mund ta quajmë ndryshimin e mesatares një strategji për të ulur regjistrimet në universitet?

Unë mendoj se problemi më i madh është që qeveria nuk po merr asnjë masë për degët e mbrojtura, kërkon të rrudhë deri në shuarje të plotë universitet në rrethe dhe mendoj që në një të ardhme të afërt, ne do të kemi nevojë urgjente në disa zona të vendit për mësues, mjekë, IT etj.

Ndryshimi i mesatares për të garuar në universitet, e rrit cilësinë e Arsimit të Lartë?

Nuk ka asnjë studim, asnjë analizë apo provë që të tregoj se rritja e mesatares, rrit automatikisht cilësinë në arsimin e lartë. Ashtu sikundër nuk kemi një studim krahasues, se cila është cilësia e studentëve që vinin kur Matura Shtetërore ishte hyrëse dhe tani që është dalëse. Pra, në kushtet e shpalljes së të ashtuquajturave reforma pas reforme, pa asnjë analizë se sa dobi sjell në arsim, atëherë është e vështirë të pranojmë se këto ndryshime janë bërë për mirë. Ta zëmë se mesatarja do të rrisë cilësinë. Pyetja në këtë rast është: Këta maturant që futen me këtë mesatare a e ruajnë deri në mbyllje të ciklit të parë të studimeve, sa prej tyre e ulin mesataren, sa prej tyre e rrisin atë, etj. Këto pyetja mbeten pa përgjigje, sa kohë që MASR, nuk asnjë të dhënë ku të referohemi.

Çfarë politikash duhen ndjekur për të përmirësuar cilësinë në Arsimin e Lartë?

Duhet një paketë masash ekonomike, infrastrukturore, akademike, përmirësim kurrikulash etj. “Pakti për Universitetin” dështoi në mënyrë spektakolare. Reforma universitare u shndërrua në reformë sanitare. Arsimi në tërësi dhe jo vetëm ai i lartë është në emergjencë kombëtare, por duket se për qeverinë, sindikatat e arsimit dhe OJF, kjo ka pakë rëndësi. Duhen marrë masa urgjente, prej rrëzimit të Ligjit të Arsimit të Lartë e deri në politikat mbështetëse të qeverisë, që fillojnë më së pari me rritjen e buxhetit për arsimin në 5%. Pas kësaj, mund të filloj të hartohet një plan masash i detajuar, që do të përmirësoj arsimin, prej ciklit parashkollor, deri në universitet dhe studimet pasuniversitare. Duhet më shumë fond për kërkimin shkencor, pa të cilin një universitet nuk mund të quhet i tillë, por thjesht një shkollë e lartë që lëshon diploma. Situata është vërtetë tejet e zymtë dhe zgjidhja duhet të vij tani. Nesër di të jetë vonë, shumë vonë.

Debati

Vetëm dy javë përpara provimeve, maturantët morën vesh vendimin e Ministrisë së Arsimit për ndryshimin e mesatares me të cilën do të mund të pranoheshin në universitete. Një ndryshim i ri i përcaktuar nga MAS ishte se mesatarja do të rritej nga 6 në 6.5, ndërsa për degë të veçanta si mësuesia do të ishte 7.5 dhe për mjekësinë duhet të ishte 8. Kjo u debatua edhe në interpelancën parlamentare pasi deputetë të ndryshëm, ndër ta dhe Andi Përmeti nga Bindja Demokratike, e kanë cilësuar këtë vendim si të paligjshëm për shkak se maturantët janë lajmëruar për mesataren, vetëm dy javë përpara Maturës Shtetërore. Ata akuzuan se çdo gjë është bërë qëllimisht, duke bërë që shumë maturantë tu hiqet e drejta për të garuar në universitet. Në kundërshtim të kësaj ideje ministrja aktuale e Arsimit, Besa Shahini bëri me dije se ky është një projekt i cili është përcaktuar prej dy vitesh dhe tashmë po zbatohet, për të përcaktuar standarde më të larta në arsim.

Vendime

Ndryshimi ndër vite i mesatares për të garuar në universitet

Gjatë viteve ka pasur nivele të ndryshme mesatareje dhe po aq polemika të ndryshme se si do të funksiononin, maturat shtetërore dhe pranimi i nxënësve në universitet. Gjatë vitit 2016-2017, pati një ndryshim thelbësor për pranimin në universitete. Kriteri kryesor i pranimit tashmë do të ishte mesatarja 6 dhe kjo gjë u bë publike nga ish-ministra e Arsimit, Lindita Nikolla. “Nota mesatare vendoset me vendim të Këshillit të Ministrave në nivel kombëtar, por ajo do të jetë në varësi të programeve të ndryshme. Besojmë fort që duke orientuar sistemin drejt performancës, nxisim gjithnjë e më shumë që institucionet e arsimit të lartë të jenë drejt tendencave jo vetëm për të zhvilluar procese mësimdhënieje cilësore, por edhe drejt tërheqjes në programe apo profile të caktuara,” tha ajo në një deklaratë për mediat, gjatë prezantimit të ligjit të ri për arsimin e artë në Komisionin e Edukimit. Sipas Ministres, do të ishin vetë universitetet, që me ligjin e ri fitonin pavarësinë e përcaktimit të kuotave dhe studentëve, që do të rekrutonin në mesin e tyre. Kjo, sipas Nikollës, do të bëhej vetëm me anë të notës mesatare të ndryshme për programe të caktuara, bazuar në cilësinë e studentëve që duan të zgjedhin. Ministra në atë kohë tha se mesatarja ishte tepër e rëndësishme për pranimin në universitet, pasi mundi 3-vjeçar i studentëve nuk mund të përcaktohej më së shumti nga provimet përfundimtare. Kjo pikë u cilësua e rëndësishme dhe një nga hallkat kryesore, për reformën në arsim. Por ligji i ri krijoi një sërë debatesh në parlament, pasi përpos mesatares përcaktonte edhe një sërë VKM-sh të tjera që më pas nxitën edhe protestat e studentëve. “Besojmë fort që duke orientuar sistemin drejt performancës, nxisim gjithnjë e më shumë që institucionet e arsimit të lartë të jenë drejt tendencave jo vetëm për të zhvilluar procese mësimdhënieje cilësore, por edhe drejt tërheqjes në programe apo profile të caktuara”, u shpreh asokohe ish-ministrja Lindita Nikolla. Ndërsa në vitin 2013, nxënësit do të vlerësoheshin në bazë të procesit “meritë-preferencë”. Që prej këtij viti u bë me dije se në vitet e ardhshme, përveç matematikës dhe letërsisë, si provim i detyruar i maturës shtetërore do të ishte edhe gjuha e huaj. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, asokohe pranoi se njohuritë e gjuhës së huaj në shkollat e zonave rurale ishte problematike, por numri i maturantëve që kishin zgjedhur gjuhën angleze si lëndë me zgjedhje në provimet e maturës kishte ardhur në rritje. Ndërsa, pranimi në universitet do të bëhej me anë të përllogaritjes së një formule të veçante, të pikëve që nxënësit do të mblidhni nga provimet përfundimtare dhe mesatares. Gjatë kësaj kohe, rëndësia binte mbi pikët dhe mesatarja e nxënësve do të përbënte vetëm 40 për qind të rëndësisë për llogaritjen e tyre. Më pas në vitin 2015 u përcaktua që testi i gjuhës së huaj të ndryshonte dhe do të bëhej më i vështirë, ndërkohë që rëndësia e mesatares mbeti e pandryshuar, duke arritur në ditët e sotme kur kjo çështje është kthyer në një debat shumë të rëndësishëm për cilësinë e arsimin dhe fatin e nxënësve. Nëse realisht ndryshimi i mesatares ka ndodhur për të përmirësuar cilësinë në Arsimin e Lartë, apo për t’u hequr mundësinë çdo maturantit të aplikojë në universitet, duke fituar një degë çfarëdo. Deri më tani, nuk ka një analizë, se çfarë ka sjellë ndryshimi i mesatares dhe sa pozitivisht ka ndikuar, duke rritur cilësinë e tij.

Aplikimet në universitet në bazë të mesatares

Sot është dita e fundit e maturantëve të cilët aplikojnë në universitet duke plotësuar online, nëpërmjet portalit U-Albania, formularin A2. Ashtu si çdo vit, maturantët kanë të drejtë të zgjedhin 10 degë studimi. Nota mesatare, do të jetë një nga kriteret hyrës në universitet. Përmbushja e afateve të aplikimit dhe përcaktimi i mesatares se gjimnazit janë dy elementet themelor të maturantit për të rritur shanset e shpalljes fitues në një degë të caktuar, në bazë të preferencave. Nga nota 6 e cila ka qenë vitin që lamë pas për këtë vit është përcaktuar të jetë 6.5. Të gjithë ata të cilët nuk kanë një mesatare të tillë, u lind e drejta të aplikojnë vetëm në shkollat profesionale. Për mesatare mbi 6 dhe nën 7, maturantët kanë të drejtë që të aplikoni në të gjitha degët e tjera duke përjashtuar ato të mësuesi dhe mjekësisë. Për mesatare mbi 7 dhe nën 7,5 maturantët kanë të drejtë të aplikojnë në të gjitha programet e studimit me përjashtim të degëve të Universitetit të Mjekësisë. Ndërsa për mesataret ndërmjet notës 7.5 dhe 8.5 maturantët mund të aplikojnë në të gjitha degët duke përjashtuar ato të Fakultetit të Mjekësisë. Ndërsa në rastet e mesatares mbi notën 8.5, maturantët mund të aplikoni në të gjitha degët që dëshirojnë, qoftë në universitet publike po ashtu edhe ato private. Nëse keni mesatare më të ulët se sa nota 6, ju mund të aplikoni vetëm për programet e studimit 2-vjeçare me karakter profesional. Për mesatare mbi notën 6 dhe nën notën 7, ju keni të drejtë që të aplikoni në të gjitha degët e tjera, duke përjashtuar ato të mësuesisë dhe Universitetit të Mjekësisë. Për mesatare mbi notën 7 dhe nën notën 7,5 ju keni të drejtë të aplikoni në të gjitha programet e studimit me përjashtim të degëve të Universitetit të Mjekësisë. Për mesataret ndërmjet notës 7.5 dhe 8.5 ju mund të aplikoni në të gjitha degët duke përjashtuar vetëm tre degët e Fakultetit të Mjekësisë. Në rastet e mesatares mbi notën 8.5, maturantët mund të aplikoni në të gjitha degët që kanë dëshirë, si në universitetet publike, ashtu edhe në ato private.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Vija fatale e Ballkanit

Blerim Latifi Gjatë historisë, njerëzit në Ballkan kanë vuajtur nga një lloj fataliteti gjeopolitik. Ky fatalitet ka të bëjë me…

Abissnet