Moti i keq rrezikon shembjen e urës në Delvinë, Balili: E inauguroi Xhaçka

Publikuar më 03. 02. 2018 nga Xhentila Gjoshi

Si pasojë e reshjeve të dendura që kanë pushtuar mbarë vendin ditën e sotme, situata paraqitet problematike në zonën e Sarandës. Në këtë qytet mësohet se është pezulluar lundrimi në det, ndërsa dallgët arrijnë deri në 7 ballë.
Po ashtu, problematike paraqitet situata edhe në Bashkinë e Delvinës, pasi janë rritur ndjeshëm prurjet e lumit të Kalasës, duke rrezikuar kështu që të shembet ura e Vanës. Në një lidhje telefonike për “News24”, kryetari i Bashkisë së Delvinës, Rigels Balili tha se po ndërhyhet për të parandaluar prishjen e urës. Ai pohoi se nëse ura shembet, rreth 350 familje do të bllokohen.
“Situata është përkeqësuar. Po rrezikohet ura që u inaugurua nga ministrja Xhaçka, por punimit nuk kanë qenë aq të mira. Në fillim të dhjetorit bëmë një ndërhyrje provizore, por nuk e përmirësoi situatën”, tha ai.