Ndërtimi i hidrocentraleve, përmbytet për herë të parë Lugina e Valbonës (VIDEO)

Publikuar më 05. 02. 2018 nga Eno Shkëmbi

Lugina e Valbonës është përmbytur për herë të parë si pasojë e daljes nga shtrati të ujit të një prej degëve më të mëdha të Valbonës, Çeremit.

Gazetarët e Elementit të Pestë kanë publikuar videon ku duken ujërat e Çeremit teksa derdhen në rrugë dhe mbulojnë vendin me baltë.

“Në Valbonë po ndodh ajo çka pritej! Ajo çka ekspertët e parashikuan me kohë. Ajo për të cilën aktivistët protestuan. Por në mënyrë të pakuptimtë, në vend që t’i dëgjonin, i shpërfillën, me arrogancë iu përgjigjën! I ndaluan me policë e në fund, i paditën.
Por sjellja e autoriteteve për të shndërruar Parkun Kombëtar në Valbonë në një oborr ndërtimi për kompanitë që shfrytëzojnë gurin e ndërtojnë hidrocentrale nuk vjen si rezultat i padijes, por për shkak të dijes. Qysh në fillim, kur askush nuk ishte në dijeni, ata dinin gjithçka”, shkruan “Elementi 5”.

“Është një kupolë financiare që për tridhjetë vjet ka grumbulluar aq shumë para, saqë me fare pak mundim, sot, në sinergji të ndërsjelltë me autoritetet po blen pasurinë publike, po e zapton atë, gjoja në emër të zhvillimit. Duke financuar një propagandë elektorale, përmes një metodologjie manipuluese, ky bashkim mafioz synon, gjoja, t’u japë veprimeve legjitimitet, pranueshmëri, për të vazhduar më tej. Pra, ajo çka po ndodh sot e prej disa kohësh, jo vetëm në Valbonë, por në të gjithë vendin, nuk mund të quhet më një fatkeqsi e papritur apo rastësi, por një sjellje e parashikuar e me dije të plotë dhe pikërisht, për të tëra këto arsye, kjo mund të quhet një sjellje kriminale!”, thuhet më tej në postimin e shoqëruar me video.