Ndërtojmë bashkë “Një Brez, Një Rrugë” për zhvillim me përfitim të përbashkët

Publikuar më 19. 05. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Jiang Yu

Forumi “Një Brez, Një Rrugë” për Bashkëpunim Ndërkombëtar (BRF) sapo u mbyll me sukses në Pekin, ku kanë marrë pjesë 29 krerë të vendeve dhe qeverive të ndryshme dhe afro 1500 përfaqësues nga mbi 130 vende dhe mbi 70 organizata ndërkombëtare. Presidenti i Kinës Xi Jinping në ceremoninë e hapjes së Forumit mbajti një fjalim me temë “Të punojmë bashkë për të ndërtuar Brezin Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit dhe Rrugës Detare të Mëndafshit të Shekullit 21” dhe gjithashtu drejtoi Tryezën e Rrumbullakët të Liderëve të Forumit Një Brez, Një Rrugë.

Tema e Forumit ishte “Forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar, ndërtimi i përbashkët i ‘Një Brez, Një Rrugë’, zhvillimi me përftim të përbashkët”, me qëllim që të hartojmë një plan të bashkëpunimit nëpërmjet konsultimeve, të ndërtojmë bashkë platformën e bashkëpunimit, të ndajmë frytet e bashkëpunimit, në mënyrë që ndërtimi “Një Brez, Një Rrugë” të jetë në të mirën e popujve të botës. Kjo është konferenca ndërkombëtare e nivelit më të lartë dhe në përmasë më të madhe që ka mbajtur Kina në kuadër të iniciativës “Një Brez, Një Rrugë”, e cila u mbyll me fryte të pasura.

  • Në forum, u bë përmbledhja e ecurisë së deritanishme të bashkëpunimit dhe u arrit konsensus mes palëve, gjë që ndriçon drejtimin dhe planifikon itinerarin e bashkëpunimit ndërkombëtar të “Një Brez, Një Rrugë”, duke specifikuar planet e veprimit. Në të njëjtën kohë, u lëshua sinjali pozitiv që palët përkatëse do të nxisin bashkëpunimin ndërkombëtar të “Një Brez, Një Rrugë” dhe do të ndërtojnë komunitetin njerëzor me të ardhmen e përbashkët.
  • Në forum u miratua Komunikata e Përbashkët të Liderëve të Tryezës së Rrumbullakët të Forumit Një Brez, Një Rrugë, duke caktuar objektivin, parimet, masat dhe vizionin e bashkëpunimit të “Një Brez, Një Rrugë”.
  • Në forum u nxor lista e fryteve, e cila mbulon 76 artikuj që përbëjnë më shumë se 270 rezultate konkrete në 5 fusha kyçe, të cilat kanë të bëjnë me ndërlidhshmërinë e politikave dhe strategjive të zhvillimit, të infrastrukturës, të tregtisë, të financave dhe të popujve. Janë gjithsej 68 vende dhe organizata ndërkombëtare që kanë lidhur marrëveshje për bashkëpunim në kuadër të nismës “Një Brez, Një Rrugë” me Kinën.
  • Në forum u vendos që Fondi i Rrugës së Mëndafshit të shtohet me 100 miliardë RMB për të inkurajuar institucionet financiare të merren me Fondin e Biznesit të Jashtëm në monedhën RMB me një shumë afro 300 miliardë RMB. Banka e Zhvillimit të Kinës dhe Banka e Eksport-Importit të Kinës do të krijojnë përkatësisht skemat speciale të kreditimit ekuivalent me 250 miliardë RMB dhe 130 miliardë RMB, për të siguruar mbështetje financiare për ndërtimin “Një Brez, Një Rrugë”.
  • Palët mirëpresin vendimin që Kina do të organizojë sesionin e dytë të Forumit “Një Brez, Një Rrugë” për Bashkëpunim Ndërkombëtar në vitin 2019, ndërsa Ekspo Ndërkombëtare e Importit e Kinës do të mbahet që nga viti 2018.

Shqipëria është vend i përfshirë në iniciativën “Një Brez, Një Rrugë”. Vitet e fundit, është parë një tendencë në rritje të vazhdueshme për sa u përket bashkëpunimeve pragmatike dypalëshe kino-shqiptare. Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës i Shqipërisë, z. Sokol Dervishaj mori pjesë me ftesë në këtë Forum, dhe duke përfaqësuar qeverinë shqiptare ai nënshkroi “Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Bashkëpunimin në Kuadër të Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit dhe Nismës së Shekullit të 21-të për Rrugën Detare të Mëndafshit”.

Në prag të forumit, institucionet përkatëse të dy vendeve kanë nënshkruar gjithashtu memorandumin e mirëkuptimit të bashkëpunimit në fushën e medias, think-tankut dhe marrëveshjet ekonomiko-teknike. Lidhja e marrëveshjeve ka shtruar bazën dhe shërben si garanci për thellimin e bashkëpunimeve pragmatike në të ardhmen mes dy palëve tona. “Një Brez, Një Rrugë” është një platformë e madhe për zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe realizimin e zhvillimit me përfitime të përbashkëta. Kjo nuk do të thotë që çdo gjë të rifillojë nga e para, por që të arrihen pikat e takimit në strategji të palëve dhe të shfrytëzohen avantazhet e secilës.

Ndërtim “Një Brez, Një Rrugë” ka rrënjë në historinë e rrugës antike të mëndafshit, ai prek kryesisht kontinentin Euro-Aziatik-Afrikan, por është i hapur ndaj të gjithë miqve. Pavarësisht nga Azia dhe Europa, apo nga Afrika dhe Amerika, të gjitha palët janë partnerë të bashkëpunimit ndërkombëtar të ndërtimit “Një Brez, Një Rrugë”. Ndërtim “Një Brez, Një Rrugë” do të zhvillohet nëpërmjet konsultimeve dhe frytet do të ndahen bashkërisht. Kina dëshiron të ndajë eksperiencat e saj të zhvillimit me të gjitha vendet e botës, pa ndërhyrë në çështjen e brendshme të një vendi tjetër, ajo nuk synon të eksportojë sistemin shoqëror ose modelin e saj të zhvillimit, as nuk do ta imponojë këtë mbi një vend tjetër.

Pala kineze është e mendimit që ndërtim “Një Brez, Një Rrugë” është një projekt afatgjatë, realizimi i saj kërkon përpjekjet e përbashkëta të të gjithë palëve me frymën e rrugës së mëndafshit, që janë “bashkëpunimi paqësor, hapja dhe përfshirja, mësimi reciprok, përfitimi i përbashkët”, me parim të konsultimeve, ndërtimit dhe ndarjes së përbashkët. Kështu plani të përkthehet në veprim, në rezultate të prekshme. “Një Brez, Një Rrugë” do të ndërtohet si rrugë e paqes, e prosperitetit, e hapjes, e inovacionit dhe e civilizimit. Ambasadore e R.P. të Kinës, artikull i shkruar posaccwrisht pwr “Shekullin”