Ministria nxit emigracionin e fëmijëve, mbyll gjimnazet në Dibër

Foto 1 nga 3 Pas Para

Ish-drejtoresha e DAR Dibër, Margarita Markaj denoncon në gazetën “Shekulli”, mbylljen e dy gjimnazeve pa asnjë motivacion nga Ministria e Arsimit. Panik te prindërit dhe nxënësit

Enida Vërça

Qyteti Dibrës, është duke u përballur me rrezikun e mbylljes së disa shkollave të mesme, duke vështirësuar në këtë mënyrë frekuentimin e mësimit për shumë nxënës. Ish-drejtoresha e Drejtorisë Arsimore në Dibër, Margarita Markaj thotë për “Shekulli”-n se në dy gjimnaze mundësia e mbylljes është mjaft e lartë. “Rrezikohet vijimësia e mësimit të mesëm në shkollat e Njësisë Administrative Kalaja e Dodës, pikërisht në shkollën e mesme të bashkuar “Ibrahim Gjorgji”, Radomirë dhe të shkollës së mesme të Bashkuar “Tahir Losha”, Lunarë e Njësisë Administrative Selishtë”, bën me dije ajo. Më tej shton se këtë fillim viti akademik në zbatim të Udhëzimit nr. 30, datë 12.09.2018 “ Për numrin e nxënësve për klasë dhe normat e punës mësimore për institucionet e arsimit parauniversitar”, në këto shkolla u formuan pas 25 vitesh mungesë klasa të arsimit të mesëm. “Riorganizimi i klasave, bazuar në numrin e nxënësve për klasë, është përgjegjësi e institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar”, thotë ajo.

Mbyllja e shkollave

Gazeta “Shekulli”, kontaktoi edhe mësuesit e këtyre gjimnazeve, të cilët pohuan se janë në pritje të një vendimi nga MASR për mbylljen e këtyre gjimnazeve. Frika e pushimit nga puna, siç ka ndodhur rëndom në këto zona, kur prononcohen për mediat, i bën ata të stepen. “Prej kohësh është kërkuar nga ky komunitet ndërtimi i një shkolle të mesme. Ne nuk punojmë në kushte mjaft të favorshme, por gjithsesi kemi pranuar të jemi pjesë e këtij sistemi. Mbyllja e këtyre gjimnazeve i çon fëmijët në rrugë”, u shpreh Alketa Tome, mësuese e Historisë. Markaj thotë se ikjet masive të të rinjve, pas mbarimit të arsimit 9-vjeçar kanë qenë për këtë arsye, mungesa e gjimnazeve.”Një vit me parë erdhi ambasadori britanik dhe ngriti shqetësimin se fëmijët e Kalasë se Dodës emigrojnë drejt Anglisë, duke rrezikuar jetën. Dhe një nga mënyrat për ta parandaluar emigrimin e fëmijëve që sa mbaronin klasën e nëntë, niseshin drejt Anglisë ishte dhe ofrimi i arsimit të mesëm”, thotë ajo.

Motivacioni

Markaj thotë se mbyllja e këtyre shkollave është pa një motivacion dhe gjithçka bëhet me urdhër qeveritar. “Motivacioni është  për t’i dhënë vizibilitet drejtoreshës partiake së komanduar, Brigena Dani , por në mënyrë të gabuar në dëm të komunitetit. Gjatë kësaj periudhe pas debatit me Ministren e Arsimit Rinisë dhe Sportit, Znj. Shahini për çështjen e mbylljes së Gjimnazit “Said Najdeni”2 , nga drejtoresha e komanduar Brigena Dani janë inspektuar dy shkolla dhe në takimet me stafet u është komunikuar se hapja e klasave në shkollat e tyre është gabim”, thotë ajo. Më tej, shton se ka pasur komunikim të herëpashershëm me MASR, në lidhje me këto vendime dhe e vetmja përgjigje që ka marrë prej saj, është shkarkimi nga puna. “MASR ka komunikuar shpesh me mua, duke më kërcënuar me vendin e punës, se përse përcjell shqetësimin e banorëve të kësaj zone”, deklaron ajo.

Shqetësimi i prindërve

Nga mbyllja e këtyre gjimnazeve, ata që mbeten më të shqetësuar janë nxënësit dhe prindërit. Ajo që vihet ré, është fakti se shqetësimi i tyre dhe kërkesat e vazhdueshme për mos mbylljen e gjimnazeve nuk është marrë parasysh as nga DAR Dibër, as nga vet MASR. “Së pari, ata nuk janë konsideruar, përfillur me ta nuk ka pasur asnjë takim informimi a dialog im komuniteti i nxënësve dhe prindërve nuk është takuar të diskutohet me to, por duhet të kemi parasysh se njerëzit janë të frikësuar nga hakmarrjet e mundshme, ndaj heshtin. Mua më kanë kontaktuar tepër të shqetësuar prindër të fëmijëve që ndjekin studimet në ato shkolla, stafi shkollës dhe ato të shqetësuar për qëndrimin e saj, njëkohësisht institucionet as nuk pyesin se ku qëndron gabimi”, nënvizon ajo. Markaj thotë se edhe arsimtarët e këtyre gjimnazeve, nuk kanë guxim të flasin, pasi rrezikojnë vendin e punës. “Dibra është një vend shumë i varfër dhe të gjithë janë të punësuar në shtet. Stafet pedagogjike kanë frikë se humbasin vendin e punës ndaj heshtin. Mjafton t’ju kujtoj peripecitë që hoqi mësuesja Fatbardha Myftari që ju e trajtuat në gazetën tuaj, e cila përse protestoi për kushtet jo të mira në shkollë, u penalizua. Mendimi ndryshe të lë fëmijët pashkollë e pa bukë”, deklaron ajo.

Procedimi

Ish-drejtoresha e DAR-i thotë se edhe ndaj saj janë marrë masa ndëshkimore, pas përplasjes së fundit që pati me ministren Shahini, ku kundërshtonte mbylljen e gjimnazeve.”Sot (dje) në Drejtorinë Arsimore Rajonale Dibër u zhvillua seancë dëgjimore e Procedimit Disiplinor ndaj meje i cili ka filluar 4 ditë pas protestës sime me 30. 04 2019 dhe po atë ditë jam pezulluar pa shkak ligjor nga detyra. Komisioni Disiplinor ashtu siç është shprehur e konsideron shkelje shtimi i klasave gjimnaz, pa marrë parasysh që është vepruar në atë mënyrë në mbështetje të Dispozitave Normative për arsimin parauniversitar, Udhëzimi nr 30, datë 12.09.2018 “ Për numrin e nxënësve për klasë dhe normat e punës mësimore për institucionet e arsimit parauniversitar”. Të gjitha veprimet për formimin e klasave të arsimit të mesëm të lartë pranë shkollave Radomirë e Lunarë, kalimin e  shkollës së Selishtës e Sinë si drejtori më vete janë hapa konkret që sigurojnë mbarëvajtjen e veprimtarisë së DAR Dibër, sigurojnë përmbushjen e misionit për mbështetjen e shërbimit arsimor për të gjithë nxënësit në territorin që ka nën juridiksionin e DAR Dibër, duke u mbështetur në të gjitha aktet dhe nënaktet ligjore të dala nga MASR, duke dhënë njëkohësisht mbështetjen e institucioneve arsimore për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimit arsimor e në bashkëpunim më njësinë bazë të qeverisjes vendore”, përfundoi ajo.

Protestat

Në datën 22 maj studentët kanë lajmëruar një tjetër protestë. Tubimi do të mbahet para Ministrisë së Arsimit në orën 12. Studentët shprehen për “Shekulli”-n se protesta do të jetë vetëm një ditë dhe kryesisht pjesëmarrja do të jetë nga universitetet e Tiranës. Ata bëjnë me dije se pas kësaj proteste një-ditore, do të koordinohen edhe me universitet e rretheve, për të rikthyer edhe njëherë tubimin e fuqishëm të dhjetorit. Më tej, shtojnë se arsyet e protestës lidhen me premtimet e pambajtura të qeverisë sa i përket kërkesave të tyre. kujtojmë që një javë më parë, protestat një ditore u mbajtën në universitetin e Korçës, Elbasanit dhe Shkodrës. Në muajin dhjetor të vitit të kaluar studentët nisën protestat masive para Ministrisë që zgjatën deri në muajin shkurt. Ata kërkuan tarifa më të ulëta si dhe përmirësimin e kushteve në universitete.

 

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet