Ndahen çmimet, ja fituesit e Panairit të Librit 2017

Publikuar më 19. 11. 2017 nga Eno Shkëmbi

Valerja Dedaj

Çmimet e Panairit të 20 të Librit (2017) u shpallën. Lexuesit kanë mundësinë të njihen me veprat përkatëse dhe emrat e fituesve; “Autori i vitit” (“Yjet janë fare pranë”, Betim Muço); “Libri studimor më i mirë” (“Faik Konica, dritëhijet e një diplomati”, Agron Alibalaj); “Përkthyesi i vitit” (“Lumturia e pritjes” me autor Karmine Abate, përkthyer nga Diana Çuli); “Libri më i mirë për fëmijë” (“Unë jam Musine Kokalari” nga Persida Asllani). Juria, që vendosi për këto çmime vjetore përbëhej nga; përkthyesi Shpëtim Çuçka, shkrimtarja Flutura Açka, gazetarja e kulturës Anisa Ymeri dhe studiuesja e letërsisë, Belfiore Qose.

“Autori i vitit 2017”, Betim Muço

“Autori i vitit” u shpall pas ndarjes nga jeta shkrimtari Betim Muço (1947- 2015) me veprën “Yjet janë fare pranë”.Me motivacion: “Për trajtimin me thellësi idesh dhe elegancë artistike e gjuhësore të temës së emigracionit në kontekst kombëtar e ndërkombëtar”.

Bashkëshortja e Betim Muços, Marta shprehet se ky libër ka qenë një përsiatje e gjatë, që fillonte nga historitë e mbledhura me dashuri nga burimi i pashtershëm i gjyshes së Betimit dhe rrënjët në Përmetin e largët. Ëndrrat e tij për astronominë dhe yjet e deri te vëzhgimet e udhëtimet e pafundme profesionale, që ai kishte pasur gjatë dhjetë viteve të para të tranzicionit shqiptar nëpër Europë e më tej. “Një nga gjetjet më të goditura të romanit për mua mbetet përcjellja e jetëve paralele të njerëzve në situata të ngjashme tranzicioni dhe transformimesh të thella. Pavarësisht ku ndodhet njeriu dhe roli që gjeografia ka në të, rrethanat jetësore e bëjnë njohjen, vuajtjen, dashurinë dhe dështimin universal pa kufij vendesh e popujsh. Koncepti panjerëzor i ndryshimeve në karakterin e njerëzve në funksion të ngjarjeve të mëdha të kohërave të ndryshme ku ata jetojnë, sikurse ishte zëvendësimi i një sistemi ekonomik e shoqëror të dështuar me një sistem të ndryshëm që sillte shpresë dhe entuziazëm, por që shoqërohej pashmangmërisht nga zhgënjime dhe transformime në natyrën njerëzore, është thelbi i romanit”.

“Vepra më e mirë studimore”, e Agron Alibalit

Për “Veprën më të mirë studimore” në fushën e letërsisë studimore origjinale u vlerësua me çmim vepra: “Faik Konica, dritëhijet e një diplomati” e autorit Agron Alibali. Motivacioni është: “Për paraqitjen me seriozit e argumentim të gjerë shkencorë të figurës së Faik Konicës”. Faik Konica, si diplomat dhe konstitucionalist: ky është këndvështrimi që juristi Agron Alibali ka për rilindasin dhe figurën e shquar shumëplanëshe të botës shqiptare. Mbështetur në dokumente të panjohura, shumica të shfrytëzuara për herë të parë, përfshirë arkivën e Legatës Shqiptare në SHBA, Alibali paraqet një personalitet jo vetëm me cilësitë, por dhe në “këndvështrimin kundërthë- nës të tij”, siç sintetizon Kadareja; një diplomat që mbahej si ndër më të shquarit në kryeqytetin amerikan, por që vetë ai mendonte se nuk i takonte aradhes së atij profesioni të nderuar e të vështirë. Veprimtaria e Konicës përcillet krahas etapave të themelimit e forcimit të shtetit shqiptar, deri në momentet tragjike të pushtimit fashist. Në këtë drejtim, libri rreket të japë kontribut të veçantë në studimet për historinë e shtetit dhe së drejtës në Shqipëri, dhe të rikthejë vëmendjen sidomos në periudhën kritike kur shteti shqiptar u konsolidua nën Mbretin Zog.

“Përkthyesi i vitit”, Diana Çuli

Fituese në fushën e përkthimit u shpall Diana Çuli për përkthimin e veprës “Lumturia e pritjes” të autorit Karmine Abate me motivacionin: “Për përkthimin me shije të hollë letrare dhe gjuhë të pastër e tërheqëse”.

“Letërsia artistike për fëmijë”, Persida Asllani

Fituese në fushën e letërsisë artistike origjinale për fëmijë u shpall vepra “Më quajnë Musine Kokalari” e autores Persida Asllani. Motivacioni është: “Për portretizimin e vërtetësimin dhe me gjuhë të përshtatshme të figurës së Musine Kokalarit”.

Çmimet

Shtëpia Botuese “Onufri”

Vlerësohet për seriozitetin dhe pasionin këmbëngulës për 25 vite punë botuese, në shërbim
të lexuesve, duke botuar me qindra tituj, autorë e vepra shqiptare e botërore.

Shtëpia Botuese “Pika pa sipërfaqe”

Vlerësohet për kujdesin dhe vëmendjen për botimin e veprave në fushën e letërsisë, të kritikës, të filozofisë a historisë.

Libraritë më të mira
Libraria “Adrion”
Libraria Artin, Prishtinë-Tiranë
Libraria Universitare në
Shkodër

Kriteret e përzgjedhjes

Përkthyesi Shpëtim Çuç ka (anëtar jurie) gjatë ndarjes së çmimeve ndali te kriteret, që u janë përmbajtur anëtarët e jurisë gjatë vlerësimit. Së pari, tematikat, të cilat janë të ngushta edhe të gjera. Së dyti, përgjegjësia e strukturimit dhe shtjellimit të tematikës. Së treti, kriter tjetër është stili. Një element tjetër i rëndësishëm është etika shoqërore. “Mendoj se shumë gjëra duhet të paraqiten, sipas një etike të perceptimit të veprës letrare dhe në realitet”. Këto janë kriteret për veprën origjinale edhe atë studimore, që sipas Çuçkës, anëtarët e jurisë janë ndalur gjatë vlerësimit të veprave. Ndërsa, përsa i përket veprës përkthimore, kriteret kanë qenë: Së pari, vepra që përkthehet duhet të ketë vlerë në kulturën kombëtare të vendit. Së dyti, përkthime të bukura veprash të dobëta nuk ka, prandaj norma letrare këtu është domosdoshmëri. Së treti, përkthimi duhet të jetë i kuptueshëm. Së katërti, duhet që përkthimi të jetë detyrimisht i qartë, sepse nëse ka shkallë të ndryshme kuptueshmërie, qartësia është e detyruar nga vepra origjinale. Së pesti, ka shumë rëndësi edhe pastërtia gjuhësore.