Mjekët e Urgjencës në QSUT japin dorëheqjen, ja çfarë i shkruajnë Ramës

Publikuar më 05. 12. 2017 nga Xhentila Gjoshi

Mjekët e Urgjencës në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë i janë drejtuar me një letër kryeministrit Edi Rama, presidentit Ilir Meta dhe ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Letra është firmosur nga të gjithë mjekët e Urgjencës në QSUT të cilët shprehen se nuk kanë kushte pune dhe staf mjekësor, ndërsa ka mbingarkesë me të sëmurë të shtruar. Ky fakt ka bërë që ata të ndërmarrin këtë nismë, duke firmosur të gjithë bashkë dorëheqjen nga puna. Ata shprehen se e kanë të pamundur të punojnë në kushte të tilla.
“Tërhiqemi nga pozicioni i punës. Nuk ka kushte pune për stafin mjekësor dhe ka mbingarkesë me të sëmurë të shtruar Ka mungesë vendesh në pavianët e tjera dhe Shërbimet e tjera nuk zbatojnë urdhrat. Po paralajmërojmë sipas kodit të punës 30 ditë përpara”, thuhet në letrën e mjekëve të Urgjencës së QSUT.