Modric drejt Serisë A, 6 arsyet e transferimit

E përditshmja spanjolle “As” i ka kushtuar mesfushorit nënkampion bote një editorial ku shpjegon nëpërmjet gjashtë pikave, arsyet e një transferimi të mundshëm. Kroati, në listën e më të mirëve në Champions

Luka Modriç ka dyshimet dhe çështja e tij është gjithçka përveçse e mbyllur. Reali i Madridit vazhdon ta konsiderojë pjesë të rëndësishme të së ardhmes, me lojtarin që u përdor edhe si imazh për prezantimin e fanellës së tretë. Kroati nuk dëshiron largime polemike si ato të Ronaldos dhe Kovaçiçit, por në mendjen e tij Interi vazhdon të jetë shumë më shumë se sa një ide. E përditshmja spanjolle “As” i ka kushtuar mesfushorit nënkampion bote një editorial ku shpjegon nëpërmjet gjashtë pikave, arsyet e një transferimi të mundshëm.

Oferta

Me propozimin e tij, Interi e ka vendosur në dilemë futbollistin, teksa i ka ofruar 10 milionë euro në sezon për gjashtë vite. Aktualisht, ai te Reali i Madridit paguhet 6.5 milionë euro në sezon, rrogë kjo që drejtuesit e “Los Blancos” janë dakord t’ia rrisin, madje edhe duke barazuar ofertën e italianëve.

Kina

Duke qëndruar te paratë, duhet theksuar se në ofertën zikaltër, parashikohet se pas katër viteve tek Interi, lojtari të luajë edhe dy sezone në kampionatin kinez, përkatësisht në klubin e Jiangsusë, me Modriç që do ta mbyllte karrierën në moshën 40-vjeçare dhe mes një lumi milionësh, 60 në total.

Mosha

Luka Modriç pas një muaji do të mbushë ekzaktësisht 33 vjeç dhe megjithëse është në kulmin e karrierës së tij, ai e di shumë mirë se nuk mund të ruajë këtë ritëm për shumë kohë. Pikërisht, ky fakt e ndërgjegjëson se të tilla oferta si ajo zikaltër mund të jenë të fundit të rëndësishme që merr.

Tituj

Mesfushori kroat ka fituar gjithçka të mundshme me fanellën e Realit të Madridit. Ai ka dëshirë dhe nevojë për sfida të reja dhe Interi mund të rezultojë një projekt stimulues dhe mbase i fundit në një karrierë të lavdishme.

Ronaldo

Largimi i portugezit e ka prekur shumë Modriçin. Largimi i Zidanit nga drejtimi i skuadrës dhe po ashtu ai i Mateo Kovaçiçit, kanë bërë që 33-vjeçari të marrë seriozisht në konsideratë ofertën nga ana e Interit. Për lojtarë të tillë është shumë e nevojshme të kenë ambientin e duhur përreth dhe largimet në fjalët duket sikur kanë lëkundur siguritë e Modriçit.

Italia

Kudo që ka luajtur, Luka Modriç ka shkëlqyer. Pas transferimit në Angli te Totenhemi dhe viteve fantastike te Reali, mesfushori kërkon të tregojë se është ende në gjendje të bëjë diferencën, aq më tepër në një kampionat të komplikuar dhe shumë taktik, siç është Seria A. Në rast suksesi në Gadishullin Apenin, ai do të konfirmohej si një ndër më të mëdhenjtë e futbollit në histori me egon e kampionit që do ta shtynte të këmbëngulte për një largim nga Madridi.

Modriç në garën e kampionëve

30 gushtin e ardhshëm, në Montekarlo, me rastin e shortit të edicionit të ri të Champions League, do të jepen edhe çmimet për lojtarët më të mirë të edicionit të kaluar. Në Nyon të Zvicrës është publikuar lista e kandidatëve, për pozicion, që do të formojnë ekipin më të mirë të edicionit të kaluar. Klubi spanjoll  i Realit dominon me plot shtatë lojtarë (6 nëse llogarisim Ronaldon). Kjo është lista e plotë: Alisson Becker (Roma, tani te Liverpool); Gianluigi Buffon (Juventus, tani te PSG); Keylor Navas (Real Madrid); mbrojtës: Marcelo (Real Madrid); Sergio Ramos (Real Madrid); Raphael Varane (Real Madrid); mesfushorë: Kevin De Bruyne (Manchester City); Toni Kroos (Real Madrid); Luka Modric (Real Madrid); sulmues: Lionel Messi (Barcelona); Cristiano Ronaldo (Real Madrid, tani tek Juventus); Mohamed Salah (Liverpool).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet