
Shtëpitë e ndërtuara para muajit gusht të vitit 1991 dhe nuk janë të pajisur me certifikatë pronësie, tani do të mund të pajisen me tapi. Prej 29 vitesh, janë në total 16804 ndërtime të cilat presin dokumentin e pronësisë.
Për ndërtimet që nuk ka akte të fitimit të pronësisë, do të jepet tapia vetëm nëse për truallin ka dokumentacion pronësie. Kalimi i pronësisë do të bëhet për ndërtesat dhe truallin funksional, kurse për sipërfaqet deri në 300 metra katrorë do të realizohet pa pagesë. Deri tani kanë marrë dokumentin e pronësisë 249 ndërtime në të gjithë vendin.
Dokumentet
Pronarët e ndërtimeve duhet të paraqesin një kërkesë pranë Kadastrës. Të dhënat e kërkesës verifikohen në terren dhe bëhen publike për 30 ditë, në ambientet e njësisë administrative ku gjendet pasuria. Për ndërtimet e paregjistruara ose të regjistruara pa titull pronësie, për të cilat nuk është paraqitur aplikim për legalizim, Kadastra verifikon nëse ndërtimi është i pranishëm në produktin e fotografimit ajror të Republikës së Shqipërisë të vitit 1994.
Nëse ndërtimi ndodhet në një territor të papërfshirë në këtë fotografim, Kadastra verifikon me radhë produktet e fotografimeve ajrore të viteve 1999, 2001 dhe në fund, atë të vitit 2007. Nëse ndërtimi është i pranishëm në të paktën njërin prej materialeve fotografike të mësipërme, ai prezumohet se është ndërtuar para datës 10.8.1991 dhe trajtohet sipas dispozitave të këtij vendimi.
Krahas procedurave të mësipërme, brenda 20 ditëve nga konstatimi i gjendjes ndërtimore në terren, Kadastra verifikon nëse është regjistruar më parë ose jo titull pronësie dhe verifikon në zyrat Agjencisë së Trajtimit të Pronave nëse është marrë ose jo vendim për kthimin e pronës.
Institucionet e sipërpërmendura detyrohen të vendosin në dispozicion informacionin e kërkuar brenda 10 ditëve. Për procedurën e ndjekur, subjekti përfitues paguan për llogari të Kadastrës tarifën e shërbimit në vlerën 8000 lekë për çdo kat ndërtimi, e cila përdoret për të përballuar shpenzimet e evidentimit në terren dhe shpenzimet e tjera të procedurës administrative.
Kjo tarifë i njoftohet përfituesit menjëherë pas përfundimit të periudhës së afishimit, nëse përmbushen kushtet për të përfituar kalimin e pronësisë. Vendimi për kalimin e pronësisë miratohet në favor të subjektit kërkues dhe bashkëshortit/es së tij, duke respektuar dispozitat e Kodit të Familjes për regjimet pasurore martesore.
Në rast se subjektet nuk paraqesin dokument që provon regjim pasuror martesor të veçantë apo marrëveshje të posaçme noteriale për të drejtat mbi ndërtesën, vendimi miratohet në favor të të dy bashkëshortëve, duke prezumuar regjimin e bashkësisë ligjore.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply