Nata e Nevruzit dhe koka në dollap

Publikuar më 22. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Abdurahim Ashiku

Thonë se Nata e Nevruzit, një festë e vjetër pagane që lidhet me bukoliket e gjeorgjiket, ka një “dekik” që po e kape të bën të lumtur, të plotëson dëshirat që ke e i përcjell. Ky “dekik” është në mesnatë, pikërisht në ndërrim të datës, në orën 00. Kusht në këtë “dekik” është të nxjerrësh kokën në dollap (dritare) dhe të lutesh me formulën “Oj Nata e Novruzit më jep…” Herët, shumë herët më parë, një njeri i varfër në një fshat me emrin e çuditshëm GREVË (!!!) shtyn me të dy duart hekurat e dollapit dhe nxjerr kokën jashtë. Dhe lutet…“Oj Nata e Novruzit më jep…”

Një vetëtimë kaloi në qiellin e natës, tregues se kishte ardhur “dekiku”, dhe i varfri i emocionuar në vend që të thoshte “Oj Nata e Novruzit më jep flori me shënejk” i shkau goja dhe tha: “Oj Nata e Novruzit ma bëj kokën shënejk”. Nata e Novruzit ia plotësoi menjëherë dëshirën dhe koka e tij mori madhësinë e kubit prej druri, shinikut, që nxë brenda 20 kilogram drithë. I mbeti midis hekurave të dollapit, nuk lëvizte as para dhe as mbrapa. Kryejashtë do ta gjenin të varfrin të nesërmen familja dhe komshinjtë.

Do të vinin ustallarët të shqepnin hekurat e të nxirrnin “Krye shinikun”. Këtë e tregojnë edhe sot e kësaj dite në fshatin Grevë kufitar me fshatin Tren në afërsi të qytetit të Peshkopisë. Nuk e di pse fshatin e kanë quajtur GREVË kur ai është një nga më të bukurit e Dibrës dhe fshatarët nga më të urtët dhe nuk njihen në histori për ndonjë grevë apo protestë përveç rasteve kur është dashur ta mbrojnë vendin nga synimi serb për të dalë në anën tjetër të brigjeve të Drinit e për të kapur Durrësin. Atëherë kanë përdorur pushkën.