Mungesa e vitaminës D dhe pasojat në organizëm

Publikuar më 24. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Elona Tereziu

Rovena Liço, mjeke reumatologe në Poliklinikën e Specialiteteve nr.1 në kryeqytet, tregon shkaqet që çojnë në deficite të vitaminës D dhe dy sëmundjet që kanë të bëjnë me uljen e densitetit dhe  demineralizimin kockor.

Vitamina D është një ndër elementët më të rëndësishëm  të organizmit, e cila shërben për ruajtjen e balancës së kalciumit në gjak dhe mineralizimin e duhur kockor. Burimet kryesore për përfitimin e saj janë rrezet UV (nëpërmjet sintetizimit në lëkurë) dhe disa lloj ushqimesh. Deficiti në marrjen e saj, në fëmijë,  manifestohen kryesisht me rakitizëm (vështirësi në ecje (ose ecje në moshë më të madhe se normalja), dhimbje gjatë presionit në kocka të caktuara, shtatshkurtësi, dalja e vonuar e dhëmbëve, harkimi i këmbëve etj. Ndërsa në moshat e mëdha bëhet shkak për zhvillimin e osteomalacisë dhe osteoporozës. Studime të ndryshme kanë provuar lidhjen e saj dhe me sëmundje të tjera si: hipertensioni, sëmundjet vaskulare periferike, sëmundjen ishemike të zemrës, diabeti tip 2, depresione e deri në sëmundjet kancerogjene, duke e identifikuar si faktor mbrojtës. Rovena Liço, mjeke reumatologe në Poliklinikën e Specialiteteve nr.1 në kryeqytet, tregon se shkaqet që çojnë në deficite të saj janë malabsorbimi (keqpërthithja), persona me rezekim të zorrës së hollë, personat që vuajnë nga çeliakia, fibroza kistike, Morbus Crohn apo edhe përdorimi i medikamenteve të ndryshme si fenobarbital, rifampin, dilantin etj.

Ndërkohë që thekson se personat me të rriskuar janë moshat e thyera, personat e hospitalizuar për një kohë të gjatë, personat që janë në rritje si fëmijët dhe adoleshentët, personat që konsumojnë kohë të gjatë në ambiente të mbyllura pune, raca e zezë etj.

Çfarë është vitamina D?

Vitamina D është një vitaminë liposolubile e cila shërben për ruajtjen e balancës së kalciumit në gjak dhe në kocka. Efekti kryesor i vitaminës D është nxitja e përthithjes së kalciumit dhe fosforit nga zorra e hollë, të cilat janë të domosdoshme për ruajtjen e nivelit normal të kalciumit në gjak dhe mineralizimin e duhur kockor. Mungesa e vitaminës D shoqërohet me nxitjen e hormonit të paratiroides, i cili nxit çlirimin e kalciumit prej kockës që rezulton në ulje të mëtejshme të mineralizimit të kockës.

Cilat janë burimet e vitaminës D dhe çfarë e shkakton mungesën e saj në organizëm?

Burimet kryesore të vitaminës D në organizëm janë nëpërmjet sintetizimit nga lëkura nëpërmjet rrezeve UV të përthithura nga rrezatimi diellor dhe nëpërmjet ushqimeve. Ushqimet e pasura me vitaminë D janë të pakta, ndër to mund të përmendim peshkun e yndyrshëm si salmoni, peshku ton, makarel, vezët dhe ushqimet që janë të fortifikuara me vitaminë D, si drithërat dhe qumështi. Pavarësisht se themi që vendet mesdhetare karakterizohen nga shumica e ditëve me diell, përsëri popullata është e riskuar për të zhvilluar mungesë të vitaminës D, kjo sepse që vitamina D të sintetizohet nëpërmjet lëkurës duhet të plotësohen disa kushte: lëkura të jetë e pambuluar dhe pa përdorur krem mbrojtës, që mbron ndaj rrezeve UV, por nga ana tjetër është e domosdoshme për sintezën e vitaminës D. Me këtë shpjegohet edhe fakti që raca e zezë vuan më shumë nga deficiti i vitaminës sesa racat e tjera, sepse lëkura e tyre përmban më shumë pigment melanine çka përthith rrezet UV. Për sa i përket ushqimeve është pjesë e politikave shëndetësore të çdo vendi që të kërkohen ushqime të fortifikuara me vitaminë D, sidomos qumështi i fëmijëve. Pra mungesa e vitaminës D mund të vijë si prej mungesës së ekspozimit në diell ose nga konsumimi i ushqimeve të varfra në vitaminë D.

Kush janë personat më të riskuar?

Deficiti në vitaminë D është i shpeshtë në personat e moshuar, personat e hospitalizuar për një kohë të gjatë, personat që janë në rritje si fëmijët dhe adoleshentët, madje për këtë kategori popullate këshillohet suporti tërë kohës me suplement ditor vitaminë D. Tjetër grup popullate në risk janë personat që konsumojnë kohë të gjatë në ambiente të mbyllura pune. Raca e zezë gjithashtu është më e riskuar se racat e tjera, për arsyet qe u shpjeguan më sipër.

Çfarë shkakton deficit në vitaminë D?

Deficiti në vitaminë D në përgjithësi është sëmundje e heshtur. Në fëmijë deficiti manifestohet me rakitizëm, që karakterizohet me vështirësi në fillimin e ecjes, d.m.th ecja në moshë më të madhe se normalja, dhimbje gjatë presionit në kocka të caktuara, shtatshkurtësi, dalja e vonuar e dhëmbëve, harkimi i këmbëve etj. Në moshat e mëdha bëhet shkak për zhvillimin e osteomalacisë dhe osteoporozës. Të dyja sëmundjet bëjnë pjesë në grupin e sëmundjeve metabolike të kockave, osteomalacia ka të bëjë me demineralizimin e kockës si rezultat i mungesës së kalciumit dhe fosforit, kurse osteoporoza ka të bëjë me uljen e densitetit kockor, duke e bërë kockën me poroze dhe më të riskuar ndaj frakturave dhe rrezikun për t’u thyer edhe me trauma minimale. Osteomalacia manifestohet me dhimbje kronike muskulore, dhimbje nën presion mbi kocka, si kërciri dhe dërrasa e kraharorit. Deficitet e theksuara në vitaminë D mund të shkaktojnë miopati që karakterizohen nga dobësi e theksuar trupore e dhimbje muskulore. Studime të ndryshme e lidhin mungesën e vitaminës D edhe me sëmundje të tjera si hipertensioni, sëmundjen vaskulare periferike, sëmundjen ishemike të zemrës, duke e lidhur rolin e vitaminës D edhe me një efekt anti-inflamator e kundër radikaleve të lira. Deficiti në vitaminë D lidhet edhe me sëmundjen e depresionit e diabetit tip 2, problemeve me imunitetin. Studimet e fundit tregojnë edhe për një efekt antikancerogjen të vitaminës D, duke u bërë në këtë mënyrë edhe një faktor mbrojtës ndaj shfaqjes së kancereve të ndryshëm.

Si diagnostikohet mungesa e vitaminës D dhe si trajtohet?

Mënyra e vetme për të diagnostikuar mungesën e vitaminës D është nëpërmjet dozimit të vitaminës D në gjak. Në varësi të rezultatit vendoset nëse pacienti ka pamjaftueshmëri, mungesë apo vlera normale të vitaminës D në gjak. Në varësi të rezultatit vendoset edhe doza që pacienti duhet të marrë dhe kohëzgjatja e mjekimit. Vlen të theksohet fakti që nëse ka pamjaftueshmëri apo deficit, fillimisht duhet korrigjuar ky problem me doza më të mëdha për një periudhë të caktuar dhe pastaj rekomandohet doza mbajtëse ditore që ky problem të mos rishfaqet. Dozat ditore prej 800-1000 UI të shoqëruara me kalcium reduktojnë riskun për frakturë me 10-15%.

Somario: Studime të ndryshme e lidhin mungesën e vitaminës D edhe me sëmundje të tjera si hipertensioni, sëmundjen vaskulare periferike, sëmundjen ishemike të zemrës, duke e lidhur rolin e vitaminës D edhe me një efekt anti-inflamator e kundër radikaleve të lira.

Shkaqe të tjera që çojnë në deficit të vitaminës D mund të përmendim:

Malabsorbimi (keqpërthithjes), persona me rezekim të zorrës së hollë, personat që vuajnë nga celiakia, fibroza kistike, morbus Crohn.

Përdorimi i medikamenteve të ndryshme si fenobarbital, rifampin, dilantin etj.