Mjekët pa kredite, 15 ditë kohë për të mos humbur punën

Punonjësit e shëndetësisë që nuk kanë marrë kreditet e plota duhet të regjistrohen në QKEV për të hyrë në testim.  Në listë, mjekë, infermierë, farmacistë e stomatologë. Kalimi i testit u siguron vendin e punës

Enida Vërça

Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve të bëra në ligj për kujdesin shëndetësor,Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim (QKEV) i ka bërë kërkesë bluzave të bardha të dorëzojnë lejen e ushtrimit të profesionit pranë këtij institucioni deri në fund të muajit qershor. Nëpërmjet një njoftimi QKEV-ja sqaron se profesionistët e kujdesit shëndetësor janë të detyruar që t’i nënshtrohen edukimit të vazhdueshëm, për të përditësuar njohuritë dhe aftësitë e tyre, në mënyrë që të përmirësojnë cilësinë e kujdesit shëndetësor që duhet të ofrojnë për pacientët. Në të kundërt nuk do të mund të ushtrojnë dot profesionin e tyre. Sipas drejtuesve të QKEV-së, duhet që profesionistët e shëndetësisë, si: mjekë, stomatologë, infermierë, dhe farmacistë duhet të përshtatin programet e tyre të edukimit me afatet kohore të licencimit. “Njoftohen të gjithë profesionistët e shëndetësisë se me ndryshimet e miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, dt. 30 maj 2019, në Ligjin për “Kujdesin Shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, programi i edukimit në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë përputhet me afatet kohore të licencimit. Gjithashtu, profesionisti i shëndetësisë, që nuk përmbush kriteret e programit të certifikimit, i pezullohet/ndërpritet kontrata me institucionin shëndetësor dhe nuk i rinovohet leja e ushtrimit të profesionit nga urdhri profesional përkatës. Rifitimi i lejes së ushtrimit të profesionit bëhet vetëm pasi profesionisti i nënshtrohet provimit të certifikimit. Për këtë arsye, ju lutemi të paraqisni pranë Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim brenda datës 30 qershor 2019 Lejen e Ushtrimit të Profesionit”, thuhet në këtë njoftim të QKEV-së.

Kontrata

Bluzat e bardha, të cilët nuk i përmbushin kriteret e programit të certifikimit, nëpërmjet këtij udhëzimi mësohet se do t’u ndërpritet ose pezullohet kontrata e lidhur me institucionin përkatës shëndetësor. Më tej sqarohet se leja e ushtrimit të profesionit nuk do të mund të rinovohet nga urdhri profesional i institucionit përkatës. Nga ana tjetër, Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim (QKEV), ka zbardhur edhe listën e profesionisteve të cilët kanë arritur të plotësojnë kushtet e përcaktuara për kreditet në secilin specialitet mjekësor. Ata të cilët nuk kanë arritur të jenë pjesë e kësaj liste u është pezulluar licenca, duke u drejtuar thirrje që të regjistrohen deri në mbyllje të muajit qershor për të ta përfituar sërish atë. Këta specialistë të shëndetit, përgjatë zbatimit të programit të certifikimit nuk kanë siguruar kreditet e kërkuara për secilin specialitet. Një pjesë e konsiderueshme e profesionistëve të shëndetit rezultojnë të jenë me zero kredite.

Kreditet

Profesionistët e shëndetit duhet të mbledhin një numër të caktuar kreditesh të edukimit të vazhdueshëm profesional, sipas procedurave dhe kritereve të miratuara nga Këshilli i Ministrave. Për këtë arsye, ministria e Shëndetësisë ka krijuar një program të posaçëm, për përfitimin e krediteve i cili është emërtuar “Programi i Certifikimit për Profesionistët e Shëndetësisë”. Nëpërmjet këtij programi, bluzat e bardha arrin të grumbullojnë kreditet e nevojshme, për t’u licencuar. Mbështetur edhe në ndryshimet në Ligjin Kujdesit Shëndetësor, në funksion të zhvillimit të edukimit të vazhduar profesional ministria përgjegjëse për shëndetësinë krijon program të detyrueshëm për edukimin e vazhdueshëm profesional. Certifikimi është procesi që profesionisti i shëndetësisë përfundon me përmbushjen e kritereve të programit të certifikimit, i cili përputhet me afatet kohore të licencimit.

Kur mund të rifitoni lejen?

Nëpërmjet këtij njoftimi sqarohet se si mund të rifitohet e drejta për të ushtruar sërish profesionin. Si fillim profesionistët e shëndetësisë mund ta rifitojnë lejen për ushtrimin e profesioni vetëm nëse do t’i nënshtrohen provimit të certifikimit. Ky provim zhvillohet nga komisionet e provimit të certifikimit, të cilat janë të  ngritura pranë strukturave të përcaktuara nga ministri përgjegjës për shëndetësinë për organizimin e provimit të certifikimit. Sa i takon tarifës që duhet të paguajnë bluzat e bardha për certifikimin, njoftohet se ato janë të njëjta me ato të provimit të shtetit Institucionet e kujdesit shëndetësor duhet të lehtësojnë edukimin e vazhdueshëm të profesionistëve të tyre. Ato janë të detyruara të hartojnë dhe të zbatojnë programe të akredituara të edukimit të vazhdueshëm për profesionistët e tyre.

Drejtuesit

Nuk janë vetëm bluzat e bardha të cilat nuk sigurojnë kreditet e kërkuara, që i pezullohet leja për ushtrimin e profesionit, por edhe drejtuesit e institucioneve mjekësore. Me ndryshmet e bëra në ligjin e kujdesit shëndetësor thuhet se në rast se profesionistët e punësuar në institucionet publike të kujdesit shëndetësor nuk përmbushin kërkesat e programit të certifikimit, për drejtuesit e tyre merren masa disiplinore deri në lirim nga detyra. “Ofrues të aktiviteteve të edukimit të vazhdueshëm janë të gjitha strukturat, publike ose jopublike, akademike ose joakademike, fitimprurëse ose jofitimprurëse, të vendit ose të huaja, të cilat janë të regjistruara për ushtrim aktiviteti në Republikën e Shqipërisë, sipas kritereve të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave.”

Akreditimi

Institucionet e kujdesit shëndetësor i nënshtrohen procesit të akreditimit, i cili kryhet nga institucioni përgjegjës për akreditimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor. Përjashtim nga ky rregull bëjnë laboratorët mjekësorë. Akreditimi është proces i certifikimit të cilësisë së institucionit shëndetësor nëpërmjet vlerësimit të jashtëm të cilësisë, në përputhje me standardet e cilësisë për akreditim, të miratuara nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë. Standardet e cilësisë për akreditim hartohen nga institucioni përgjegjës për akreditimin dhe ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe miratohen me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë. Standardet e cilësisë për akreditim shëndetësor ndahen në standardet bazë të cilësisë, të cilat janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga institucionet e kujdesit shëndetësor, dhe standardet optimale, të cilat shërbejnë për akreditimin e institucionit. Vendimi për akreditimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor jepet nga ministri përgjegjës për shëndetësinë, pas rekomandimit të Bordit të Akreditimit. Mënyra e kryerjes së procesit të akreditimit të institucioneve të kujdesit shëndetësor, tarifat për procesin e akreditimit të institucioneve të kujdesit shëndetësor, publik dhe jopublik, dhe afatet për procesin e akreditimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Certifikimi, si fitohen kreditet

Programi i Certifikimit është sistemi i bazuar në cikle periodike 4-vjeçare, brenda të cilave profesionistët e shëndetësisë duhet të mbledhin një numër të caktuar kreditesh. Profesionistët e përfshirë në programin e certifikimit janë: mjekët, stomatologët,farmacistët e ndihmës farmacistët dhe infermierët e mamitë, shtetas shqiptarë dhe të huaj, që ofrojnë shërbime shëndetësore në Republikën e Shqipërisë, sipas legjislacionit në fuqi, në institucionet publike ose private të kujdesit shëndetësor parësor, dytësor dhe terciar dhe ata të institucioneve akademike shëndetësore. Profesionistët, të cilët punojnë me kohë të pjesshme, duhet të plotësojnë të njëjtat kritere të programit si ata që ushtrojnë profesionin e tyre me kohë të plotë. Cikli i parë i programit të certifikimit filloi në 1 janar 2010 dhe mbaroi në 31 dhjetor 2014. Cikli i dytë ka filluar në 1 janar 2015 dhe mbaron në 31 dhjetor 2018.  Kështu deri në mbyllje të dhjetorit të vitit të shkuar, kohë në të cilën përfundoi edhe cikli i dytë i certifikimit, mjekët duhet të mblidhnin një numër jo më të vogël se 120 kredite të edukimit në vazhdim, stomatologët dhe farmacistët e ndihmës farmacistët 60 kredite, ndërsa infermierët e mamitë 40 kredite. Numri vjetor minimal i detyrueshëm i krediteve të edukimit në vazhdim për mjekët ishte  10 kredite, për farmacistët, ndihmës farmacistët dhe stomatologët 5 kredite. Në fund të ciklit 4-vjeçar të certifikimit, përveç numrit të krediteve të kërkuara, profesionistët duhet të siguronin edhe 10 kredite përmes një testi vetëvlerësimi. Ky test kryhet online dhe lidhet me specialitetin e profesionistit. Nuk u përfshinë në programin e dyte të gjithë profesionistët që punojnë në administratë, ata që dilnin në pension brenda periudhës 4-vjeçare të ciklit dhe që nuk vazhdojnë ta ushtrojnë profesionin e tyre në sektorin privat, përjashtohen nga detyrimet e programit të certifikimit për atë cikël. Po ashtu edhe profesionistët, të cilët gjatë një viti kalendarik të ciklit të programit ndërpresin punën për një periudhë 4-mujore ose edhe më gjatë, përjashtohen nga kërkesat e programit për atë vit kalendarik.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet