Mungon transparenca, tryeza e Reformës Zgjedhore nis pa praninë e medias

Ka nisur pa praninë e mediave takimi mbi Reformën Zgjedhore, ku janë të pranishëm përfaqësuesit e OSBE-së dhe Këshillit të Evropës.

Burime të “Shekulli”-t bëjnë me dije se OSBE e konsideroi mbledhjen si “takim pune” duke shtuar se “me praninë e mediave bëhet shumë politik”.

Ndonëse bëhet fjalë për një çështje mjaft të ndjeshme mbi “financimin e partive politike në fushatë zgjedhore”, diskutimet bëhen larg vëmendjes së publikut.

Në takim ndodhet edhe ambasadori Borchardt, i cili u drejtua nga zyrat e OSBE-së drejt hotelit ku mbahet mbledhja i shoqëruar nga disa truproja.

Kujtojmë që dje ambasadori Bernd Borchardt u shpall “non grata” nga presidenti Ilir Meta. Dje Borchardt nuk dha asnjë koment lidhur me këtë vendim duke u kërkuar gazetarëve që ta lënë të qetë.

Presidenti Meta e argumentoi vendimin e tij me faktin që Borchardt vuri në diskutim dekretin e tij për anulimin e zgjedhjes, dhe për gjestin e pahijshëm ku u tregoi gishtin e mesit disa protestuesve.

Në tryezën e sotme kanë njoftuar pjesëmarrjen edhe partitë e opozitës, që iu drejtuan mëngjesit të sotëm Presidencës me ftesë të Ilir Metës. Ndërkohë mos prania e mediave ngre natyrshëm dyshime mbi këtë proces.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet