Ndahet nga jeta Todi Bozo

Publikuar më 04. 02. 2018 nga Dionis Xhafa

U nda nga jeta në moshën 84-vjeçari kineasti i njohur Todi Bozo. Bozo është i famshëm për filma si “Debatik” dhe “Ngadhnjim mbi vdekjen”. Ai ka qenë për 12 vjet edhe zv/drejtor i përgjithshëm i Kinostudios. Por cila është biografia e tij? Më 1958 Todi Bozo filloi punën në Kinostudion “Shqipëria e re”. Filmi i tij i parë ishte “Furtuna”, një prodhim i përbashkët me “Moskëfilm”. Më pas e vazhdoi veprimtarinë e vetë krijuese me disa filma dokumentarë, sidomos artistik. Tani do të ishte drejtor në filmat “Debatik” (1961), “Detyrë e posaçme” (1963), “Vitet e para” (1965), “Oshëtimë në bregdet” (1966), “Ngadhënjim mbi vdekjen” (1967), “Plagë të vjetra (1969). Ndërkaq, vazhdoi studimet pasuniversitare dhe diplomohet për regjisor. I kësaj kohe është filmi “Lugina e pushkatarëve” (1970). Në vitin 1971 Todi Bozo kaloi në detyrën e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Kinostudios, detyrë që e kreu gjatë 12 vjetve. Ndërkohë, nga ky vit e në vazhdim dha leksione të pandërprera në Kinostudio dhe në Akademinë e Arteve të Bukura.