Nd/Sekretari amerikan viziton Kosovën, pritet “paketa speciale” e zgjidhjes së çështjes me Serbinë

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euro-Azi, Wess Mitchell, sot do të vizitojë Kosovën. Ai do të takohet me udhëheqësit e Kosovës, përfshirë Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe me përfaqësues tjerë politikë dhe të shoqërisë civile.
“Ai do të riafirmojë lidhjet e ngushta mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe do të inkurajojë qeverinë e Kosovës që të bëjë përparim në dialogun me Serbinë, në forcimin e sundimit të ligjit, në ngritjen e rritjes ekonomike, dhe që të tejkalojë sfidat rajonale në dobi të stabilitetit dhe integrimit perëndimor”, theksohet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

Në prag të kësaj vizite, mediat serbe vazhdojnë të flasin për një “paketë speciale” që SHBA ka përgatitur dhe Nd/Sekretari Mitchell do t’i prezantoj fillimisht presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Sipas të përditshmes serbe “Veçernje novosti”, projekti i quajtur “Teksti i Kosovës” i Administratës Trump, përmban disa pika kyçe që bosht kryesor e kanë Asociacionin. Për këtë propozim thuhet se do të flitet në kuadër të vizitës së Nd/Sekretarit të Shtetit për Evropë dhe Euro-Azi, Wess Mitchell, në Serbi dhe Kosovë. Duke u bazuar në burime diplomatike, gazeta serbe thekson se, “Plani” prej katër pikave parashikon që Asociacioni i Komunave Serbe të marrë kompetenca të gjera ekzekutive dhe kompetenca të zgjeruara në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe kulturës; Institucionalisht të lidhet me Zv/kryeministrin e Kosovës, që do të jetë nga rradhët e serbëve; Serbia ti mundësoj Kosovës anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare; Dhe, për këtë ti hapet porta për anëtarësim në BE dhe të marrë ndihmën politike të SHBA në skenën ndërkombëtare.

Ndërkohë e përditshmja e Prishtinës “Koha ditore” thekson se modalitetet të cilat do ta transformonin prezencën e Beogradit në Kosovë janë nga më të ndryshmet. Por gjithë diskuri serb sillet rreth Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ku Beogradi zyrtar është aksioner në krijimin e tij, si nënshkrues i marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Brukseli.

Deri më tani pala kosovare ka qenë vetëm vrojtuese përballë propozimeve nga Serbia. Njohës të rrethanave ,theksojnë për gazetën kosovare se veprimet e deritanishme të kësaj qeverie dëshmojnë se kompromisi i ardhshëm mund të jetë shumë më i dhimbshëm sesa lëshimet e deritashme, parashikon “Koha ditore”.

Ndryshe, Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë të ditur se Nd/Sekretari Mitchell të mërkurën do të vizitoj  Beogradin ku me krerët e shtetit serb dhe  liderët opozitar “do të konfirmoj lidhjet e forta në mes të Serbisë dhe SHBA, dhe do t’i bëjë thirrje Qeverisë së Serbisë që të përshpejtoj normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.”

Të martën më 13 Mars, Nd/Sekretari i Shtetit për Evropë dhe Euro-Azi, do të vizitoj Shkupin ku, sipas DASH, do të konfirmohet mbështetja e SHBA në aspiratat euroatlantike të Maqedonisë, dhe do të ofroj mbështetje në negociatat aktuale me Greqinë, duke i bërë thirrje qeverisë maqedone të zbatoj reformat.

Në vizitën e së enjtes në Athinë, Nd/Sekretari Mitchell me krerët e shtetit grek do të bisedoj për thellimin e lidhjeve strategjike dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe SHBA-Greqi, në fushën e mbrojtjes, energjetikës, tregtisë dhe investimeve.

Dhe, të premten në Qipro, Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euro-Azi, Wess Mitchell, do të bisedoj me zyrtarët e lartë qipriotë grek dhe turk, si dhe me përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara, thekson Departamenti amerikan i Shtetit.

Të tjera

Abissnet