Muxhahedinët iranianë në Shqipëri, jetesa në azil

muxhahedineNga Ani Ruci

Bazuar në një marrëveshje me SHBA Shqipëria ka pranuar strehimin e muxhahedinëve iranianë. Sipas mediave mbi 2000 syresh mund të vijnë në Shqipëri. Si dhe pse strehohen muxhahedinët në Shqipëri? A paraqesin ata rrezik?

Farzin Bahadur Goudarzi më hap derën e lartë metalike të një godine katër katëshe, të rrethuar me shufra të trasha hekuri dhe pisha dekorative. Eshtë një burrë mbi të 50-at, me syze, dhe pamje intelektuali, që flet një anglishte të mirë. Pasi mbyll me kujdes derën e jashtme të godinës, që ndodhet diku në zonën e Kasharit, gjatë autostradës Tiranë – Durrës, më prin drejt një dhome të vogël, në oborr. Është një dhomë ultra minimaliste: një laptop mbi një tavolinë të vogël plastike, një ngrohëse elektrike dhe fotot bardh e zi të varura në mur të udhëheqësve të muxhahedinëve iranianë në mërgim: bashkëshortët Massuid dhe Maryan Rajavi. Të ulur në karrike janë nja 7- 8 burra, shumica të rinj, që ngrihen në këmbë, më përshëndesin me kokë dhe dalin menjëherë njëri pas tjetrit. Një burrë i moshuar, mbi të 60-at, me mjekër dhe syze hyn dhe ofron kafe. “Mikpritja iraniane” thotë anglisht, me një buzëqeshje të përmbajtur. Farzin Bahadur Gourdazi është lideri i komunitetit të muxhahedinëve iranianë, që banon në këtë godinë, i caktuar të komunikojë me mediat. Ai tregon se ka mbërritur në Shqipëri para katër muajsh nga ish-baza ushtarake amerikane, Liberty, në Irak, bashkë me një grup prej 20 muxhahedinësh të tjerë.

“Që prej 20 vitesh, jeta ime ka kaluar në kampet Ashraf dhe Liberty në Irak. Në fakt jam një i mbijetuar nga sulmet me raketa të qeverisë iraniane në të dyja kampet. Ndër më të përgjakshmet në kampin Liberty, atë të shkurtit 2013 dhe tetorit 2015, u vranë 76 vetë dhe u plagosën shumë të tjerë. Në kampin Liberty ndodhen tani vëllai dhe motra ime, qindra bashkëluftëtarë të tjerë, që kanë jetën në rrezik”, thotë për DW Farzin Bahadur Goudarzi. Ai pranon që është një nga krerët e Organizatës Popullore të Muxhahedinëve në mërgim, në opozitë me qeverinë e Iranit dhe që emri me të cilin prezantohet është pseudonimi i tij.

Pranimi i muxhahedinëve, obligim i Shqipërisë si anëtare e NATO-s

Emri i vërtetë ndodhet ndoshta në zyrat e Qendrës Kombëtare Pritëse të Azilkërkuesve, në periferi të Tiranës, që varet nga Ministria e Brendshme. Në këtë qëndër ai u regjistrua, mori dokumentat ligjore dhe leje-qëndrimin në Shqipëri si azilant politik. Qendra nuk është e autorizuar nga Ministria e Brendshme të japë të dhëna për numrin e muxhahedinëve, që ka pritur dhe përcjellë që nga viti 2013 kur erdhi kontigjenti i tyre i parë. Një punonjëse e administrates më thotë, që nuk është e lejuar të takoj dhe bisedojë në territorin e Qendrës me asnjë nga azilkërkuesit e strehuar atje, duke përfshirë edhe muxhahedinët. Një kamera regjistron këdo që hyn dhe del nga porta e hekurt që hapet dhe mbyllet nga brenda. Ardhja për here të parë këtu e muxhahedinëve ndodhi pas marrëveshjes që ish-kryeministri Sali Berisha nënshkroi me SHBA-të për pranimin e tyre në Shqipëri, pasi qeveria amerikane e hoqi në 2012 organizatën e muxhahedinëve nga lista e organizatave terroriste. Muxhahedinët u morën nën mbrojtjen e SHBA pas ndërhyrjes së tyre të armatosur në Irak në vitin 2003 dhe mbështetjes që ata u dhanë operacioneve ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme dhe luftën kundër terrorizmit. Rotacioni i pushtetit nga qeveria e PD-së drejtuar nga Berisha tek PS nën kryeministrin Edi Rama nuk e ndryshoi marrëveshjen e arritur më 2013 për pranimin e muxhahedinëve në Shqipëri. Ministria e Brendshme tha për DW, se pranimi i tyre i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon. “Shqipëria është angazhuar si vend anëtar i NATO-s, dhe si vend aspirant për anëtar i BE-së, që të marrë të gjitha masat dhe të angazhohet maksimalisht për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, krah për krah vendeve partnere”, theksohet në qendrimin zyrtar të Ministrisë së Brendshme.

Mes shpresës dhe frikës për jetën

Farzin Bahadur Goudarzi nuk dëshiron të fotografohet as ai, as dhoma ku po bisedojmë, as godina ku ai banon me shokët e tij. Ai i trembet se mos zbulohet nga shërbimet sekrete të Iranit. “Nëse shërbimet sekrete të Iranit zbulojnë që jam në Shqipëri, kjo vë në rrezik jetën e të afërmëve dhe shokëve të mi, që janë ende në kampet Ashraf dhe Liberty në Irak por edhe jetën time. Jam mirënjohës për mikpritjen në Shqipëri, jemi nën kujdesin e shtetit shqiptar por dora e shërbimeve sekrete iraniane mund të arrijë edhe këtu. Organizata jonë, e themeluar në vitin 1965, ka shpresë të madhe që regjimi i Iranit do të përmbyset një ditë. Ky do jetë një zhvillim pozitiv për gjithë Lindjen e Mesme, pasi Irani eksporton terroristë kudo në botë”, thotë ai. Sa reale është frika e tij nga shërbimet sekrete iraniane? Tre vjet pas ardhjes së muxhahedinëve në Shqipëri nuk është raportuar ndonjë akt subversiv ndaj tyre. Sipas Komisariatit të Lartë të Kombëve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) dhe gazetës Washington Post, (14 shkurt 2016) deri tani në Shqipëri jetojnë 700 muxhahedinë që pritet të shtohen nga të tjerë gjatë këtij viti. Artan Hoxha, gazetar i mirënjohur investigues në Tiranë, thotë për DW se nisur nga kapacitetet e pamjaftueshme logjistike të policisë dhe strukturave të Antiterrorizmit në Shqipëri, frika e Farzin Bahadur Goudarzi nuk është pa baza. “Irani i konsideron muxhahedinët terroristë, armiq potencialë të regjimit që kërkojnë ta rrëzojnë atë. Nuk përjashtohet mundësia që ata të jenë objekt i akteve subversive nga shërbimet sekrete iraniane. Shërbimet tona të antiterrorizmit janë njoftuar vitin e kaluar nga shërbimet sekrete të vendeve partnere që në Shqipëri kishin hyrë dy gra, të njohura si ekzekutore për të ekzekuruar drejtues të grupit të muxhahedinëve, që strehohen në Shqipëri. Misioni i tyre u dekonspirua dhe ato dolën nga territori shqiptar, pasi policia rriti shumë kontrollet. Për garantimin e jetës së muxhahedinëve në Shqipëri përveç vëmendjes së shtetit shqiptar hyn në lojë bashkëpunimi me vendet partnere të NATO-s kryesisht SHBA-në”, thotë Artan Hoxha.

“Muxhahedinët e strehuar në Shqipëri asnjë rrezik për popullsinë”

Farzin Bahadur Goudarzi thotë se ndihet mirë dhe jeton në një mjedis mikpritës dhe mbështetës. Banorët vendas të zonës periferike ku ai banon përpiqen ta ndihmojnë komunitetin e muxhahedineve në gjërat e jetës së përditshme. “Tani për tani nuk kemi asnjë plan të largohemi nga Shqipëria. Respektojmë rregullat, lajmërojmë policinë nëse ndryshojmë banesë apo lëvizim në një destinacion tjetër”, thotë ai. Sesa do të jetë numri i muxhahedinëve që do të vijnë gjatë këtij viti në Shqipëri për t’iu bashkuar Bahadur Goudarzi-t e grupit të tij? Mediat ndërkombëtare mes tyre edhe VOA raportojnë për 2000 syresh. Por Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri, tha të enjten (10.03.2016) në Parlament, se “është e pavërtetë që qeveria ka marrë vendim për strehimin e 3000 muxhahedinëve, kjo është një marrëdhënie e nisur që nga koha e qeverisë së kaluar”. Por pavarësisht nëse numri aktual prej 700 vetësh i muxhahedinëve që janë tani në Shqipëri do të dyfishohet apo trefishohet si edhe faktit që jetesa e tyre financohet nga qeveria e SHBA-së, BE dhe UNHCR, çështja që ngrihet është nëse ky numër ka gjasa të krijojë probleme për shtetasit shqiptarë. “Jo, nuk ka gjasa apo ndonjë rrezik. Ata shikojnë punën e tyre, pas marrjes se lejeve të qëndrimit shumica ikin nga Qendra Kombëtare e Pritjes për Azilkërkuesit dhe marrin banesa me qira, disa fillojnë punë”, thotë Artan Hoxha. Megjithatë qeveria garanton sigurinë e shtetasve shqiptarë. Në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Brendshme për DË theksohet se: “Qeveria jonë nuk ka marrë dhe nuk do të marrë asnjë hap që do të cenojë sadopak sigurinë e secilit shtetas shqiptar me banim brenda apo jashtë Shqipërisë.

Muxhahedinët në Shqipëri “trashëgimi problematike për amerikanët”?

Pse SHBA do t’i strehojë muxhahedinët në Shqipëri? Ç’ fshihet pas grupit, sot aleat i SHBA, dikur në listën e terrorit? Eksperti gjermano-iranian Ali Sadrzadeh mbi një organizatë për të cilën flitet aq pak në Shqipëri.

Sipas raportimeve në mediat ndërkombëtare, në Shqipëri do të zhvendosen edhe 2000 muxhahedinë, ndërkohë që disa qindra jetojnë në vend. Pse vazhdojnë të kërkojnë amerikanët një vend strehimi për këtë grup?

Ali Sadrzadeh: Kjo po bëhet sepse muxhahedinët në një kohë të caktuar u bënë aleatë të amerikanëve. Nuk duhet harruar se ishin muxhahedinët që e bënë të njohur për herë të parë për opinionin publik botëror programin atomik iranian. Prej tyre kanë shkuar disa informacione nga Irani tek forcat amerikane të sigurisë. Ka po ashtu sinjale ose të dhëna se ata janë përpjekur të fitojnë edhe mbështetjen e disa politikanëve me influencë në SHBA, jo pa sukses. Ata vërtet u bënë aleatë të amerikanëve, por prania e tyre në Irak, pas rrëzimit të regjimit të Sadam Huseinit u kthye në problem për amerikanët.

Nuk kanë më “detyra amerikanët për këtë grup pas marrëveshjes atomike me Iranin, dihet qëllimi politik i këtij grupi, rrëzimi i regjimit në Teheran…

Vërtet ata janë kthyer në një problem, më saktë një mbetje problematike nga e shkuara. Pas rrëzimit të Sadam Huseinit, amerikanët u përpoqën të bënin presion ndaj qeverisë së re, sepse ata që erdhën pas Sadam Huseinit i shikonin muxhahedinët si aleatë të Sadam Huseinit. Kështu ata ndodheshin në rrezik. Kampet e tyre janë sulmuar disa herë, dy herë ata janë zhvendosur brenda Irakut. Amerikanët janë përpjekur t’i mbrojnë, por ndërkohë kjo është bërë e pamundur, sepse qeveria e Bagdadit nuk do t’i ketë ata më në vend. Rrezik tjetër përbën edhe fakti që iranianët nga Irani me influencën e tyre në Irak mund t’i sulmojnë, ashtu si ka ndodhur në të shkuarën, kur kampet e tyre janë sulmuar me raketa. Muxhahedinëve i është ofruar nga Kombet e Bashkuara, UNHCR, t’i intervistojë ata personalisht se ku duan të shkojnë. Por drejtuesit e tyre donin të zhvendoseshin të gjithë bashkë si grup në një vend tjetër. Pas një kërkimi të gjatë u gjet Shqipëria, ku edhe u vendos grupi i parë e tani ndoshta edhe të tjetër do pasojnë.

Po pse pikërisht Shqipëria? Mund të pyesësh, pse nuk i merr SHBA ata vetë në vend, apo vende të tjera europiane?

Besoj se nuk do ishte e lehtë për amerikanët të gjenin një vend që do të pranonte njëherësh një grup prej disa mijëra vetësh, aleatë të dikurshëm të amerikanëve. Nuk besoj se do ta kishin këtë gatishmëri Gjermania, Franca, Suedia apo vende të tjera, kjo sepse prania e muxhahedinëve në këtë numër, në një territor, le të themi në Britaninë e Madhe, Francë apo Gjermani do të sillte komplikime të marrëdhënieve të këtyre vendeve me Iranin. Për të shmangur komplikime të tilla u vendos për një vend që ka lidhje me Amerikën, si Shqipëria, e nga ana tjetër lidhja me Iranin nuk është e një rëndësie të veçantë, sa qeveria shqiptare të trembej se prania e këtyre njerëzve do të prishte marrëdhëniet.

Ndoshta kjo lidhet edhe me historinë e muxhahedinëve, fillimisht luftëtarë kundër regjimit të Shahut, pastaj bashkëpunëtorë të Sadam Huseinit, organizatë terroriste, pastaj aleatë të amerikanëve. Çfarë është kjo organizatë nga këndvështrimi perëndimor sot? Opozitë legjitime? Organizatë me të shkuar të errët? Organizatë e dështuar, për të cilët amerikanët tani duhet të gjejnë një strehë?

Mund të thuhet një organizatë e dështuar. Ajo shihet si një sekt, sepse pas përvojave që iranianët kanë pasur, ata nuk kanë ndonjë shans të zenë vend vërtet në peizazhin politik iranian. Edhe jashtë në ekzil nuk ka ndonjë mbështetje të madhe tek iranianët për shkak se ata nuk janë myslimanë, thënë ndryshe janë myslimanë, por jo tamam myslimanë, thonë që janë demokratë po as demokratë nuk janë. Është një organizatë e organizuar në mënyrë shumë strikte, gati si një organizatë e vjetër komuniste, me hirearki nga lart-poshtë. Anëtarët e saj ndërkohë janë të moshuar, kapitali i vetëm i tyre është të kujtojnë gjithmonë se sa sakrifica kanë bërë ata gjatë kohës së Revolucionit. Por diçka ju ka mbetur, ata kanë si organizatë lidhje me politikanë në perëndim, senatorë në Amerikë p.sh. Disa vëzhgues thonë se ata kanë lidhje edhe me shërbimet sekrete në rajon.

SHBA dhe Britania e Madhe i kanë hequr muxhahedinët nga lista e organizatave terroriste, si e shohin vende të tjera këtë organizatë?

Shihet ndryshe. Gjermania nuk e ka futur këtë organizatë në një listë të tillë, ka vende që e kanë pasur në listën e organizatave terroriste. Ndërkohë tani kjo organizatë ka hequr dorë nga përdorimi i armëve për luftën e saj. Vetë muxhahedinët thonë, ne jemi demokratë, nuk duam të luftojmë më me armë. Por duhet kujtuar se ata si në kohën e Shahut ashtu edhe të Republikës Islamike janë përgjegjës për shumë atentate, vrasje politike, madje brenda vetë organizatës. Pas pak a shumë një kthese brenda tyre, ata kanë kuptuar se koha e atentateve politike dhe terroriste ka marrë fund. Sot ata duan luftë politike jo të armatosur.

Mundet që Shqipëria me pranimin e një numri kaq të madh të krijojë një rrezik potencial në të ardhmen për sigurinë?

Nuk besoj, sepse së pari këta njerëz që vijnë në Shqipëri janë shumica rreth 60 vjeçarë, si të rinj ata kanë shkuar në Irak, por sot kanë kaluar rreth 30 vjet nga kjo kohë. Pra fizikisht nuk besoj se ata munden. Së dyti ata kanë deklaruar se kanë hequr dorë nga lufta e armatosur, e treta Shqipëria nuk është për ta një vend interesant për aktivitetin politik të tyre. Në Gjermani për shembull ata do të përpiqeshin të përhapnin mes iranianëve propagandën e tyre. Mendoj se në Shqipëri ata do të shtyjnë jetën pa bërë ndonjë gjë të madhe.

Aktualissht ai grup që jeton në Shqipëri nuk bie në sy. Po sa gjasa ka që ata ta ndjekin axhendën e tyre politike edhe në Shqipëri, pra rrëzimin e regjimit iranian që mund të kthehet më vonë në një problem?

Natyrisht ata e ndjekin axhendën e tyre të rrëzimit të qeverisë iraniane. Por me mjetet që kanë. Ata kanë mbështetje financiare, nuk dihet nga i kanë ata burimet financiare kur nuk kanë shumë mbështetës mes azilantëve apo në Iran, por edhe me disa lidhje familjare ata kanë mbështetje edhe brenda deputetëve në disa parlamente europiane, madje ka deputetë edhe në Parlamentin Europian që i mbështesin. Kështu ata kanë mundësinë e propagandës duke e quajtur veten organizata e vetme opozitare kundër regjimit iranian. Ata ndoshta do të përpiqen që nga Shqipëria për të influencuar persona të caktuar, apo për ta mbajtur gjallë propagadën e tyre.

A ka gjasa që ata të bëhen objekt sulmesh edhe në Shqipëri nga Irani?

Në të shkuarën Irani është përpjekur jashtë të kryejë vrasje politike të opozitarëve. Ka shembuj që shërbimi sekret iranian ka qenë aktiv në Europë. Ka një kohë të caktuar që Irani e ka lënë këtë axhendë, prej 10 vjetësh gati nuk ka vrasje të opozitarëve në botën europiane nga shërbimi sekret. Edhe në të ardhmen nuk e besoj se do ta bëjnë këtë, sepse kjo do t’i zemëronte amerikanët, dhe regjimi iranian ka nevojë për amerikanët si për luftën kundër të ashtuquajturit “Shteti Islamik” në rajon, ashtu edhe për zbatimin e marrëveshjes atomike. Nga ana strategjike Shqipëria nuk është me rëndësi për Republikën Islamike të Iranit.

Ka zëra kritikë që thonë, se Shqipëria duhet të ketë kujdes se me kaq shumë muxhahedinë sjell me gjasa edhe terrorin në Europë? Sa real është ky rrezik?

Nuk besoj se ka një rrezik të tillë terrori prej tyre drej Europës. Muxhahedinët vetë kanë hequr dorë nga aktet terroriste në Iran ashtu edhe në Europë. Por sigurisht bazën e re në Shqipëri, internetin ata do ta përdorin për qëllimet e tyre propagandistike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet