Mos u beso politikanëve, as kur sjellin dhurata

Nga Agron Bajrami

Këtë javë befasisht morëm vesh se Komisioni për administratë publike, pushtet lokal dhe media i Parlamentit të Kosovës ka ndërmarrë iniciativën për hartimin e Ligjit për Media. Ideja e njerëzve që janë në këtë Komision është që mediat të disiplinohen, meqë paska – siç e tha njëri prej deputetëve – “liri të shfrenuar të shprehjes në Kosovë”. Thanë, natyrisht, se Ligji për Media do t’i obligojë mediat ta respektojnë shtetin, t’i paguajnë taksat, t’i respektojnë të drejtat e të punësuarve të vet, të raportojnë më mirë, dhe t’u shmangen lajmeve të rreme dhe ndërhyrjes në privatësi. Ata që nuk kanë njohuri, ndoshta, edhe do të mundë të besonin se bëhet fjalë për një dëshirë të sinqertë të deputetëve të popullit që t’i ndihmojnë mediat dhe shoqërinë, dhe se një ligj i mirë do të mundë t’u shkaktonte dëm vetëm mediave të këqija. Pra, se diçka e tillë do të ishte ndihmesë për gazetarët dhe mediat, por edhe për gjithë shoqërinë.

Pothuajse një dhuratë e madhe që, ja pra, po na e sjellin politikanët. Por ata që kanë njohuri do të vërejnë menjëherë se kjo dhuratë duket më shumë si ai kali të cilin grekët antikë dikur, sipas poemës së Homerit, ia dhuruan Trojës, që përmes mashtrimit të mundë të marrin atë qytet deri atëherë të pamposhtur. Kështu edhe politikanët kosovarë sot, duke aktruar brengosjen për shkak të sundimit të lajmeve të rrejshme e me mbulesën e ligjit, përpiqen që t’i fusin nën kontroll të vetin mediat. E vetmja e vërtetë është se të gjitha këto janë arsyetime vetëm për t’ua mundësuar politikanëve që në duar të veta të kenë një instrument me të cilin do t’i disiplinojnë mediat dhe të vendosin më lehtë mekanizmin e censurës dhe autocensurës. Sepse, nëse këta vërtet brengosen për pozitën e gazetarëve, tashmë e kanë Ligjin e Punës, i cili rregullon – jo vetëm për të punësuarit në media – të gjitha të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë nga marrëdhënia e punës, prej pagës së përshtatshme dhe mbrojtjes në vendin e punës, deri te mbrojtja e integritetit dhe krenarisë personale, si dhe të drejtat e tjera të të punësuarve. Krejt çka duhet është që ky Ligj të zbatohet në praktikë. Dhe jo vetëm në media.

E nëse brengosen për tregun medial që duhet rregulluar, dhe për krijimin e kushteve të njëjta për të gjithë që merren me këtë veprimtari – edhe për këtë ekzistojnë një numër ligjesh që janë votuar nga po i njëjti Kuvend, e që i obligojnë të gjitha ndërmarrjet e regjistruara në Kosovë – që, natyrisht, përfshihen edhe mediat – t’i respektojnë ligjet dhe institucionet e shtetit, dhe të paguajnë të gjitha kontributet dhe taksat e parapara. Vetëm duhet që ato ligje të zbatohen. Sërish, natyrisht, jo vetëm te mediat. Ndërsa, nëse duan që ta kursejnë shoqërinë nga një det i lajmeve të rreme, manipulimeve, raportimeve të papërgjegjshme, shpifjeve dhe ndërhyrjeve në privatësi – edhe për këto ka mjaft rregullativa ligjore që sigurojnë mekanizma të duhur për mbrojtjen nga joprofesionalizmi medial – nëse zbatohen nga shoqëria dhe jo vetëm ndaj mediave. Apo, nëse vërtet janë të merakosur për mirëqenien e shoqërisë dhe shtetit demokratik, deputetët e politikanët, edhe ata në pushtet, edhe ata në opozitë, do të përqendroheshin në funksionalizimin e gjyqësorit, në luftën kundër korrupsionit, në përmirësimin e sistemit të arsimit dhe shëndetësisë, në respektimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve dhe bashkësive, pakicë apo shumicë.

Në fund të fundit, nëse vërtet brengosen dhe duan t’i kursejnë të gjithë qytetarët e Kosovës jo vetëm nga lajmet e rreme, manipulimet dhe shpifjet, por edhe nga hipokrizia skajshmërisht e pamoralshme e njerëzve që kanë pushtet politik, ekonomik apo të çfarëdo lloji tjetër në shoqëri – le t’ia fillojnë nga vetja. Le ta votojnë një ligj për politikanë, me të cilin presidentit, kryeministrit, ministrave dhe zëvendësve të tyre, deputetëve në Kuvend dhe kryetarëve të komunave, liderëve partiakë dhe lloj-lloj huliganëve që bëjnë tifo për ta, do t’u ndalohej deklarimi i gënjeshtrave pa dhënë asnjë përgjegjësi apo llogari! Le t’i lexojnë, deputetët e respektuar që duan t’i disiplinojnë mediat, fjalimet e veta dhe të kolegëve të tyre, në seancat e Kuvendit të Kosovës, dhe le ta shohin se sa shumë lajme të rrejshme kanë nxjerrë ata në publik, sa shpesh kanë fyer dhe sulmuar rivalët politikë dhe ata që kanë opinione të ndryshme, sa herë kanë ndërhyrë në privatësinë e njerëzve, personaliteteve publike, por edhe të tjerëve, sa herë janë shërbyer me të pavërteta dhe gjysmë të vërteta, me qëllimin që të fitojnë ndonjë votë më shumë apo të ulin gjasat e konkurrentëve të tyre në zgjedhje, dhe sa herë tentuan t’i manipulojnë po këto media, të cilat tani i akuzojnë për manipulime.

Le të shikohen në pasqyrë dhe do të shohin se vetë ata, politikanët, janë të fundit në këtë botë që mund t’i japin leksione dikujt tjetër. Natyrisht, një iniciativë si kjo nuk është as e re, e as befasuese. Edhe më parë eksponentët politikë kanë tentuar që përmes ligjit t’u bëjnë presion mediave, edhe pse një gjë e tillë në Kosovë është kundërkushtetuese; Kushtetuta e Kosovës i garanton lirinë dhe pluralizmin e medias dhe ndalon çdo lloj censure. Me ligje janë të garantuara edhe liritë e tjera, përfshirë atë të privatësisë dhe mbrojtjen nga shpifjet. Dhe, sigurisht, sponsorët e këtyre iniciativave gjithmonë do të gjejnë modele të ngjashme në Perëndim. Por nuk duhet harruar se në ato raste –në Gjermani, në Itali apo ndonjë rast tjetër – gjithçka në themel e ka sundimin e ligjit. Në Kosovë, me një sistem të drejtësisë që është politikisht i kontrolluar dhe në të cilin mbretëron korrupsioni, dhe me një elitë politike që ka kapacitet shumë të limituar demokratik, një ligj i tillë nuk do të ishte asgjë tjetër veçse hyrje në censurë jo vetëm të medias, por edhe të lirisë së fjalës. Por mendoj se iniciatorët e paketimit të kësaj “dhurate”, megjithatë, nuk i kanë bërë hesapet mirë: Kosova nuk është Trojë.

Marrë  nga “Koha Ditore”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Emri i kompromisit

Nga Veton Surroi Në fillim të pluralizmit në ish-Jugosllavi, në Prishtinë mblidheshin partitë politike shqiptare gjithandej Jugosllavisë. Sa herë që…

Abissnet