Ndërron jetë i dënuari i Hagës që kërkoi ndjesë për krimet e luftës

Ish-menaxheri i një kampi burgimi serb të Bosnjës, i cili pranoi pjesëmarrje në vrasje, përdhunim dhe torturim të të burgosurve boshnjakë në vitin 1992 dhe i kërkoi ndjesë viktimave të tij, ka ndërruar jetë

I dënuari i Gjykatës së Hagës dhe menaxheri i kohës së luftës i kampit të burgimit të Susicës që drejtohej nga serbët e Bosnjës, Dragan Nikoliç, i njohur gjithashtu si Jenki, u varros në qytetin e Vlasenicës të mërkurën. Nikoliç u dënua me 20 vjet burg nga Gjykata e Hagës në vitin 2005, pasi pranoi se ishte fajtor për pjesëmarrje në vrasjet, përdhunimin dhe torturimin e të burgosurve boshnjakë në kampin Susica në Vlasenicë në vitin 1992.

Në një deklaratë për gjyqtarët në gjyqin e tij, Nikoliç tha se ai “ishte penduar sinqerisht” për krimet në të cilat ai kishte marrë pjesë. “Pendimi im vjen nga përbrenda, sepse shumicën e atyre njerëzve që mbaheshin në kampin e paraburgimit i njihja që nga fëmijëria. Ne u rritëm së bashku, disa prej tyre ishin fqinjët e mi,” u tha ai gjykatësve. “Do ta shfrytëzoj këtë mundësi për të kërkuar falje, thellësisht falje, për të gjithë viktimat dhe të gjithë ata që lëndova drejtpërdrejt, në jetët dhe fatet e të cilëve ndikova, dhe të gjithë ata që ishin në Susicë, qoftë për një ditë, një muaj ose më shumë,” ai shtoi. Pasi kreu dy të tretat e dënimit të tij, Nikoliçit iu dha lirim i parakohshëm në vitin 2013. /BIRN/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet