Miratohen rrugët e floririt, bien ofertat e pakërkuara

Kuvendi miraton koncesionet e rrugës Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat. Taksapaguesit do të paguajnë 256 milionë euro 17 kilometra. Kontratat, të fundit me procedurën “propozim i pakërkuar”

Kontratat koncesionare për ndërtimin e rrugëve  Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat janë miratuar dje në parlament me votat e mazhorancës, si rrugët e fundit që kalojnë me rregullin e propozimit të pakërkuar.  Për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren, me gjatësi 17.6 kilometër, qeveria ka shpallur fituese kompaninë ANK me vlerë totale ndërtimi 161.5 milionë euro. Pas këtij aksi, me 78vota pro dhe 26 kundër, në parlament është miratuar edhe kontrata tjetër, Orikum-Dukat, e cila do të ndërtohet nga “Gjikuria” me një kosto prej 50.5 milionë euro. Bashkë me Rrugën e Arbrit, kontrata e të cilës është miratuar dhe ka hyrë në fuqi tashmë, këto dy akse plotësojnë të ashtuquajturin projekti 1 miliard dollarë për rindërtim.

Kufizimi

Nga dje, një tjetër kufizim me ligj për Partneritetin Publik Privat është miratuar në parlament. Bëhet fjalë për ofertat e pakërkuara, të cilat vinin si propozime direkte nga kompani private dhe praktikisht i nënshtroheshin një gare fiktive (nëse kishte konkurrent të dytë) pasi propozuesi t merrte 10 pikë bonusin që e shpallnin automatikisht fitues. Kjo procedurë,  e cila u rrëzua dje, u cilësua korruptive nga ana e opozitës, por u kritikua edhe nga organizmat ndërkombëtare si FMN apo Banka Botërore për shkak të rritjessë Borxhit dhe riskut të madh që mbartnin. Me ligjin e votuar dje, qeveria kufizon  sektorët ku pranohen ofertat e pakërkuara dhe ku jo. Ofertat e pakërkuara nuk do të rrëzohen tërësisht, pasi ato nuk do pranohen vetëm në tenderët apo koncesionet e infrastrukturës. Sektorët ku kjo praktikë do të jetë e zbatueshme tashmë, do të jenë shërbimet në porte, aeroporte dhe sektorin e energjetikës.  Me anë të ligjit të ri, tashmë do të lejohen propozimet e pakërkuara vetëm për realizimin e punimeve dhe/ose ofrimin e shërbimeve në porte, aeroporte, për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, energjisë për ngrohje dhe shpërndarjen e gazit natyror. Një tjetër pikë, tepër e kontestuar nga opozita dhe e kritikuar nga FMN, është edhe risku financiar i këtyre projekteve, koston e të cilave e mbante shtetit. Për këtë pikë, në projektligj është parashikuar që projektet para konfirmimit t’u bëhet studimi i nivelit të riskut. Duke qenë se projektet e koncesionit/PPP janë projekte komplekse, afatgjata që implikojnë një sërë risqesh, si dhe detyrimesh kontingjente të konsiderueshme për buxhetin e shtetit, është e nevojshme dhe e domosdoshme që të gjitha këto projekte si ato me dhe pa mbështetje financiare të paraqiten paraprakisht në ministrinë përgjegjëse për financat për vlerësim dhe miratim në këndvështrimin e implikimeve fiskale dhe buxhetore. Garantimi i një gare të barabartë dhe shfuqizimi i bonusit për kompanitë që bënin ofertën e pakërkuar është një tjetër nen i rëndësishëm i këtij projektligji.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, paraqiti para deputetëve në seancë plenare projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar. Ky projektligj heq Propozimet e Pakërkuara në një sërë sektorësh.  “Kemi propozuar kufizimin e të drejtës së identifikimit dhe zhvillimit të propozimeve të pakërkuara nga sektori privat, vetëm për realizimin e punimeve dhe/ose ofrimin e shërbimeve në porte, aeroporte, për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, energjisë për ngrohje dhe shpërndarjen e gazit natyror”, tha Denaj. Në fjalën e saj, Ministrja u shpreh se synimi i këtij projektligji është përmirësimi i kuadrit ligjor, mënyra e zbatimit të procedurave për dhënien e koncesioneve/PPP, si dhe rritja e kontrollit mbi angazhimet fiskale të marra përsipër nga Autoritetet Kontraktore nëpërmjet kontratave të koncesionit/PPP. Pas hyrjes në fuqi të këtij projektligji, sektori privat nuk do të mund të propozojë projekte koncesioni/PPP, në formën e propozimit të pakërkuar për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale me rëndësi të veçantë. Këto projekte do të zhvillohen sipas procedurave dhe rregullave të përcaktuar në ligjin 125/2013. Së dyti një parashikim shumë i rëndësishme është heqja e bonusit për propozimet e pakërkuara. Me qëllim rritjen e transparencës dhe trajtimit të barabartë për të gjithë operatorët në procedurën konkurruese është hequr mekanizmi i shpërblimit me pikë bonus, për propozime të pakërkuara.

Ndryshimet

Nga sot, kompanitë nuk do të kenë më 10 pikë bonus, por nëse nuk do të shpallen fituese do të kenë të drejtën e kompensimit të shpenzimeve për studimin e fizibilitetit të projektit.  Konkretisht, është parashikuar se pas përfundimit të procedurës konkurruese në rastin e propozimeve të pakërkuara nëse nga klasifikimi rezulton se propozuesi i pakërkuar nuk është shpallur fitues, atëherë i lind e drejta e kompensimit për shpenzimet e kryera për përgatitjen e studimit të fizibilitetit. Vlera e kompensimit do të jetë jo më e madhe se 1% e vlerës së investimit të propozuar.

Të dhëna

“Milot-Balldren” ngjalli debate të mëdha për koston e lartë, 256 milionë euro me TVSH, ose 15 milionë euro për kilometër, rishikimin në rritje të saj në raport me ofertën fillestare që ishte 161 milionë euro

Kompania premton të financojë 52 milionë euro nga kapitali i vet, ndërsa të dhënat nga bilanci 2017 tregojnë se totali i aktiveve të saj është vetëm 16 milionë euro (2 miliardë lekë), ndërsa totali i kapitalit është 3.2 milionë euro.

Projekti i dytë parashikon ndërtimin e një aksi 14.7 kilometra që lidh Portin e Jahteve në Vlorë me By Pass-in e Orikumit dhe Dukatin. Në total, kompania do të investojë për ndërtimin e rrugës 51 milionë Euro.

 

Vulosen miliardat e koncesioneve korruptive

Partia “Zgjidhja” dënon  projektin famëkeq ‘1 miliard euro’ dhe qindra koncesionet e trashëguara nga qeverisja e PD-së. Me votimin e djeshëm, thellohet gropa e borxhit publik të Shqipërisë

Pasi Kuvendi i Shqipërisë miratoi dje dy kontratat koncensionare për ndërtimin e segmenteve rrugore Orikum-Llogara dhe Milot-Balldren, ka ardhur edhe reagimi i Partisë Zgjidhja, e cila i ka konsideruar edhe më herët këto koncesione korruptive dhe grabitje të qeverisë Rama. “Kuvendi i Shqipërisë votoi dje dy kontratat koncesionare për rrugët Orikum-Llogara dhe Milot-Balldren, duke ligjëruar grabitjen e rreth 328 milionë eurove për dy rrugë me gjatësi vetëm 31 kilometra. Votimi i këtyre dy kontratave korruptive që do t’u kushtojë shqiptarëve të varfër rreth 10.5 milionë euro për kilometër, ishte mbyllja me ‘nder’ e sesionit të një parlamenti të kapur nga mafia dhe korrupsioni,”, shkruhet në deklaratën e partisë Zgjidhja. Partia Zgjidhja thekson faktin se këto dy kontrata korruptive do t’i bien peshë shtetasve shqiptarë, të cilët do të paguajnë në të ardhmen sa qimet e kokës.

Deklarata

Vulosen miliardat e koncesioneve korruptive. Kuvendi i Shqipërisë votoi dje dy kontratat koncesionare për rrugët Orikum-Llogara dhe Milot-Balldren, duke ligjëruar grabitjen e rreth 328 milionë eurove për dy rrugë me gjatësi vetëm 31 kilometra. Votimi i këtyre dy kontratave korruptive që do t’u kushtojë shqiptarëve të varfër rreth 10.5 milionë euro për kilometër, ishte mbyllja me ‘nder’ e sesionit të një parlamenti të kapur nga mafia dhe korrupsioni. Partia ‘Zgjidhja’ nuk priste që deputetët e Rilindjes t’i rrëzonin këto dy kontrata të turpshme që do t’i paguajnë shqiptarët në 13 vitet e ardhshme, sa qimet e kokës. Kjo qeveri, me projektin famëkeq ‘1 miliard euro’ dhe qindra koncesionet dhe PPP-të e veta e të trashëguara nga qeverisja e PD-së, po ia bën gropën borxhit publik të Shqipërisë, po ia merr të gjitha të ardhurat vendit, për t’ua dhënë disa oligarkëve që janë klientë të saj. Rilindja nuk u tërhoq nga këto projekte korruptive dhe falimentuese për vendin, edhe pas paralajmërimeve të FMN-së për rrezikun afatgjatë që ato i sjellin vendit, klasifikimeve nga Departamenti Amerikan i Shtetit për Shqipërinë si vendi më i korrupuar në Europë për shkak të procedurave të PPP-ve dhe koncesioneve klienteliste e në dëm të shqiptarëve. ‘Zgjidhja’ paralajmëron sërish se përfituesit në qeveri dhe afër saj nuk do t’i gëzojnë miliardat e vjedhura. Ato do t’u kthehen një më një shqiptarëve të varfër, nga një qeverisje e përgjegjshme dhe popullore.

Shqipëria e dhjetë njerëzve

EUROSTAT deklaroi se polarizimi i shoqërisë pas viteve 1990 është rritur me ritme të shpejta dhe sot Shqipëria është vendi me pabarazinë sociale me të lartë në Europë dhe më pas vijnë Serbia, Bullgaria dhe Spanja, ndërsa vendet me pabarazinë më të ulët të të ardhurave janë Çekia, Sllovenia, Finlanda, Sllovakia dhe Belgjika. Indeksi i përdorur tregon se si shpërndahen në shoqëri të ardhurat dhe pasuria kombëtare dhe se si individët kanë qasje të barabartë në mallrat dhe shërbimet e prodhuara brenda një ekonomie kombëtare.  Këto gjetje konfirmojnë denoncimet e vazhdueshme të partisë ‘Zgjidhja’ se vendi është në duart e disa njerëzve të lidhur me qeveritë. Një grup i vogël zyrtarësh të lartë dhe biznesesh të lidhura me ta kanë në zotërim buxhetin e shtetit, pasuritë nën e mbitokësore dhe çdo aset tjetër, duke diskriminuar interesin publik dhe operatorët e tjerë. Ata i shfrytëzojnë barbarisht pasuritë dhe fondet shtetërore, kanë ngritur oligopolet e tyre në bashkëpunim me qeveritarët, rrëmbejnë miliardat me punët publike, koncesionet dhe PPP-të korruptive. Në anën tjetër është një shtresë e mesme që po zhduket dhe shumica e popullit që nuk arrin të sigurojë bukën e gojës, që përballet vit pas viti me rritje taksash, zvogëlim të shanseve për të ndërtuar një jetë me punë të ndershme dhe që e kërkon mbijetesën te emigrimi. ‘Zgjidhja’ ka premtuar se do të ketë në fokus të programit të saj qeverisës nevojat ekonomike, luftën ndaj varfërisë dhe polarizimit ekstrem të shoqërisë. Shqipëria nuk e meriton gjendjen mjerane ku ndodhet, sepse është një vend me pasuri të shumta natyrore për frymë, me peizazhe të mrekullueshme, minerale, dritë, temperaturë, ujë, male, lumenj, bregdet, pozicion gjeografik të favorshëm dhe gjithçka është e nevojshme që populli të jetojë i lumtur e i kamur.  Programi i partisë ‘Zgjidhja’ synon që të bëhen reformat e duhura strukturore dhe të prodhohen pasuri për të gjithë, ndryshe nga partitë e vjetra dhe politikanët e 29 viteve të shkuara që varfëruan dhe shkatërruan kombin për të pasuruar dhe mbajtur në pushtet një grusht të korruptuarish. Ata, ende sot, nuk duan që populli të ketë mirëqenie, ndaj nuk lëshojnë pushtetin politik. Në të kundërt, pushteti i tyre do të bjerë dhe ata do duhet të përgjigjen përpara ligjit dhe popullit për gjithë të këqijat që kanë bërë.  Ata ua kanë mohuar shqiptarëve dhjetëra shanset për pasurim dhe mirëqenie dhe pa largimin e tyre nuk do të ketë as mirëqenie dhe as zhvillim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet