Moti i keq “mbërthen” Shqipërinë, ja situata në mbarë vendin

Publikuar më 03. 02. 2018 nga Eno Shkëmbi

Reshjet e dendura të shiut që nisën të premten dhe u përshkallëzuan sot, kanë shkaktuar probleme në gjithë territorin e vendit.

Lundrimi detar është pezulluar sot si pasojë e motit të keq, ku dallgët në det arrijnë deri në 8 ballë. Prej 48 orësh trageti i linjës Vlorë-Brindisi nuk ka kryer asnjë lundrim.

Po ashtu edhe në Durrës, një nga dy tragetet e linjës Bari-Durrës është detyruar për shkak të motit të keq të ndryshojë kahun e lundrimit, duke u vonuar për rreth 3 orë mbërritje.

Situata me reshjet paraqitet e vështirë në Vlorë, ku si pasojë e erërave të forta janë thyer disa pemë dekorative në “Lungomare”, si dhe janë dëmtuar disa biznese.

Ndërkohë në Gjirokastër, liqeni i Viroit ka shkatërruar digën provizore duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve në aksin Gjirokastër-Tepelenë. Policia orienton qarkullimin me një sens në këtë pjesë të aksit.

Moti i keq ka vështirësuar gjithashtu qarkullimin në disa akse të kryeqytetit, si Pezë-Helmës apo Arbanë. Erërat e forta rrezuan një shtyllë të tensionit të lartë pranë “Shkollës së Bashkuar”, ndërkohë që raportohet për pemë të rrezuara në disa akse.